Dy operacione policore në Durrës, tre persona në pranga: Njëri grabiti taksistin, dy të tjerë kapen me kanabis në port

Tre persona janë arrestuar në Durrës në kuadër të dy operacioneve të zhvilluara nga Policia e Durrësit dhe ajo Kufitare.
Në kuadër të operacionit të koduar “Reagimi”, është arrestuar një 34-vjeçar, i cili dyshohet se mëngjesin e sotëm, në lagjen nr. 14, kërcënoi me mjet prerës një taksist 30-vjeçar dhe i mori celularin, një shumë parash dhe çelësin e automjetit. Falë reagimit të shpejtë të policisë, ai u kap në kohë rekord.
Ndërkohë, në Portin e Durrësit është finalizuar operacioni “Yellow Line”, ku u arrestuan dy të rinj, 27 dhe 24 vjeç, banues në Tiranë, të dyshuar për trafikim të narkotikëve në bashkëpunim.
Gjatë kontrollit të një furgoni me të cilin udhëtonin dy të rinjtë, policia zbuloi një sasi të konsiderueshme farash të dyshuara narkotike kanabis, lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe një shumë parash.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, paratë, furgoni dhe dy telefona celularë. Ndërkohë, materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar organeve kompetente për veprime të mëtejshme.




