Me 8 vota pro, Komisioni i Ekonomisë pranoi propozimin e deputetit socialist Erion Braçe për heqjen e cigareve elektronike dhe qeseve me nikotinë nga lista e produkteve që i nënshtrohen akcizës.
Braçe kërkoi që këto produkte të mos përfshihen në akcizë, duke argumentuar se janë të ndaluara me ligj në Shqipëri.
“Për sa kohë që ky produkt është i ndaluar të hyjë në vend, nuk mund të ketë akcizë. Qeset me nikotinë duhet të ikin nga akciza, nuk lejohen”, tha Braçe.
Deputeti ngriti gjithashtu akuza ndaj kompanive që tregtojnë këto produkte, duke pretenduar se ndikimi i tyre po bën që institucionet të mos zbatojnë ligjin.
“Vetëm në këtë vend konsiderohet duhani me djegie ose thithje, si të doni ju, si zëvendësues i duhanit natyral. Por të gjithë ata që kanë mend i konsiderojnë po aq të dëmshëm. Ajo që të bën të dalësh nga mendja është fuqia e këtyre kompanive që fusin në vend këtë produkt. E kemi ndaluar me ligj që të hyjë në vend dhe nuk ndodh, promovohet hapur. Fuqia e këtyre grupeve është e paimagjinueshme, sa detyron institucionet të mos respektojnë ligjin. Këtë duhan po e përdorin edhe fëmijët në shkolla, se nuk i kontrollon dot zysha në shkollë”, u shpreh Braçe.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin e ri kundër duhanit, i cili parashikon kufizime edhe për cigaret elektronike dhe qeset me nikotinë, përfshirë ndalimin e shitjes online.
Drafti parashikon gjithashtu kufizime në reklamim dhe masa për të penguar aksesin e të miturve te këto produkte.
