Nga Armand Maho
Makina ime, e prodhuar 20 vite më parë, u pa me dyshim nga roja e Gardës në hyrje të Bllokut të Vilave Qeveritare në Durrës, ose e njohur ndryshe si Konvalishenca në Durrës. I mësuar kryesisht me makina luksoze, qeveritarësh ose biznesmenësh, që frekuentojnë lokalin aty, makina ime dukej jashtë ‘të zakonshmes’.
Megjithatë, ishte e diel, në lokal kishte edhe një festë dhe gardisti ktheu sërish sytë drejt celularit, pa na ndaluar të hynim. Ishte hera e parë që hyja në këtë territor.
Hyrja lejohet me kartë anëtarësie, me të cilën janë pajisur një numër i caktuar klientësh të lokalit, ose pronarë vilash të sekuestruara që kanë marrë pronat e tyre. Pjesa tjetër janë ministra apo delegacione. Lokali është në vijën e parë të detit, në pjesën qendrore të tij. Anash, majtas e djathtas, shtrihen vilat qeveritare.
Vila, të cilën Edi Rama e frekuenton jo pak, ndodhet vetëm pak metra larg lokalit. Vajtja aty është e ndaluar, edhe pjesa pas saj është e gjitha e ruajtur me ushtarë. Duhet thënë se është pjesa më e ruajtur e bllokut qeveritar. E mbikqyrur me kamera dhe me roje të armatosur 24 orë. Ashtu siç është edhe postblloku, vila e Presidentit të Republikës dhe një sërë vilash të tjera.

Të ndërtosh në këtë zonë duhet të kesh një status të veçantë. Në fakt, nuk shihen shumë ndërtime. Siç na thanë ata që punojnë aty, edhe Edi Rama, vilën që frekuentonte, kishte vendosur ta shembte dhe ta ndërtonte në fund të vitit 2021 dhe fillim të 2022. Në vendin ku është ndërtuar ajo, kishte qenë më parë një vilë nga ato të diktaturës, ndoshta e dajë Spiros, që Rama e kishte parë më të arsyeshme ta hidhte në tokë sesa ta rikonstruktonte. Dhe kjo ndodhte mu në kohën kurpasojat e tërmetit të vitit 2019 nuk kishin filluar ende të rikuperoheshin, dhe as pandemia nuk kishte kaluar.
Një djalosh që vinte vërdallë atypari (nuk e pyetëm për punën) na tregoi me gisht se vila pranë lokalit është e Edi Ramës, por na këshilloi të mos bënim foto në rast se s’donim të na hapej punë me Gardën. “Kjo është vila e Edi Ramës. Sa herë vjen? Vjen kur i teket, por vjen, dhe atë ditë nuk duhet të pipëtijë njeri këtu. Ata që janë më të vjetër thonë se ardhja e Ramës u kujtonte kohën kur këtu pushonin ata të komunizmit”, na tregon ai me të qeshur.

“Thonë që ka edhe një tjetër që e ka vënë në pronësi të tij, por s’di të them se ku është. Mund të jetë gjithsecila nga këto, se këtu ka një numër jo të vogël vilash të braktisura, pra që nuk i janë nënshtruar rikonstruksionit, për shkak të pronësisë, ose se kush e di kush ia ka vënë syrin, por unë s’e di se cila është”, shton.
Vila e Agasit
Ergys Agasi, i akuzuar nga SPAK për grup të strukturuar kriminal, do të arrestohej pasditen e 26 gushtit, nja një kilometër larg hyrjes së Konvalishencës. Në fakt, qëllimi i vizitës në këtë kompleks nuk ishte vetëm ngrënia e një dreke, apo kurioziteti që shihnim për herë të parë ambientet e ish-bllokut të nomenklaturës në Durrës.
Arsyeja ishte se, me anë të një lejeje të dhënë në nëntorin e vitit 2023, Ergys Agasi rezultonte pronar i një vile prej 400 metrash katrorë ndërtim brenda Konvalishencës.

