Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me rastin e Erion Veliajt, pas kërkesës së tij për t’iu nënshtruar një operacioni për shkak të thyerjes së këmbës.
Sipas institucionit, kryebashkiakut i janë ofruar konsultat dhe ekzaminimet e nevojshme mjekësore, ndërsa ndërhyrja kirurgjikale është programuar të kryhet të hënën, më 23 nëntor, pranë Spitalit Rajonal Memorial Fier.
Të lidhura
None found
Drejtoria e Burgjeve bën me dije se mjekët specialistë e kanë vlerësuar ndërhyrjen si jo urgjente dhe se Veliaj është njoftuar për mundësinë e realizimit të saj në Fier. Po ashtu, theksohet se mjekut të përzgjedhur nga vetë Veliaj i është dhënë mundësia të marrë pjesë në konsultë dhe gjatë operacionit, por ai nuk u paraqit në vizitën e planifikuar për 18 nëntor.
Lidhur me kontrollin e ushtruar në ambientin ku qëndron Veliaj, institucioni sqaron se ai ishte pjesë e një procedure rutinë dhe të planifikuar paraprakisht për verifikimin e masave të sigurisë në disa sektorë të IEVP Fier, duke përfshirë edhe disa dhoma të sektorit të kujdesit shëndetësor, e jo vetëm hapësirën ku ai është akomoduar.
Në njoftimin e plotë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve rikonfirmon angazhimin e saj për të garantuar kujdesin shëndetësor për të gjithë personat nën administrimin e saj, si dhe për të siguruar transparencë ndaj opinionit publik.
Sipas kronologjisë së paraqitur, që nga momenti i pranimit në IEVP Fier, shtetasi E.V. është vizituar nga stafi mjekësor i institucionit, i cili ka konstatuar një dëmtim në kyçin e këmbës. Që atëherë, gjendja shëndetësore është ndjekur vazhdimisht nga strukturat përkatëse, me ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për vlerësim dhe trajtim.
Më 6 nëntor 2026, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me IEVP Fier, mundësoi një konsultë mjekësore brenda ambienteve të institucionit me mjekun specialist ortoped të Spitalit Rajonal Fier, Dr. F.K. Gjatë ekzaminimit fizik, mjeku konstatoi “ngurtësi të kyçit talocrural sinister dhe atrofi muskulare të anësisë interne cruris”, duke rekomanduar ekzaminime të mëtejshme si MRI talocrural sinister dhe radiografi të kavilies së majtë.
Vetëm një ditë më pas, më 7 nëntor 2026, IEVP Fier realizoi ekzaminimet e kërkuara, përfshirë MRI-në dhe radiografinë, si dhe një konsultë me mjekun specialist ortoped turk, M.I., pranë Spitalit Memorial Fier. Në bazë të ekzaminimit radiografik, mjeku specialist rekomandoi ndërhyrje kirurgjikale, duke mos vënë në dukje asnjë element urgjence.
Përgjigjja e ekzaminimit MRI në anglisht mbërriti në IEVP Fier më 9 nëntor 2026, ndërsa përgjigjja përkatëse në shqip u administrua nga Spitali Memorial më 10 nëntor 2026.
Më 12 nëntor 2026, mjeku i IEVP Fier realizoi një konsultim me Dr. F.K., i cili kishte kryer ekzaminimin fillestar. Gjatë komunikimit, mjekut specialist iu vunë në dispozicion përgjigjja e MRI-së dhe disku i realizuar më 7 nëntor. Pas shqyrtimit të dokumentacionit, mjeku specialist shënoi në kartelën klinike se, duke pasur parasysh traumën 11-javore të kyçit talocrural sinister dhe të dhënat e MRI-së së kryer pesë ditë më parë, mendon se duhet realizuar një konsultë dhe trajtim me profesorët në SUT ose në klinika të tjera. Gjithashtu, ai rekomandoi fizioterapi intensive: 10 seanca pasive, 10 seanca aktive dhe 5 seanca koordinimi të të dyjave.
Më 18 nëntor 2026, në ambientet e IEVP Fier, në bashkëpunim me mjekët e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, mjekun e institucionit dhe përfaqësues të Spitalit Memorial Fier, mjekët specialistë ortopedë Dr. A.D. dhe Dr. M.I. kryen një konsultim dhe vlerësim mjekësor të shtetasit E.V. Pas ekzaminimit klinik dhe shqyrtimit të dokumentacionit imazherik, përfshirë radiografinë dhe MRI-në, mjekët rekomanduan një ndërhyrje kirurgjikale jo emergjente, duke konfirmuar mundësinë e realizimit të saj pranë Spitalit Memorial Fier.
