Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka shprehur mbështetjen për vijimin e projektit hidroenergjetik të Skavicës, duke e cilësuar atë si strategjik për sigurinë energjetike të Shqipërisë dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Përmes një reagimi publik, ambasada ka mirëpritur angazhimin e Shqipërisë për realizimin e projektit, i cili synon të garantojë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike. “Skavica do të ofrojë energji të qëndrueshme për qytetarët shqiptarë, një rrugë të qartë për investime të besueshme, si dhe mundësi për kompanitë dhe punonjësit amerikanë”, thuhet në reagim.