Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha po jep një intervistë në Report Tv, ku po prek disa prej çështjeve më kryesore, nga buxheti për diplomacinë, te shtyrja e samitit të NATO-s që ishte planifikuar në vitit 2027 në Tiranë, deri te rruga drejt Bashkimit Europian, e raportet me Kosovën, Greqinë e Serbinë.

"Jemi në fazën që kemi planifikuar. Ekipi negociator ka dorëzuar pozicionet tona negociuese për pesë kapituj. Do të shohim nëse do të mbyllen pesë apo gjashtë. Do të bëhen vlerësimet dhe do të zhvillohen mbledhjet në COELA dhe COREPER. Shpresoj që pesë ose gjashtë kapituj të mbyllen brenda vitit. Ne e kemi bërë punën tonë. Tani është në dorën e Komisionit Europian dhe, pas diskutimeve, vendet anëtare, së bashku me presidencën, do të japin verdiktin përfundimtar", tha Hoxha.

Për samitin e NATO-s ministri Hoxha, konfirmoi në Report Tv se kurdo që të zhvillohet, do të mbahet në Tiranë.

“Janë dy vendime, nëse samiti do të mbahet në Tiranë dhe kur do të mbahet. E para ka marrë përgjigje. Samiti i ardhshëm, kurdo që të mbahet, do të zhvillohet në Tiranë. Se kur do të mbahet, kjo çështje mbetet e hapur. Data vendoset në dakordësi me Sekretariatin e NATO-s dhe me vendet e tjera aleate, kur të ketë nevojë dhe përmbajtje të mjaftueshme për mbajtjen e samitit.

Nëse vendet anëtare gjykojnë se viti 2027 është shumë afër samitit që u mbajt në Ankara, ne e kuptojmë këtë. Por, në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, kurdo që të mbahet, samiti i radhës do të jetë në Tiranë.

Kjo nuk ka lidhje me Shqipërinë, as me situatën, as me kredencialet e saj. Është një vendim që merret bashkërisht, për t’i dhënë samitit sa më shumë përmbajtje dhe peshë në momentin kur të mbahet. Vendet anëtare mund të vendosin në çdo moment.

Samiti i ardhshëm, kurdo që të mbahet, do të zhvillohet në Tiranë dhe ne jemi të lumtur të jemi mikpritës e të tregojmë kredencialet e një vendi që ka investuar dhe vazhdon të investojë në sigurinë në rajon, në Europë dhe në hapësirën euroatlantike”, tha Ferit Hoxha në Report Tv.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:39
Çështja e detit me Greqinë drejt Hagës, ministri Hoxha për Report Tv: Ekipi negociator është ngritur, presim dakordësinë e Presidentit

1795177047_hoxha.jpg

Ministri Ferit Hoxha u pyet në Report Tv edhe për raportin e Shqipërisë me Greqinë. Duke u ndalur te çështja e detit, Hoxha tha se Shqipëria ka ngritur ekipin negociator dhe pret dakordësinë e Presidentit të Republikës. Sipas tij, palët pritet të dakordësohen së shpejti për hapat që do të ndjekin.

Hoxha tha se ka një kohë të gjatë që mes dy vendeve nuk ka acarim të raporteve dhe theksoi se Athina ka mbështetur hapjen dhe mbylljen e kapitujve të negociatave për vendin tonë. Ai kujtoi se Greqia do të mbajë presidencën e Këshillit të BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2027, vit kur Shqipëria synon të mbyllë të gjithë kapitujt. Mes dy vendeve po diskutohet edhe çështja e pensioneve.

Pyetje: Zoti ministër, në marrëdhëniet me Greqinë ndonjëherë mjafton edhe një çështje e vogël që raportet të acarohen. Cilat janë sot çështjet më urgjente mes dy vendeve?

