E premte, 20 Nëntor 2026 Takohemi N'vizion deri në 18:00 Në vijim ora 18:00: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 2 minuta më parë
Politikë

“Kam ardhur nga SHBA për t’i shërbyer vendit”, Drejtori i Tatimeve i përgjigjet Spiropalit: Ballukun nuk e kam takuar kurrë personalisht

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, i është përgjigjur akuzave të deputetes socialiste, Elisa Spiropali, lidhur me pretendimet e saj se institucionet shtetërore, me urdhër politik, kanë intimiduar njerëzit e saj të afërt dhe bizneset e tyre.

Në reagimin e tij, Binaj thekson se asnjë nga akuzat e Spiropalit nuk qëndron, duke nënvizuar se ai është kthyer nga SHBA-ja në shtator të vitit 2024 për të dhënë kontributin e tij në Shqipëri.

Po ashtu, Binaj shton se akuzat e Spiropalit se ai merr urdhra nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku nuk qëndrojnë, pasi nuk e ka takuar kurrë personalisht, përveçse në takime publike.

“Nga data 23 shtator 2024, kur kam marrë telefonatën e ministrit të Financave, e deri më sot, nuk e kam takuar kurrë personalisht zonjën Belinda Balluku, përveç takimeve publike për shkak të detyrës”, thekson Binaj.

Reklamë

Në fund të reagimit të tij, Binaj shprehet se Spiropali, si ish-drejtoreshë e Doganave, duhet ta kishte të qartë se presioni dhe intimidimi i administratës publike përbëjnë shkelje të rënda etike dhe ligjore.

Deklaratë publike e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj

Unë jam një qytetar shqiptar që i jam përgjigjur thirrjes për t’i shërbyer vendit pas vitesh në SHBA, ku kam punuar në fushën e auditimit financiar.

Nga data 23 shtator 2024, kur kam marrë telefonatën e ministrit të Financave, e deri më sot, nuk e kam takuar kurrë personalisht zonjën Belinda Balluku, përveç takimeve publike për shkak të detyrës.

Sot kam vendosur të bëj këtë deklarim publik, pas një sulmi mediatik që më ka ardhur, jo për herë të parë, nga deputetja Elisa Spiropali.

Ajo që zonja deputete nuk tha, është se Administrata Tatimore e Republikës së Shqipërisë është vendosur nën një presion të paligjshëm nga deputetja në fjalë dhe bashkëshorti i saj, për llogari të bizneseve familjare.

Administrata Tatimore, në funksion të mbledhjes së të ardhurave dhe luftës ndaj evazionit, ka ushtruar kontrolle në sektorin e ndërtimit, në përputhje me planet e saj strategjike dhe operacionale. Kontrollet e ushtruara, bazuar në analizën e riskut apo denoncimet e qytetarëve, kanë përfshirë edhe subjekte që lidhen me znj. Spiropali.

Rezultatet qartazi nuk janë pëlqyer nga zonja dhe bashkëshorti i saj dhe, si pasojë, janë kërcënuar inspektorët tatimorë, madje edhe familjet e tyre. Për këtë ka fakte të verifikueshme dhe denoncime në organet ligjzbatuese. Procedura është e gjitha e dokumentuar dhe gjetjet e inspektimit janë tejet shqetësuese.

Kontrollet e ushtruara kanë evidentuar dyshime të arsyeshme për evazion tatimor të përmasave të mëdha. Për këtë arsye dhe pa asnjë lloj përjashtimi diskriminues, por sipas procedurave tatimore të ndjekura me të gjithë tatimpaguesit e dyshuar për evazion, dosjet po u referohen organeve ligjzbatuese për veprime të mëtejshme.

I kërkoj znj. Spiropali të mos e përmendë më emrin tim, sepse unë jam një nëpunës i ndershëm i shtetit që nuk merret me politikë dhe nuk lejoj askënd të cenojë dinjitetin tim dhe të familjes sime për shkak të detyrës.

Znj. Spiropali, si ish-drejtoreshë e Doganave, duhet ta kishte të qartë se presioni dhe intimidimi i administratës publike përbëjnë shkelje të rënda etike dhe ligjore.

Dr. Ilir Binaj, CPA, CGMA

Drejtor i Përgjithshëm

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.