Duhet thënë se ky individ ishte shpallur në kërkim që nga fundi i dhjetorit 2025. Një herë u tha se Ergys Agasi ishte jashtë vendit, gjë të cilën e konfirmoi edhe avokati i tij, Maks Haxhia, më 13 janar 2026: “Zoti Agasi, sipas informacioneve që kam edhe nga familja, nuk ndodhet në Shqipëri”.
Pas kësaj, prania e Ergys Agasit u kthye në legjendë. Dikush thoshte se kishte mbërritur në Ekuador, dikush në Dubai, dikush në Afrikë, por askujt nuk mund t’i shkonte mendja se ai që njihje si ‘koordinatori i bandave’ me qeverinë fshihej në një nga vendet më të mbikqyrura në Shqipëri. Më ironike është se disa metra përtej ndodhej edhe stacioni i Policisë së Plazhit, një vend ku Ergys Agasit i duhej të kalonte medoemos kur dilte nga kompleksi.
Vila e Agasit ndodhet jo më shumë se 40 metra në vijë ajrore nga ajo e Ramës. Ngjitur me të është edhe vila e Vangjush Dakos nga perëndimi, ndërsa nga lindja qëndron, siç na bënë me dije, vila e Gëzim Salillarit, një biznesmen shumë i afërt me të majtën, që në kohën e kryeministrit Nano, i arrestuar në Itali për trafik heroine, dhe që për shumë vite ka pasur në pronësi hotelin dhe lokalin e bllokut qeveritar, edhe ky i afërm me Agasin. Zona ka një mbikqyrje të nivelit të lartë dhe me shumë vështirësi arritëm të shkëpusnim një foto të vilës së Ergys Agasit.


A ka qenë blloku qeveritar dhe shërbimi i Gardës që ka mbajtur të fshehur gjatë gjithë kësaj kohe Ergys Agasin?
Në operacionin e fundit të gushtit u arrestua edhe Embro Sulejmani, kryekamarieri dhe administratori i ‘Melisa Restaurant’, nën akuzën se ka fshirë serverat që tregonin takimet e Ergys Agasit në këtë lokal.
Në fakt, siç na u pohua nga djaloshi, që pranoi të fliste nën kushtet e anonimatit, Ergys Agasi takimet i zhvillonte kryesisht brenda vilës, dhe s’ka nevojë për kamera lokali, duke qenë se të tria vilat kanë sisteme shumë të forta sigurie, siç mund ta vini re nga fotoja në fjalë. Faji i vetëm i Embro Sulejmanit ishin porositë për ushqim që i dërgonte Agasit në vilën e tij dhe moskallëzimi i një të kërkuari nga policia.
Por, në rast se do të vihet një i ri nën akuzë për këtë çështje, atëherë për moskallëzim duhet të paditet edhe Garda e Republikës, ndërkohë që duhet të shkarkohet dhe vihet para drejtësisë i gjithë zinxhiri komandues i Policisë së Durrësit.
Por, në këtë histori ka diçka shumë të rëndësishme, që prokuroria apo prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Bledar Maksuti, nuk po na e thonë.
“Pasuria me nr. 47/215, e llojit truall, ndodhur në zonën kadastrale 8518, me sipërfaqe 400 m², me adresë Durrës, Lagjja ‘Plazh 13’; Pasuria me nr. 47/215/ND, e llojit ndërtesë, ndodhur në ZK 8518, me sipërfaqe totale 165 m², me adresë Durrës, Lagjja ‘Plazh 13’”.
Pra, Prokuroria pohon se e ka sekuestruar këtë vilë bashkë me truallin, por jo vetëm që nuk ka arrestuar, por as nuk ka denjuar të marrë në pyetje asnjë prej personave përgjegjës që i kanë hapur rrugën një veprimi të tillë skandaloz. Dhe, ja përse.
Sipas dokumenteve që disponojmë, për t’i dhënë këtë leje Ergys Agasit ka firmosur Edi Rama më datë 18.10.2023. Porositës është Ergys Agasi, ndërsa vila do të ndërtohej nga një firmë nga Xhafzotaj, e quajtur ‘Vezi Group SHPK’, e cila sipas informacioneve ka pasur vetëm rolin e nënkontraktorit, dhe një arkitekte e quajtur Xhilda Mosko.

Por, për dhënien e kësaj lejeje, pra të vilës së Ergys Agasit, janë angazhuar një sërë institucionesh, mes të cilave edhe kryebashkiakja, Emirjana Sako. Me anë të një marrëveshjeje të firmosur prej saj dhe Edi Ramës, ajo ka marrë të gjitha atributet e kryeministrit për t’i hapur rrugën investimit. Por deri më sot, për këtë çështje, nga ana e Prokurorisë nuk janë thirrur as Edi Rama, as Mirela Kumbaro dhe as kryetarja e Bashkisë së Durrësit. Nuk ka asnjë shpjegim nga ana e këtij institucioni se si Ergys Agasi, dhe jo vetëm ai, kanë arritur të bëhen pronarë brenda një prej zonave më të sigurta në vend, që ruhet 24 orë non-stop nga Garda.