Gjatë këtij konsultimi, pacienti nuk shprehu kundërshtime për kryerjen e operacionit në këtë spital, por kërkoi edhe mendimin e mjekut specialist të zgjedhur prej tij. U dakordësua gjithashtu mundësia që mjeku i përzgjedhur nga pacienti të ishte i pranishëm gjatë ndërhyrjes kirurgjikale. Në përfundim të vizitës, pacienti falënderoi ekipin mjekësor për kujdesin e treguar.
Në kuadër të këtij dakordësimi, mjekut të përzgjedhur nga pacienti, konkretisht mjekut A.G., iu krijua mundësia të paraqitej më 18 nëntor 2026 pranë IEVP Fier për të kryer një vizitë mjekësore dhe për t’u njohur me dokumentacionin shëndetësor të Veliajt. Megjithatë, nga verifikimet e bëra rezulton se mjeku i zgjedhur nga zoti Veliaj nuk u paraqit në datën e caktuar.
Më 20 nëntor 2026, pas komunikimit me Spitalin Rajonal Memorial Fier, u konfirmua planifikimi me përparësi i ndërhyrjes kirurgjikale, sipas rekomandimit të Shërbimit të Ortopedi-Traumatologjisë. Nëpërmjet mjekut ortoped Dr. A.D., u përcoll rekomandimi se operacioni për pacientin Erion Veliaj parashikohet të kryhet të hënën, më 23 nëntor 2026, në Spitalin Rajonal Memorial Fier. Për këtë qëllim, pacienti duhet të paraqitet në spital të dielën, më 22 nëntor 2026, për kryerjen e procedurave para operacionit, përfshirë konsultat dhe analizat laboratorike.
Duke qenë se mjeku specialist i përzgjedhur nga pacienti nuk u paraqit në konsultën e 18 nëntorit, mbetet në vlerësimin e pacientit dhe të përfaqësuesve të tij mundësia e pranisë së këtij mjeku më 22 nëntor, gjatë procedurave para operacionit, ose më 23 nëntor, në ditën e planifikuar për ndërhyrjen kirurgjikale pranë Spitalit Rajonal Memorial Fier.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vlerëson se faktet e listuara tregojnë angazhimin e vazhdueshëm institucional për të siguruar konsultat, ekzaminimet, vlerësimet specialistike dhe ndjekjen e duhur mjekësore për shtetasin E.V.
Institucioni nuk ka ndërmend të komentojë motivet e zotit Veliaj apo të hyjë në polemika publike me të. Megjithatë, e sheh të nevojshme t’i sigurojë familjarët dhe opinionin publik se zoti Veliaj ka marrë dhe do të vazhdojë të marrë të gjithë kujdesin e nevojshëm shëndetësor, me respekt të plotë për dinjitetin dhe të drejtat e tij.
Drejtoria e Burgjeve thekson se Erion Veliaj është një prej 4,227 personave të paraburgosur dhe të dënuar që administrohen në sistemin penitenciar. Sigurimi i shërbimit të kujdesit shëndetësor për personat e privuar nga liria përbën një detyrim ligjor dhe një përgjegjësi të drejtpërdrejtë menaxheriale, në përputhje me ligjin nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”. Sipas këtij kuadri ligjor, kujdesi shëndetësor garantohet në radhë të parë përmes sistemit të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor dhe mekanizmave të tjerë të parashikuar. DPB ka përgjegjësinë të sigurojë akses në shërbimet shëndetësore, konsultat me specialistë, ekzaminimet dhe trajtimet e nevojshme për çdo person, pa asnjë dallim dhe me respekt të plotë për të drejtat e njeriut.
Kufizimi i lirisë, i vendosur në përputhje me ligjin, nuk nënkupton në asnjë rast kufizimin e së drejtës për kujdes shëndetësor dhe trajtim dinjitoz. Ky është një detyrim ligjor dhe njerëzor që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do të vazhdojë ta përmbushë me përgjegjësi, si për zotin Veliaj, ashtu edhe për çdo person tjetër në institucionet e saj.
Lidhur me pretendimet për ushtrimin e një kontrolli në ambientet ku qëndron Veliaj, DPB sqaron se pranë IEVP Fier është zhvilluar një kontroll për verifikimin e elementeve të sigurisë në disa sektorë të institucionit, si pjesë e procedurave rutinë dhe në zbatim të një planifikimi të mëparshëm. Ky kontroll ka përfshirë edhe sektorin e kujdesit shëndetësor, ku aktualisht ndodhet Veliaj, si pjesë e kontrolleve të kryera në disa dhoma të këtij sektori, dhe jo vetëm në dhomën e tij. Bëhet fjalë për një procedurë standarde sigurie, e planifikuar dhe e zbatuar në përputhje me praktikat e punës së institucionit.








