Dy shtetas danezë dyshohet se janë rekrutuar nga shërbimet ruse të inteligjencës për të vrarë reperin ukrainas Kyivstoner, përpara një koncerti që ai kishte planifikuar të mbante në Danimarkë. Lajmi u raportua nga transmetuesi danez DR, duke iu referuar dokumenteve dhe zhvillimeve në një seancë gjyqësore. Sipas raportimeve, policia arriti të parandalojë komplotin e dyshuar duke arrestuar dy burrat pak para koncertit të reperit, i planifikuar për 25 shtator. Pas arrestimeve, aktiviteti muzikor u shty.
Të dy të dyshuarit kanë mohuar çdo përfshirje në aktivitet kriminal gjatë paraqitjes në gjykatë. Sipas mediave daneze, dy burrat u ndaluan në një automjet ku u gjetën disa armë. Megjithatë, ende nuk janë bërë të ditura detaje të plota se si autoritetet arritën të identifikonin të dyshuarit dhe të zbulonin planin e pretenduar.
Katër persona janë mbajtur në paraburgim që prej shtatorit, por vetëm dy prej tyre dyshohet se kanë pasur rol në planin për vrasjen e reperit. Agjencia daneze e Sigurisë dhe Inteligjencës (PET), së bashku me ministrin e Jashtëm Lars Løkke Rasmussen dhe ministrin e Drejtësisë Peter Hummelgaard, pritet të japin detaje të mëtejshme për çështjen në një konferencë për shtyp.
Rasti vjen në një kohë kur autoritetet daneze kanë paralajmëruar për aktivitetet e dyshuara të Rusisë në vend. Në shtator, PET raportoi se Moska po rekrutonte shtetas danezë për të kryer operacione sabotimi kundër kompanive të mbrojtjes që kanë lidhje me Ukrainën. Ndërkohë, ende nuk janë bërë publike mënyra se si shërbimet ruse dyshohet se kanë rekrutuar dy shtetasit danezë. Ambasada ruse në Kopenhagë nuk kishte reaguar menjëherë ndaj kërkesës për koment.