Ministri Hoxha: Ka një kohë të gjatë që nuk kemi parë acarim mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kemi parë, përkundrazi, bashkëpunim, mbështetje, pjekuri dhe maturi në qëndrimet e të dyja vendeve. Mbi të gjitha, kemi parë një dakordësi themelore, që për mua ka shumë rëndësi. Greqia ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Dua ta theksoj. E kam thënë edhe më parë dhe mund të duket diçka e njohur, por është shumë e rëndësishme. Pa dakordësinë e Greqisë, asnjë kapitull nuk do të ishte hapur apo mbyllur dhe asnjë kapitull nuk do të mund të mbyllej në vijim. Është dakordësia e Greqisë, së bashku me atë të 26 vendeve të tjera, që i ka mundësuar Shqipërisë të ecë përpara.

Të mos harrojmë se në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm Greqia do të mbajë presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian, pra do të hartojë dhe përcaktojë axhendën. Ky do të jetë viti më i rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve tona me Bashkimin Europian dhe ndoshta edhe për të ardhmen e Shqipërisë. Është viti në të cilin synojmë të mbyllim të gjithë kapitujt.

Për çështjen e detit ka një dakordësi prej vitesh për ta çuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, por duket se çështja është lënë në heshtje.

Hoxha: Nuk është lënë në heshtje. Është ngritur ekipi negociator dhe presim të marrim dakordësinë e Presidentit të Republikës.

Në ekipin negociator shqiptar bëjnë pjesë përfaqësues të një numri të madh institucionesh. Në ekip diskutohet me hollësi çdo aspekt i këtij procesi që, siç mund ta merrni me mend, është shumë kompleks.

Kemi tentuar dy herë ta zgjidhim çështjen me marrëveshje, përmes bisedimeve mes palëve. Kjo nuk qe e mundur dhe nuk ka asgjë të pazakontë këtu. Edhe shumë vende të tjera kanë tentuar t’i zgjidhin çështje të tilla mes tyre dhe më pas i janë drejtuar një pale të tretë. Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord që në këtë rast t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Shumë shpejt do të biem dakord për mënyrën se si do të procedojmë, për hapat që do të ndjekim dhe për qasjen e secilit vend.

Ora 13:32
Lista Studentore fitoi zgjedhjet në Serbi, Hoxha: Do të mbrojmë interesat e Kosovës, do t’ua bëjmë të qartë se mbështetja është e padiskutueshme për çdo qeveri në Tiranë

 

Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha tha për Report Tv se Shqipëria pret formimin e qeverisë së re në Serbi për të vendosur kontaktet e para me Beogradin, pas fitores së Listës Studentore në zgjedhjet e 25 tetorit.

Hoxha theksoi se mbrojtja e interesave të Kosovës dhe mbështetja për të mbeten të padiskutueshme për çdo qeveri në Tiranë.

Hoxha tha se, edhe nëse mosmarrëveshjet për Kosovën vazhdojnë, Tirana do të kërkojë hapësira për bashkëpunim me Beogradin. Ai theksoi se Shqipëria do të mbrojë edhe interesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Unë kam mbajtur një qëndrim publik në lidhje me zgjedhjet. Sa i përket asaj që mund ta quajmë administratë të re, ajo ende nuk është formuar. Deri tani kemi parlamentin dhe kryetarin e parlamentit. Do të presim formimin e qeverisë, sepse ka shumë rëndësi se kush do të jetë në qeveri. Do të presim të shohim se kush do të jetë i ngarkuar me politikën e jashtme dhe do të vendosim kontaktet e para me ta. Do t’u ofrojmë të gjithë gatishmërinë që kemi pasur gjithmonë për të ndërtuar marrëdhënie sa më praktike, në interes të ndërsjellë. Do të shpalosim qëndrimet tona për Kosovën, marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin rajonal, si edhe qasjen tonë ndaj këtyre çështjeve.

