Uji, produktet e higjienës menstruale për gratë dhe pelenat për fëmijët janë përfshirë në listën e produkteve që do të kenë TVSH të reduktuar në 6%, sipas ndryshimeve të miratuara nga Komisioni i Ekonomisë në projektligjin për TVSH-në, pjesë e paketës fiskale të Buxhetit 2027.

Një nga propozimet e miratuara është ai për produktet e higjienës menstruale, për të cilin deputeti socialist Erion Braçe ka katër vite që kërkon me ngulm uljen e TVSH-së.

Gjatë diskutimeve në komision, Braçe theksoi se kjo masë është në përputhje me direktivën e Bashkimit Europian.

Ndërkohë, deputeti Çakërri kërkoi që në listën e produkteve me TVSH 6% të përfshihej edhe uji, duke argumentuar se kostoja për buxhetin nuk është e madhe.

“Teksa flasim për buxhetin social, nuk mund të mos fusim ujin në skemë. Kostoja për ta futur ujin në skemë nuk është e madhe. Uji nuk është produkt që negociohet”, tha ai.

Ministria e Financave kundërshtoi propozimet, ndërsa për çështjen e ujit argumentoi se po mendohet që uji i çezmës të jetë i pijshëm. Kjo solli edhe debate me Braçen, i cili kundërshtoi krahasimin e ujit të çezmës me atë të ambalazhuar.

Me propozim të deputetit Kadeli, komisioni miratoi edhe uljen nga 20% në 6% të TVSH-së për projektimin e ndërtimeve të dedikuara sportit.

Projektligji u miratua me 10 vota pro, përfshirë edhe ato të deputetëve të opozitës Edmond Haxhinasto dhe Enno Bozdo, dhe pritet të kalojë për shqyrtim në seancën plenare të 26 nëntorit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:29
'Po i përdorin edhe fëmijët në shkolla', Braçe kërkon heqjen e cigareve elektronike nga akciza, Komisioni voton pro, deputeti: Kompanitë po detyrojnë institucionet të mos zbatojnë ligjin

1795181803_erionbrae.JPG

Me 8 vota pro, Komisioni i Ekonomisë pranoi propozimin e deputetit socialist Erion Braçe për të hequr cigaret elektronike nga lista e produkteve që do t’i nënshtrohen akcizës.

Braçe kërkoi që qeskat me nikotinë dhe cigaret elektronike të mos përfshihen në akcizë, pasi sipas tij janë produkte të ndaluara me ligj në Shqipëri.

“Për sa kohë që ky produkt është i ndaluar të hyjë në vend, nuk mund të ketë akcizë. Qeset me nikotinë duhet të ikin nga akciza, nuk lejohen”, tha Braçe.

Braçe ngriti akuza edhe ndaj kompanive që i tregtojnë, duke pretenduar se ndikimi i tyre bën që institucionet të mos zbatojnë ligjin.

" Vetëm në këtë vend komsiderohet duahani me djegie ose thithje si të doni ju si zvendësues i duhanit natyral. Po të gjithë ata që kanë mend e konsiderojnë po aq të dëmshëm. Ajo që të bën të dalësh nga mendt është fuqia e këtyre kompanive që fusin në vend këtë produkt. E kemi ndaluar me ligj që të hyjë në vend dhe nuk ndodh, promovohet hapur. Fuqia e këtyre grupeve është e paimagjinueshme sa detyron institucionet të mos respektojnë ligjin. Këtë duhan po e përdorin edhe fëmijët në shkolla, se nuk i kontrollon dot zysha në shkollë" tha Braçe

Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin e ri kundër duhanit, që parashikon kufizime edhe për cigaret elektronike dhe qeskat me nikotinë, përfshirë ndalimin e shitjes online.

Drafti parashikon edhe kufizime në reklamim dhe masa për të penguar aksesin e të miturve te këto produkte.

Ora 14:26
Taksa vjetore do të paguhet edhe për makinat hibride, rritet nga 5% në 6% pjesa që përfitojnë bashkitë nga taksa e mjeteve

1793370082_makina.png

Ndryshimet në projektligjin “Për taksat kombëtare” parashikojnë përfshirjen edhe të motomjeteve në rritjen e taksës vjetore, si pasojë e kalimit të taksës së qarkullimit te mjeti.

Edhe automjetet hibride do të paguajnë taksë vjetore, njësoj si mjetet e tjera.

Ndërkohë, rritet nga 5% në 6% pjesa e të ardhurave vjetore nga taksa e mjeteve të përdorura që do t'u kalojë bashkive. Verifikimi i pagesës së kësaj takse do të vijojë të jetë detyrë e Policisë së Shtetit.

Ora 14:21
Komisioni i Ekonomisë miraton ndryshimet në taksat kombëtare dhe tatimin mbi të ardhurat, pensionet e të huajve rezidentë në Shqipëri nuk do të tatohen

1795180910_komisionekonomie.JPG

Komisioni i Ekonomisë miratoi me 8 vota pro projektligjin “Për taksat kombëtare”. Deputeti i opozitës Eno Bozdo u largua nga mbledhja, ndërsa Edmond Haxhinasto nuk mori pjesë në votim. Ndryshime pësoi edhe projektligji “Për tatimin mbi të ardhurat”, ku u vendos që të mos tatohen të ardhurat nga pensionet apo përfitimet e tjera që marrin shtetasit e huaj rezidentë në Shqipëri. Edhe ky projektligj u miratua me 8 vota pro.