Bashkimi Evropian po synon të përshtatë sistemet arsimore me zhvillimin e Inteligjencës Artificiale (IA), duke theksuar se teknologjia duhet të plotësojë dhe jo të zëvendësojë mendimin njerëzor. Në takimin e ministrave të Arsimit të BE-së, të mbajtur më 19 nëntor në Bruksel, u kërkua integrimi i aftësive për përdorimin kritik dhe të përgjegjshëm të IA-së në të gjitha nivelet e arsimit.
Ministrat theksuan rëndësinë e trajnimit të mësuesve, përshtatjes së kurrikulave dhe zhvillimit të aftësive që u mundësojnë nxënësve të vlerësojnë saktësinë dhe besueshmërinë e përgjigjeve të prodhuara nga inteligjenca artificiale.
Njëkohësisht, Evropa po nxit rikualifikimin e punonjësve dhe forcimin e arsimit në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë (STEM), për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës. Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, vetëm 26.9% e studentëve të arsimit të lartë në BE ndiqnin degë STEM në vitin 2023, ndërsa objektivi është që kjo përqindje të arrijë në 32% deri në vitin 2030.
Ndërkohë, shkollat në SHBA po eksperimentojnë me metoda të reja vlerësimi, duke kufizuar disa detyra shtëpie dhe duke i dhënë më shumë rëndësi provimeve me gojë, diskutimeve dhe punës në klasë, për të garantuar se nxënësit zhvillojnë mendim të pavarur dhe kuptojnë atë që mësojnë.
Mesazhi kryesor i nismave evropiane është se arsimi i së ardhmes duhet t’i përgatisë të rinjtë jo vetëm të përdorin Inteligjencën Artificiale, por edhe të kuptojnë kufijtë e saj, të kontrollojnë rezultatet dhe të ruajnë aftësinë për të menduar në mënyrë kritike.
