Volvo EX60 rrëmben çmimin “Vetura e Vitit 2027”, ja çfarë e bën kaq të veçantë

SUV-i elektrik Volvo EX60 është shpallur “Vetura e Vitit 2027” në çmimet prestigjioze Carwow Car of the Year Awards, duke u vlerësuar për dizajnin, teknologjinë, komoditetin dhe autonominë prej deri në 809 kilometrash me një karikim të vetëm.
Platforma britanike Carwow, e njohur për testimin dhe vlerësimin e automjeteve, ka përzgjedhur Volvo EX60 si fituesin kryesor të çmimeve për vitin 2027, pas vlerësimit të qindra modeleve nga prodhues të ndryshëm.
Përveç çmimit kryesor “Car of the Year”, modeli elektrik i Volvos ka fituar edhe çmimin “Outstanding EV”, duke u dalluar si një nga automjetet elektrike më mbresëlënëse të vlerësuara nga platforma.
Një nga karakteristikat që ka ndikuar në këtë vlerësim është autonomia e deklaruar e EX60, e cila në versionin më të avancuar arrin deri në rreth 809 kilometra, me një karikim të vetëm.
Kjo autonomi, e kombinuar me hapësirën e bollshme dhe komoditetin e kabinës, e bën modelin të përshtatshëm si për përdorim të përditshëm, ashtu edhe për udhëtime të gjata.
Mat Watson, drejtues i përmbajtjes në Carwow dhe prezantues i kanalit të njohur të platformës në YouTube, ka vlerësuar lart karakteristikat e SUV-it të ri elektrik.
“Volvo EX60 është ndër më të mirat që mund të ofrojnë veturat elektrike. Ka gjithçka që na pëlqen te Volvo – dizajnin tërheqës, një kabinë minimaliste dhe relaksuese, hapësirë të mjaftueshme për familjen dhe ulëse aq të rehatshme sa nuk do ta keni problem të kaloni orë të tëra pas timonit”, deklaroi Watson.
Ai theksoi se autonomia e modelit më të avancuar është një nga avantazhet më të mëdha të EX60.
Përveç autonomisë, Carwow ka vlerësuar edhe përvojën e drejtimit, duke theksuar se EX60 arrin të kombinojë rehatinë gjatë kalimit në rrugë të pabarabarta me manovrueshmërinë në kthesa.
Sipas Watson, ky kombinim e bën SUV-in elektrik një automjet të kompletuar, i cili ofron përmirësime në pothuajse çdo aspekt.
Çmimet Carwow Car of the Year Awards vlerësojnë automjetet në 14 kategori të ndryshme, duke marrë parasysh faktorë si performanca, prakticiteti, teknologjia, komoditeti dhe raporti mes çmimit dhe cilësisë.
Përzgjedhja e Volvo EX60 si fitues i përgjithshëm për vitin 2027 përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm për prodhuesin suedez, në një periudhë kur konkurrenca në tregun e automjeteve elektrike po bëhet gjithnjë e më e fortë.
Vlen të theksohet se Volvo EX60 është prezantuar në Kosovë, falë kompanisë Auto Mita, përfaqësuese zyrtare e markës suedeze në vendin tonë. Prezantimi i SUV-it të ri elektrik u mbajt më 3 nëntor 2026, në ambientet e Auto Mita-s, ku të pranishmit patën mundësinë ta shohin nga afër modelin që tashmë është vlerësuar me çmimin “Vetura e Vitit 2027” nga Carwow. Me këtë prezantim, Auto Mita solli në tregun kosovar një nga modelet më të reja të markës së njohur. /Telegrafi/

































