
Deputeti i PS-së, Erion Braçe shpreh hapur kritikat për mënyrën e funksionimit të Partisë Socialiste dhe përfshirjen e anëtarësisë në vendimmarrje. Duke iu referuar debateve në Asamblenë e fundit të PS-së dhe qëndrimeve të Elisa Spiropalit, Braçe tha se socialistët nuk duhet të jenë thjesht të informuar për vendimet që merren në emër të tyre, por duhet të kenë mundësinë të zgjedhin përmes votës. Gjatë një interviste për ”Shqipëria Live”, Braçe është ndalur te gjendja shëndetësore e kryebashkiakut të Tiranës. ”Mendoj se Erion Veliaj ka nevojë për shërbim akut shëndetësor dhe nuk mund t’i mohohet askujt”.
Pjesë nga intervista
Erion Braçe: Mendoj se Veliaj ka nevojë për shërbim akut shëndetësor dhe nuk mund t’i mohohet askujt. Unë mendoj se liria, liria e shprehjes, është një e drejtë e fituar që në vitin 1990. Në momentin që je brenda forumeve të çdo partie, një pjesë e lirisë tënde humbet, se i nënshtrohesh disiplinës partiake. Unë e kam thënë shumë qartë që jam kundër përjashtimeve nga partia, forumet. Forumet kanë të drejtë të përjashtojnë, por me arsye gjithmonë. Kur je brenda, ke të gjitha këto detyrime, kur je jashtë, fiton lirinë. Unë e kam lirinë në Partinë Socialiste për të thënë atë që mendoj, edhe nëse është gabim. Të kontribuoj që PS-ja të funksionojë në dorë të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Mendoj shumë qartë që qëllimi i një force si PS-ja është të përmirësojë jetën e njerëzve.
Gjoni: Në PS ka debate të hapura. Duke dëgjuar zonjën Spiropali, a mendoni se janë mendime individuale apo ka dhe të tjerë?
Braçe: Nuk kam bërë ndonjë sondazh. Në Asamble ishim 2-3 veta që folëm. Vazhdoj e besoj se Spiropali ka të drejtë të thotë çfarë të dojë. Kur je brenda forumeve, duhet ta kuptoni. Kam thënë gjëra që nuk i kam ndarë me publikun, por kam thënë gjëra madhore për të adresuar problematika, për të ndryshuar qasje, qoftë në qeverisjen e Shqipërisë apo dhe në qeverisjen e Partisë Socialiste. Më vjen mirë që do të kalojnë të gjithë në sitë për meritë dhe arritjet e tyre.
Gjoni: Pse i besoni sot sitës së përzgjedhjes së këtyre drejtorëve?
Braçe: I besoj procesit. Brenda PS-së na duhet komplet një gjë tjetër. Edhe në mbledhjen e fundit vazhdoi praktika e njoftimeve. Meqë e thashë aty brenda dhe nga aty kanë dalë gjëra të vërteta dhe jo të vërteta, po e them që socialistët duhet të përfshihen, të mos ndihen të lënë mënjanë, të mos ndihen sikur nuk janë pjesë e debateve të brendshme. Të jenë të përfshirë deri në vendimmarrje përmes votës. Socialistët të mos ndihen më jovendimmarrës. Ka më se një vit që nuk mblidhet. Të jenë të përfshirë në vendimmarrje nëpërmjet votës. Kemi pasur probleme kohë pas kohe brenda PS-së me kulturën demokratike, por kjo kurohet, se na kushton më pak kurimi i të qejfmbeturve nga gara sesa mohimi i të gjithë socialistëve për të zgjedhur me votë, për të qenë pjesë e vendimmarrjes në partinë e tyre. E kupton që ne sot, socialistët, njoftohemi për vendimet që merren në emër të tyre.
Gjoni: Pse në Asamble ju thoni se folën 2-3 vetë?
Braçe: Unë mendoj se është shqetësim i të gjithëve, jo imi personal. E kam ndier këtë kur kam takuar socialistë në Tiranë dhe jo vetëm. Duhet të përfshihen socialistët, duhen elementë të rinj që të sjellin frymë të re. Kështu është në çdo degë të PS-së, nevoja që socialistët të energjizohen dhe të bëhen pjesë. Nëse të rinjtë vijnë dhe trajtohen njësoj si pjesa aktuale brenda PS-së…
Gjoni: A druhen se kush mendon ndryshe rrezikon të përjashtohet nga PS-ja?
Braçe: Jo, nuk mendoj kështu, edhe pse ajo që ndodhi në Asamble nuk më pëlqeu, as pjesa me dyer të mbyllura, as pjesa me dyer të hapura. Jemi në një moment që kemi nevojë për më shumë dialog me njëri-tjetrin, më shumë diskutim me njëri-tjetrin, mirëkuptim me njëri-tjetrin, edhe për kundërshti të njëri-tjetrit, më shumë empati dhe më shumë dashuri brenda Partisë Socialiste. Kemi më shumë nevojë për garë e konkurrencë të ndershme, jo kush do të jetë trashëgimtari, se ky koncept në demokraci nuk funksionon. Në 2005 ne nuk zgjodhëm trashëgimtar, por zgjodhëm më të mirin mes nesh me votë dhe na shkoi mbarë.
Gjoni: A është ai i zëvendësueshëm?
Braçe: Patjetër, kush nuk është i zëvendësueshëm?
Gjoni: A duhet të ndryshojë kreu i PS-së sjellje?
Braçe: Unë jam bardh e zi, por nuk funksionoj brenda një force politike kështu, ka ngjyra plot. Mua ka gjëra që nuk më pëlqejnë. Në kushtet në të cilat ndodhemi, nuk më pëlqen situata në PS, siç nuk më ka pëlqyer situata në Tiranë, në qytet. Është një qytet që nuk më pëlqen. Nuk jam as Borselino, as gjyqtar, as hero, por ka një shprehje të bukur: “Palermo nuk më pëlqente, por mësova ta doja”, t’i duash gjërat për t’i ndryshuar.
Gjoni: Mund të ndryshojë pa ikur?
Braçe: Patjetër. Pa ikur kanë ndryshuar, prandaj i dua të gjithë brenda, nuk i dua jashtë.