Tani për tani, programi politik që ata paraqitën gjatë fushatës zgjedhore nuk pasqyron një qasje të ndryshme. Kjo është e vërtetë. Por, siç e kemi parë në shumë raste të tjera, kur një opozitë vjen në pushtet, ajo priret të ketë një qasje më realiste. Ne do të shohim se cila do të jetë qasja e tyre. Nëse qasja e tyre mbetet e njëjtë, do t’ua bëjmë shumë të qartë se për Kosovën kemi një mosdakordësi të plotë. Do të mbrojmë interesat e Kosovës dhe do t’ua bëjmë të qartë se mbrojtja e interesave të saj dhe mbështetja për Kosovën janë të padiskutueshme për çdo qeveri në Tiranë. Kjo do të jetë linja jonë.

Nëse nuk biem dakord për Kosovën, do të përpiqemi të gjejmë çdo hapësirë për të bashkëpunuar në mënyrë pragmatike. Do t’i artikulojmë qartë interesat tona, duke lënë hapur mundësinë për të bashkëpunuar në mënyrë praktike atje ku mundemi. Ka edhe shumë çështje të tjera. Duhet të mbrojmë interesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Këto çështje kërkojnë që qasja diplomatike të jetë sa më praktike, pragmatike dhe konkrete.

Do të përpiqemi t’ua bëjmë të qartë këtë. Natyrisht, do të presim të shohim se kush do të jetë në krye të diplomacisë serbe, çfarë qasjeje do të ketë qeveria e re ndaj marrëdhënieve me Shqipërinë dhe rajonin, si edhe cili do të jetë orientimi dhe programi i saj europian”, tha Hoxha.

Ora 13:21
Rikthehen mbledhjet qeveritare Shqipëri-Kosovë, Hoxha konfirmon për Report Tv: Po punojmë për takimin e radhës, po analizojmë 60 marrëveshjet e nënshkruara

 

Pas dy vitesh pa një mbledhje të përbashkët, qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës po punojnë për të caktuar takimin e radhës. Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, tha për Report Tv se data mbetet për t’u vendosur dhe se kriza politike në Kosovë e kishte vështirësuar organizimin e mbledhjes. Sipas tij, qeveritë po shqyrtojnë edhe ecurinë e mbi 60 marrëveshjeve të nënshkruara, për të parë cilat janë zbatuar dhe ku ka vonesa.

“Ne kemi zhvilluar tetë mbledhje mes qeverive. Natyrisht që nuk ka pasur mbledhje në këto dy vitet e fundit, sepse në Kosovë ka pasur një proces zgjedhor. Ne po punojmë për të gjetur momentin e duhur për mbledhjen e radhës. Nuk mund t’ju them datën, por do të kemi një mbledhje të radhës, sepse marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë institucionalisht të konsoliduara dhe ndiqen në të gjitha nivelet, deri në nivelin më të lartë.

Ne kemi nënshkruar mbi 60 marrëveshje. Po analizojmë marrëveshjet që janë zbatuar, ato që janë në zbatim e sipër dhe ato që mund të kenë mbetur prapa, në mënyrë që të kemi një pasqyrë të plotë se ku jemi, çfarë kemi bërë dhe çfarë kemi ende për të bërë.

Tani në Kosovë ka një qeveri që ka një mandat të qartë katërvjeçar. Ne nuk kemi absolutisht asnjë arsye për të mos vijuar këtë marrëdhënie të ngushtë, e cila nuk është ndërprerë asnjëherë, as gjatë këtyre dy viteve. Por nuk ka qenë e lehtë të organizohej një mbledhje mes qeverive, ndërkohë që Kosova ka qenë vazhdimisht në një proces zgjedhor dhe të formimit të institucioneve të reja. Tani situata na lejon të planifikojmë më mirë dhe më qartë se çfarë na duhet dhe çfarë do të bëjmë”, thekson Hoxha.

Ora 13:20
Samiti i NATO-s, ministri Hoxha për Report Tv: Kurdo që të mbahet, do të jetë në Tiranë! Data caktohet në bashkëpunim me vendet aleate

 

Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, konfirmon në Report Tv se samiti i radhës i NATO-s, kurdo që të zhvillohet, do të mbahet në Tiranë. I pyetur nga gazetari Nertil Agalliu për arsyet e shtyrjes së samitit, i cili fillimisht ishte planifikuar për vitin 2027, Hoxha tha se data mbetet e hapur dhe do të caktohet nga vendet aleate, në dakordësi me Sekretariatin e NATO-s.

