Yunus Musah beson se Milani mund ta fitojë titullin kampion dhe siguron se skuadra do të luftojë deri në fund për ta realizuar këtë objektiv. Në një intervistë për “SportMediaset”, mesfushori amerikan foli për ambiciet kuqezi, trajnerin Amorim, karrierën dhe fëmijërinë e tij.
Për mundësinë e fitimit të titullit, Musah u shpreh: “Është e mundur, stërvitemi dhe luftojmë çdo ditë për këtë. Të gjithë kemi ëndrrën dhe ambicien për ta fituar kampionatin. Do të luftojmë deri në fund”.
Ai foli edhe për pozicionin e tij në fushë: “Ndihem më mirë në mesfushë, me lirinë për të lëvizur kudo, për t’u tërhequr pas ose për të marrë topin dhe për ta çuar përpara”.
Për besimin e trajnerit Amorim, deklaroi: “Ai i kishte parë ndeshjet e mia të mëparshme dhe që në fillim e dinte çfarë të kërkonte dhe çfarë të priste nga unë”.
Musah tregoi se zgjedhja për të përfaqësuar SHBA-në e ndihmoi të ndihej amerikan: “Deri atëherë kisha vetëm pasaportën amerikane. Pasi vendosa të luaja për SHBA-në, shkova shumë herë atje dhe gradualisht u ndjeva pjesë e kulturës së tyre”.
Mes kujtimeve të fëmijërisë në “Castelfranco Veneto”, veçoi sakrificat e prindërve: “Nuk më ka munguar kurrë asgjë. Jam krenar për gjithçka që kanë bërë për mua”.
Ai kujtoi edhe periudhën tek akademia e Arsenalit, ku mbërriti nga Italia në moshën 9-vjeçare dhe qëndroi deri në moshën 16 vjeç, përpara se të transferohej te Valencia. Në fund, vlerësoi ndikimin e Amorim: “Ai kupton mirë se çfarë na nevojitet në momente të caktuara dhe bën që të gjithë në skuadër të jenë të qetë. Pas ndeshjes me Ferencvaros, trajneri ishte shumë i zemëruar, ashtu si e gjithë skuadra”.







