Prokuroria e Parisit ka nisur një hetim gjyqësor që përfshin aktorin e njohur francez Gérard Depardieu dhe shkrimtarin Michel Houellebecq, lidhur me dyshime për përdhunim në grup dhe sulme seksuale. Këtë e raportojnë mediat franceze BFMTV dhe Mediapart.
Hetimi u iniciua pas një ankese të paraqitur më 12 maj 2025 nga një grua, e cila pretendon se ka përjetuar abuzime seksuale gjatë xhirimeve të filmit “Thalasso” në vitin 2018. Filmi, me regji të Guillaume Nicloux, doli në ekrane në vitin 2019.
Të lidhura
None found
Gruaja, e cila në atë kohë ishte 32 vjeçe, thotë se u kontaktua për të interpretuar një rol. Sipas kallëzimit, asaj iu kërkua të luante një vajzë nga Europa Lindore, e përshkruar si prostitutë, e cila duhej të kërcente pa bluzë në një dhomë hoteli ku ndodheshin Depardieu dhe Houellebecq.
Ajo pretendon se gjatë kësaj situate u përball me abuzime seksuale. Në kuadër të hetimit, Depardieu dyshohet për përdhunim në grup, ndërsa Houellebecq dyshohet se ka vepruar si bashkëpunëtor. Ky i fundit përballet edhe me akuzën e sulmit seksual.
Sipas BFMTV, hetimet po kryhen nga disa gjyqtarë hetues në Paris. Deri tani nuk ka pasur asnjë marrje në pyetje dhe asnjëri prej të përfshirëve nuk është njoftuar zyrtarisht për statusin e tij në këtë proces.
Prokuroria e Parisit nuk ka bërë asnjë koment për rastin, ndërsa avokatët e Depardieu dhe përfaqësuesit ligjorë të ankueses kanë refuzuar të flasin.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që aktori francez përballet me akuza për abuzim seksual. Më 13 maj 2025, Depardieu u dënua me 18 muaj burg me kusht për sulme seksuale ndaj dy grave gjatë xhirimeve të filmit “Les Volets Verts” në vitin 2021.
Hetimi i ri në Paris e rikthen vëmendjen te akuzat ndaj aktorit, ndërsa pretendimet e fundit kundër tij dhe shkrimtarit Houellebecq mbeten objekt i procesit hetimor.








