Deputetja e Pavarur e Shqipërisë Marjana Koçeku, vizitë dhe intervistë në ‘RADIO 1’: Rinia, guximi dhe vlerat njerëzore në një shoqëri që ka nevojë të ndryshojë
Deputetja tashmë e Pavarur e Kuvendit të Shqipërisë, dikur Deputete e PS-së, Marjana Koçekun, ka qëndruar për vizitë në ‘RADIO 1’ dhe ‘Njeshi’ në Kosovë, gjegjësisht qendrën e medias tonë në Pejë, me çrast është pritur nga Redakoret përgjegjëse të programit dhe informacionit, Linda Lipa-Gjakova dhe Venera Berisha – Morina.
Me këtë rast, në intervistë, dhënë për ‘RADIO 1’ përballë Venera Berisha – Morinës, Koçeku ka folur hapur mbi qëndrimet dhe vizionin e saj mbi politikën, shoqërinë, përgjegjësinë qytetare dhe sfidat që përballojnë Shqipëria dhe Kosova.
Gjatë bisedës Koçeku, vuri në pah potencialin dhe nevojën që të rinjtë të mos mbeten spektatorë të zhvillimeve shoqërore, por të bëhen pjesë aktive e ndryshimit. U diskutua për guximin për të ngritur zërin, për të sfiduar të zakonshmen dhe për të mos hequr dorë nga bindjet, edhe kur kjo kërkon sakrificë, një vëmendje e veçantë iu kushtua vlerave njerëzore, të cilat duhet të jenë themeli i çdo shoqërie. ‘Ndershmëria, solidariteti, respekti, përgjegjësia dhe dinjiteti njerëzorë, janë bazament i ecjes dhe guximit të shëndosh politik, në përpjekje për të ndryshuar dhe lëvizur gjërat pozitivisht", u shprehë mes tjerash Deputetja shqiptare Marjana Koçeku.
Në reflektimet e saj, Koçeku preku edhe sfidat e shoqërisë shqiptare në të dy anët e kufirit, duke theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit, angazhimit qytetar dhe mbrojtjes së natyrës si përgjegjësi ndaj brezave që vijnë.
Në bisedë u theksua vlerësimi se ndryshimi nuk fillon vetëm nga institucionet, por edhe nga individi, nga guximi për të menduar ndryshe dhe nga vendosmëria për të mbrojtur atë që njeriu beson.
Ndryshe, në qershor të këtij viti, Deputetja e Shkodrës, Marjana Koçeku, ndau rrugët nga Edi Rama dhe Partia Socialiste (PS), për shkak të mospajtimeve me drejtimin e partisë, mungesës së hapësirës për mendim ndryshe dhe qëndrimit të saj ndaj protestave antiqeveritare në Tiranë./RADIO 1&Njeshi/





























