Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi tha të enjten se Takimi i 33-të i Liderëve Ekonomikë të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC) shënoi një kulm të ri në bashkëpunimin ekonomik të Azi-Paqësorit dhe ishte veprimtaria më e rëndësishme diplomatike e organizuar nga Kina këtë vit.
Duke folur në një konferencë për shtypin të mbajtur pas takimit në Shenzhen, në provincën Guangdong të Kinës Jugore, Wang, njëherësh anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, vuri në dukje që në takim u publikua Perspektiva e Shenzhen-it e Udhëheqësve të APEC-ut, një dokument ambicioz, praktik dhe gjithëpërfshirës, i cili është rezultati më i rëndësishëm i “Vitit të Kinës” të APEC-ut dhe një moment i ri në bashkëpunimin e APEC-ut.
Gjatë takimit, presidenti i Kinës Xi Jinping bëri thirrje për ndërtimin e një komuniteti të Azi-Paqësorit të karakterizuar nga solidariteti dhe ndihma e ndërsjellë, hapja dhe integrimi, fryma e sipërmarrjes dhe novacioni, si edhe zhvillimi përfshirës.
Presidenti Xi shtjelloi propozimet e Kinës lidhur me llojin e komunitetit të Azi-Paqësorit që duhet të ndërtohet dhe mënyrën e ndërtimit të tij, vuri në dukje Wang, duke shtuar që takimi gjithashtu solli një impuls të ri për çuarjen përpara të ndërtimit të Zonës së Tregtisë së Lirë të Azi-Paqësorit.
Kryediplomati kinez theksoi Planin e Ndërlidhshmërisë të APEC-ut të përditësuar, të miratuar në takim, i cili synon përparimin e zhvillimit të infrastrukturës, forcimin e ndërlidhshmërisë së zinxhirit të furnizimit, përmirësimin e politikave dhe bashkëpunimit rregullator, si edhe lehtësimin e lëvizjes së njerëzve.

Ai e vlerësoi kontributin e Kinës në miratimin e një deklarate të APEC-ut për shfrytëzimin e teknologjive digjitale dhe të reja për krijimin e vendeve të punës dhe lulëzimin. Deklarata ndihmon në bashkërendimin e bashkëpunimit në AI dhe teknologji të tjera të reja, për të nxitur punësimin e plotë, shërbimet publike dhe infrastrukturën digjitale me cilësi të lartë, tha Wang.
Ministri i Jashtëm kinez vuri në dukje gjithashtu një sërë masash që njoftoi presidenti Xi për të nxitur bashkëpunimin e Azi-Paqësorit, duke përfshirë krijimin e një qendre studimore mbi komunitetin e Azi-Paqësorit, një propozim për themelimin e Shoqatës Botërore për Bashkëpunimin Ekonomik në Zonat e Gjirit dhe mbështetjen financiare për bashkëpunimin praktik.