Sipas ministrit, aleatët do të vendosin të mblidhen kur ta gjykojnë të nevojshme dhe kur të ketë çështje të mjaftueshme për diskutim. Hoxha shtoi se Shqipëria e mirëkupton nëse vendet anëtare e konsiderojnë vitin 2027 shumë afër samitit të Ankarasë. Ai theksoi se vendimi për datën merret bashkërisht nga aleatët dhe se Tirana mbetet mikpritëse e samitit të radhës.

“Janë dy vendime, nëse samiti do të mbahet në Tiranë dhe kur do të mbahet. E para ka marrë përgjigje. Samiti i ardhshëm, kurdo që të mbahet, do të zhvillohet në Tiranë. Se kur do të mbahet, kjo çështje mbetet e hapur. Data vendoset në dakordësi me Sekretariatin e NATO-s dhe me vendet e tjera aleate, kur të ketë nevojë dhe përmbajtje të mjaftueshme për mbajtjen e samitit.

Nëse vendet anëtare gjykojnë se viti 2027 është shumë afër samitit që u mbajt në Ankara, ne e kuptojmë këtë. Por, në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, kurdo që të mbahet, samiti i radhës do të jetë në Tiranë.

Kjo nuk ka lidhje me Shqipërinë, as me situatën, as me kredencialet e saj. Është një vendim që merret bashkërisht, për t’i dhënë samitit sa më shumë përmbajtje dhe peshë në momentin kur të mbahet. Vendet anëtare mund të vendosin në çdo moment.

Samiti i ardhshëm, kurdo që të mbahet, do të zhvillohet në Tiranë dhe ne jemi të lumtur të jemi mikpritës e të tregojmë kredencialet e një vendi që ka investuar dhe vazhdon të investojë në sigurinë në rajon, në Europë dhe në hapësirën euroatlantike”, tha Ferit Hoxha në Report Tv.

Ora 13:12
Integrimi/ Hoxha për Report Tv: Brenda viti, vulosim mbylljen për 5 kapituj! Në pranverë nis hartimi i Traktatit të Anëtarësimit, rrugëtim i mrekullueshëm

 

Shqipëria është gati të vulosë mbylljen e 5 kapitujve të tjerë brenda fundit të vitit. Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, i ftuar në Report Tv konfirmon se Shqipëria ka dorëzuar pozicionet negociuese për pesë kapituj dhe pret vlerësimin e Komisionit Europian, përpara se vendet anëtare të vendosin për mbylljen e tyre.

Në një intervistë për Report Tv, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha tha se shpreson që deri në fund të vitit të mbyllen pesë ose gjashtë kapituj dhe se pret që hartimi i Traktatit të Anëtarësimit të nisë në pranverën e vitit 2027.

Pyetje: Në udhërrëfyes parashikohet mbyllja e gjashtë kapitujve deri në fund të vitit. Në çfarë faze jemi?

Ferit Hoxha: Jemi në fazën që kemi planifikuar. Ekipi negociator ka dorëzuar pozicionet tona negociuese për pesë kapituj. Do të shohim nëse do të mbyllen pesë apo gjashtë. Do të bëhen vlerësimet dhe do të zhvillohen mbledhjet në COELA dhe COREPER. Shpresoj që pesë ose gjashtë kapituj të mbyllen brenda vitit. Ne e kemi bërë punën tonë. Tani është në dorën e Komisionit Europian dhe, pas diskutimeve, vendet anëtare, së bashku me presidencën, do të japin verdiktin përfundimtar.

Pyetje: Komisioni rekomandon që Këshilli të nisë vitin e ardhshëm hartimin e Traktatit të Anëtarësimit të Shqipërisë. Duke qenë se vendimi u takon vendeve anëtare, mendoni se kjo do të realizohet lehtësisht?

