E premte, 20 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Pajisjet izraelite që dyshohet se përgjuan SPAK-un, jep dorëheqjen kreu i AKEP-it, Gentian Sala
Lajme

Pajisjet izraelite që dyshohet se përgjuan SPAK-un, jep dorëheqjen kreu i AKEP-it, Gentian Sala

Pajisjet izraelite të instaluara në rrjetet e komunikimeve elektronike në Shqipëri, fillimisht me argumentin e bllokimit të platformës TikTok, janë në qendër të një hetimi të SPAK-ut, pas dyshimeve se janë përdorur edhe për monitorimin e komunikimeve të Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Sipas informacioneve të publikuara, pajisjet e teknologjisë “Deep Packet Inspection” (DPI), të vendosura në rrjetet e Vodafone Albania dhe One Albania gjatë vitit 2025, janë sekuestruar dhe i janë nënshtruar ekspertimit teknik. Burime të cituara në raportimet mediatike pretendojnë se ekspertiza e kryer në Shtetet e Bashkuara ka evidentuar gjurmë të përdorimit të tyre përtej qëllimit fillestar, duke ngritur dyshime për përgjim të strukturave të posaçme të drejtësisë.

Në fokus të hetimeve raportohet se janë ish-drejtuesi i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa, aktualisht në krye të AKSHI-t, si dhe Gentian Sala, i cili drejtonte Këshillin Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP.

Hetuesit po verifikojnë mënyrën se si pajisjet u sollën në Shqipëri, kush autorizoi instalimin e tyre, cilët persona kishin akses administrativ dhe nëse sistemi është përdorur përmes urdhrave verbalë, pa dokumentacion dhe kontroll institucional të dokumentuar.

Në këtë sfond, një zhvillim i ri është shënuar këtë të premte. Gentian Sala ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i AKEP-it. Largimi i tij është zyrtarizuar në Kuvend, ndërsa kanë nisur procedurat për përzgjedhjen e pasardhësit.

Sala ishte emëruar në krye të këtij institucioni në shkurt të vitit 2025 dhe bëhet një prej drejtuesve të parë të institucioneve të pavarura që largohet pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama, i cili rreth një muaj më parë u kishte kërkuar drejtuesve të këtyre institucioneve të konsideronin dorëheqjen.

Deri më tani nuk është bërë publik ndonjë konfirmim zyrtar se largimi i Salës lidhet drejtpërdrejt me hetimin për pajisjet DPI. Megjithatë, dorëheqja e tij vjen në një moment kur roli i AKEP-it në instalimin, administrimin dhe kontrollin e kësaj teknologjie është pjesë e verifikimeve të raportuara për çështjen.

Ndërkohë, mbetet për t’u sqaruar se kush kishte kontrollin real mbi pajisjet dhe nëse teknologjia e përdorur për bllokimin e TikTok-ut është shndërruar në një instrument përgjimi të paligjshëm, duke cenuar edhe komunikimet e institucioneve që hetojnë krimin dhe korrupsionin.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.