Rusia ka ndërmarrë një sulm masiv me dronë dhe raketa ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev, duke shkaktuar të paktën 9 viktima dhe 30 të plagosur, sipas raportimeve të mediave lokale. Sulmi u zhvillua të enjten, në të njëjtën kohë kur presidenti rus Vladimir Putin ndodhej në Shenzhen të Kinës për takime me presidentin amerikan Donald Trump dhe liderin kinez Xi Jinping.

Pamjet e publikuara nga Al Jazeera tregojnë momentin kur sistemet ukrainase të mbrojtjes ajrore interceptojnë një dron rus mbi qiellin e Kievit. Sipas autoriteteve ukrainase, Rusia lëshoi gjatë natës mbi 400 dronë dhe më shumë se 110 raketa, përfshirë 27 raketa balistike. Sulmet dëmtuan infrastrukturën energjetike, sistemet e ngrohjes dhe furnizimit me ujë, si dhe ndërtesa historike dhe disa objekte diplomatike, përfshirë ambasadat e Holandës dhe Austrisë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi sulmin si një nga më të mëdhenjtë ndaj vendit, duke akuzuar Moskën se përdori valë të njëpasnjëshme raketash, në intervale prej 20 deri në 30 minutash, për të vështirësuar operacionet e shpëtimit dhe ndërhyrjen e emergjencave.

Përmes një reagimi në platformën X, Zelensky kërkoi nga partnerët ndërkombëtarë të kalojnë nga deklaratat e mbështetjes në ndihmë konkrete, veçanërisht për forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Sulmi vjen pas paralajmërimit të Putinit se Moska do të hakmerret me goditje më të forta ndaj Ukrainës, pas sulmeve të raportuara ukrainase kundër urës së Krimesë, e cila lidh gadishullin e aneksuar me territorin rus.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: