Thibaut Courtois ia doli që të plotësojë dekadën me fanellën e Realit të Madridit. Klubi madrilen zyrtarizoi këtë të premte rinovimin e kontratës me portierin belg deri në vitin 2028.

Edhe një vit më shumë për gardianin e Los Blancos që vijoi me mënyrën e tij të veprimit përsa iu përket rinovimeve me futbollistët mbi 30 vjeç.

Ky me Courtois ishte rinovimi i tretë i realizuar nga Reali i Madridit gjatë kësaj jave. Të mërkurën ishte Arda Guler që nënshkroi kontratën e tij të re deri në 2032, ndërsa të enjten ishte radhab e Tchouamenit, edhe ky rinovoi deri në 2032 dhe tani i takoi Courtois i cili në javët e fundit kishte deklaruar se firma ishte thjesht një formalitet. Pas portierit belg radhën për të rinovuar kontratën e kanë Bellingham dhe Valverde.

Thibaut Courtois u transferua te Reali i Madridit në verën e vitit 2018 dhe gjatë kësaj periudhe ai ka fituar 14 tituj me fanellën e Los Blancos; dy Liga Kampionesh, 3 tituj në La Liga, një Kupë Mbreti, 3 Botërorë Klubesh, dy Superkupa të Evropës dhe 3 Superkupa të Spanjës. 

Në total ka zhvilluar 348 ndeshje zyrtare dhe është portieri i tretë me më shumë ndeshje në historinë e Realit të Madridit. Përpara tij janë Buyo(me 454) dhe Iker Casillas (me 725). Me këtë rinovim, Courtois do të kalojë kuotën e 400 ndeshjeve të luajtura, shifër me të cilën do të kalonte emra të tillë i Di Stefano(396) apo Juanito (401).

Top Channel