Ferit Hoxha: E njëjta gjë ndodhi me Malin e Zi. Pasi mbylli rreth 12 kapituj, Këshilli vendosi të krijonte një grup ad hoc për hartimin e projekttraktatit. Pres të njëjtën gjë për Shqipërinë. Pasi të kemi arritur një masë kritike në mbylljen e kapitujve, pres që Këshilli të vendosë nisjen e procesit të hartimit të projekttraktatit. Më 14 tetor 2024 nuk kishim asnjë kapitull të hapur. Në pranverën e ardhshme do të nisë hartimi i traktatit. Është një rrugëtim i mrekullueshëm, plot shpresë, dhe baza mbi të cilën do të vijojmë.

Ora 13:08
3.91 mld lekë për Ministrinë e Jashtme, ministri Hoxha në Report Tv: Buxhet rekord, në fokus anëtarësimi në BE! Misionit në Bruksel i duhen 60-80 punonjës

 

Buxheti i Ministrisë së Jashtme për vitin 2027 është rritur me 85%, ndërsa 180 milionë lekë janë parashikuar për aktivitete që lidhen me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në një intervistë për Report Tv, ministri Ferit Hoxha tha se misioni shqiptar në Bruksel do të ketë nevojë për 60–80 punonjës kur vendi të bëhet anëtar i BE-së. Aktualisht, misioni ka rreth një të katërtën e këtij personeli.

Me buxhetin 3.91 mld lekë, ministri Ferit Hoxha thotë për gazetarin Nertil Agalliu se ky është buxheti më i madh ndonjëherë në historinë e diplomacisë shqiptare dhe në qendër të tij është mbështetja e procesit të anëtarësimit.

Pyetje: Në komisionin parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme, deklaruat se buxheti 2027 është një investim në kapacitetin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe në përgatitjen e saj për të qenë anëtar i Bashkimit Europian. Mund të na thoni si i mbështet ky buxhet konkretisht, përpjekjet e diplomacisë shqiptare në rrugën drejt BE?

Ferit Hoxha: Është buxheti më i madh ndonjëherë në historinë e diplomacisë shqiptare. Është një buxhet i orientuar drejt investimeve për ta bërë Shqipërinë europiane dhe për të arritur sa më shpejt atë që synojmë, që të jemi një partner i besueshëm në tryezën e ardhshme europiane. Në qendër të tij është mbështetja e procesit të anëtarësimit. Janë parashikuar 180 milionë lekë për aktivitete të dedikuara që lidhen me anëtarësimin në BE.

Pyetje: A do të ketë rritje të numrit të personelit, më shumë fonde për ambasadat apo rritje të mbështetjes financiare për diplomatët?

Ferit Hoxha: Do të forcojmë kapacitetet në misionin tonë në Bruksel. Do të kemi nevojë për një mision me rreth 60–80 anëtarë, sa ka sot edhe vendi më i vogël anëtar i BE-së. Kur të jemi vend anëtar, personeli do të vijë nga Ministria e Jashtme dhe nga të gjitha fushat e veprimit të BE-së. Sot kemi rreth një të katërtën e këtij numri. Angazhimi im është të kemi personelin që na duhet për të mbrojtur interesat e vendit atje.

Duam të forcojmë kapacitetet në vendet anëtare, që përfaqësitë tona të kenë më shumë njerëz, energji dhe besim. Ky është thelbi i procesit, të jemi të besueshëm në Tiranë, në Bruksel dhe në çdo kryeqytet europian.

Do të bëjmë çfarë të jetë e mundur për të mbështetur sot eksportet shqiptare në tregun europian, në mënyrë që nesër të jemi sa më të përgatitur për të konkurruar.

Buxheti i Ministrisë së Jashtme është rritur me 85%. Jemi pothuajse në dyfishimin e gjithçkaje. Do të bëjmë një vlerësim që të pasqyrojë sa më mirë rezultatet dhe do të përpiqemi t’i shpërblejmë, me bonuse apo në forma të tjera, ata që janë në vijën e parë dhe që japin më shumë rezultate.