Roli i Mirela Kumbaros
Në dokumentin e Rregullores së Veçantë, të hartuar nga Ministria e Turizmit flitet për çdo gjë, por jo për statusin që gëzon ende zona. Pra, nuk thuhet në asnjë moment se është zonë rezidencë qeveritare. Ja se çfarë thotë:
“Sheshi i ndërtimit ndodhet në një sipërfaqe prej 400 m², rreth 4 km larg qendrës së qytetit, në zonën kadastrale 8515, rruga ‘Plazhi 13’.
Përdorimi i tokës në zonën për zhvillim kryesisht i banim i kombinuar me shërbime, që vihet re në praninë e hoteleve të vogla, dhomave të pushimit, bareve, restoranteve njëkatëshe, të cilat funksionojnë kryesisht në periudhën e verës. Këto struktura janë kryesisht të ulëta (1-3 kate) dhe disa prej tyre janë informale”.
Pra, Mirela Kumbaro është kujdesur të na thotë se pasuria ndodhet 4 km nga qendra e Durrësit, se aty qenka përdorur edhe për lokale njëkatëshe dhe ndërtesa për banim, por në asnjë rast nuk thotë se zona ka një regjim të rreptë kontrolli, si është përfituar kjo pronë dhe çfarë statusi ka tani, e të tjera me radhë. Ka ndonjë opinion nga Garda e Republikës për sa i përket perimetrit të sigurisë, dhe sa larg ndodhet kjo nga vilat qeveritare? Nga vëzhgimi ynë, për shembull, vila e Agasit nga ajo e Ramës në vijë ajrore nuk ishte as 50 metra distancë.

Sipërfaqja
Por ka edhe diçka tjetër që nuk shkon në këtë histori. Si SPAK, ashtu edhe në projekt thuhet se sipërfaqja e truallit është 400 metra, ndërsa gjurma e ndërtesës do të ishte 165 metra. Në fakt, nga matjet që ne i bëmë truallit nëpërmjet sistemit ASIG, që është edhe sistemi zyrtar i matjes nga hipoteka, na rezulton se vila së bashku me oborrin, pishinën, garazhet etj. shkon në gati 2000 metra katrorë sipërfaqe.
Ndoshta Prokurorisë së Posaçme i duhet të rishikojë edhe metrat e përvetësuara jashtë kontratës nga ana e Agasit, ose, në rast se Edi Rama, bashkë me Emirjana Sakon dhe Mirela Kumbaron, i kanë dhënë atij sipërfaqe të tjera, dokumente të cilat ne nuk i disponojmë. Ne kemi mundur të sigurojmë një foto nga jashtë të vilës, por gjatë kohës së ndërtimit, me kamera të fshehtë, ka mundur të futet edhe emisioni ‘Xhadat’, ku shihej qartë se përmasat e vilës janë shumë më të mëdha se ato që thuhen në letër.

Eshtë një histori e pastër, në mos korrupsioni, ndikimi tek pushteti, i Ergys Agasit. Dokumenti i paraqitur më lart është i firmosur nga vetë Edi Rama, së bashku me Mirela Kumbaron dhe Emirjana Sakon. Kjo është një leje ndërtimi që s’mund ta marrë kushdo, sepse ajo është një zonë ku s’mund të hyjë çdokush pa një leje të veçantë, e jo më të ndërtosh.
Mund të ketë pasur ndonjë kthim prone aty-këtu, të cilat më pas pronarët i kanë rikonstruktuar, por ndërtim nga fillimi kanë përfituar vetëm personazhet që thamë më lart dhe që janë të lidhur ngushtë me kryeministrin. Ndoshta SPAK, për hir të transparencës, duhet t’i kishte thirrur të tre këta personazhe, ose të na jepte sqarime mbi ligjshmërinë me të cilën është ngritur kjo vilë dhe nëse është pjesë e akuzave. Në këtë material nuk ka asgjë të shtuar apo sajuar, ka vetëm pyetje. A është kjo një marrëdhënie korruptive mes kreut të qeverisë, ministrave dhe krimit të organizuar?
A e ka përdorur me leje të kryeministrit Ergys Agasi bllokun qeveritar për t’u fshehur gjatë kohës që ishte në kërkim? A ka takime mes Ramës, Agasit, Vlora Hysenit e të tjerëve në vilën luksoze? A janë kqyrur kamerat? Kjo vilë përdorej edhe nga Rama apo ishte vetë Agasi që ishte në të? Dhe a është kjo një marrëdhënie e pazakontë mes një ‘koordinatori të krimit të organizuar’ dhe një kryeministri? Rama s’ka për të dhënë ndonjëherë përgjigje për këto pyetje, ndërsa Altin Dumani dhe SPAK janë të vonuar.
…Për të dalë mund të dilje lirisht, por pjesa nga hymë kur erdhëm, ishte bllokuar tashmë. Në postbllok kishin ardhur t’i bënin shoqëri rojës edhe tre apo katër gardistë të tjerë, që bisedonin për diçka duke e shoqëruar me këmbë e me duar. Qëlluam me fat sepse, në momentin që po dilnim, një tjetër familje e kthyen mbrapsht, duke i kujtuar se ishte zonë qeveritare. Sigurisht, për këtë s’kishin dyshime as ata qe donin të hynin…/Politiko.al















