Policia e Tiranës ka arrestuar 41-vjeçarin Miklovan Arapi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi është dënuar me 6 vite burg për disa vepra penale.
Në njoftimin zyrtar, policia bën me dije se Arapi, banues në Tiranë, është kapur në kryeqytet, pasi Gjykata e Apelit të Romës e ka dënuar me 6 vite burg për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Vjedhja e rëndë” dhe “Kanosja”.
Ndërkohë, sipas raportimeve, Miklovan Arapi është edhe inspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), si dhe një prej personave që u shfaqën të maskuar dhe të pajisur me shkopinj bejsbolli pranë selisë së Partisë Socialiste, gjatë protestave të studentëve.
Ngjarja ndodhi teksa të rinjtë po protestonin përpara selisë rozë, ndërsa një grup personash të maskuar dolën nga selia për t’i dhunuar dhe larguar.














