E zgjodhi rastësisht dhe e goditi me thikë në shpinë teksa shkonte në punë, 10 vite burg për 60-vjeçarin në Milano

20/11/2026 13:40

Një 60-vjeçar është dënuar me 10 vite burg në Milano të Italisë, pasi goditi me thikë në shpinë një grua 43-vjeçare, të cilën e kishte zgjedhur rastësisht si objektiv të sulmit.

Ngjarja ndodhi më 3 nëntor 2025, në sheshin Gae Aulenti, në zonën e rrokaqiejve të Milanos, ndërsa gruaja po shkonte në punë. I dënuari, Vincenzo Lanni, e sulmoi nga pas drejtuesen e kompanisë Finlombarda, duke e plagosur rëndë me një thikë me teh 23 centimetra të gjatë.

Sipas hetimeve, autori nuk e njihte viktimën dhe e kishte përzgjedhur atë rastësisht. Edhe pamjet filmike të ngjarjes ndihmuan në rindërtimin e dinamikës së sulmit.

Vendimi u dha nga gjyqtarja e seancës paraprake në Gjykatën e Milanos, Chiara Valori, në përfundim të gjykimit me procedurë të shkurtuar. Lanni u shpall fajtor për tentativë vrasjeje me rrethanën rënduese të paramendimit. Prokurorja Maria Cristina Ria kishte kërkuar dënimin e tij me 12 vite e 2 muaj burg.

Sipas mediave italiane, Lanni kishte vuajtur më parë një dënim prej 8 vitesh burg për dy tentativa vrasjeje të kryera në vitin 2015, kur kishte goditur me thikë dy pensionistë në provincën e Bergamos. Pas vuajtjes së dënimit, ai ishte liruar pasi ishte vlerësuar se nuk përbënte më rrezikshmëri shoqërore.

Gjatë hetimeve për ngjarjen e Milanos, ekspertiza psikiatrike konstatoi se 60-vjeçari kishte aftësi të plotë për të kuptuar dhe kontrolluar veprimet e tij në momentin e sulmit, pavarësisht problemeve të tij të shëndetit mendor. Gjithashtu, hetuesit zbuluan se ai e kishte blerë thikën vetëm pak ditë përpara ngjarjes.

Përveç dënimit me burg, gjykata vendosi që pas përfundimit të dënimit Lanni t’i nënshtrohet masës së sigurisë së mbikëqyrjes për tre vite. Ai u detyrua gjithashtu t’i paguajë viktimës 50 mijë euro si dëmshpërblim paraprak.

Avokati i 43-vjeçares, Paolo Cardone, deklaroi se klientja e tij po rikuperohet, por vijon të përballet me pasojat psikologjike të sulmit.

“Ajo po merr veten, është gjallë për mrekulli, për shkak të vetëm disa centimetrave, dhe po ndjek një proces rehabilitimi psikologjik pas traumës”, u shpreh avokati.

Ai shtoi se mbërritja e shpejtë e ambulancës atë mëngjes kishte ndikuar në shpëtimin e jetës së gruas.

Pas arrestimit, 60-vjeçari kishte deklaruar se synimi i tij ishte të godiste pushtetin ekonomik dhe jo të vriste dikë. Ai kishte pretenduar se objektivi i tij ishte një punonjës i një banke, ku vetë kishte punuar më parë dhe nga ku, sipas tij, ishte larguar padrejtësisht.

Vincenzo Lanni ndodhet në burgun San Vittore në Milano, ku ishte edhe në momentin e shpalljes së vendimit.

Top Channel