Një pilulë që mund të zvogëlojë dhe ndoshta të eliminojë tumoret e pankreasit po cilësohet si përparimi më i madh prej dekadash për trajtimin e kësaj forme kanceri.
Në një nga çdo 12 pacientë që morën ilaçin daraxonrasib gjatë një studimi klinik, kanceri u kthye në të padallueshëm, ndërsa tumoret ndaluan së rrituri në pothuajse të gjithë 61 pacientët pjesëmarrës në studim. Pjesëmarrësit ishin diagnostikuar kohët e fundit me kancer të avancuar të pankreasit, i cili ishte përhapur edhe në pjesë të tjera të trupit.
Megjithëse mjekët kanë deklaruar se kjo pilulë nuk mund të konsiderohet ende një kurë dhe se nuk dihet se për sa kohë mund ta mbajë sëmundjen nën kontroll, rezultatet konsiderohen inkurajuese. Trajtimi mund t'u ofrojë pacientëve më shumë kohë për të jetuar, edhe nëse nuk arrin të shkaktojë zhdukjen e plotë të kancerit.
Gjysma e të gjithë personave të diagnostikuar me kancer të pankreasit humbin jetën brenda tre muajve, ndërsa vetëm rreth 3% e pacientëve mbijetojnë për pesë vjet kur sëmundja përhapet në organe të tjera. Kanceri i pankreasit konsiderohet me shifrat më të ulëta të shërimit në nivel global.
Gjatë studimit, pacientët u ndoqën mesatarisht për një vit e gjysmë dhe disa prej tyre nuk patën rikthim të kancerit gjatë kësaj periudhe. Do të kryhen studime më afatgjata për të parë nëse disa prej tumoreve mund të arrijnë remisionin, pra zhdukjen ose kontrollin e plotë të shenjave të sëmundjes.
Gjatë studimit, tumoret ndaluan së rrituri në 90% të pacientëve. Pak më shumë se 60% e pacientëve patën zvogëlim ose zhdukje të tumoreve, ndërsa në rreth 8% të rasteve tumoret nuk mund të dalloheshin më në skanimet CT.
Një vit pas fillimit të trajtimit, 76.6% e pacientëve ishin ende gjallë. Në mënyrë të zakonshme, vetëm 40–45% e pacientëve që trajtohen vetëm me kimioterapi mbijetojnë pas një viti.
Daraxonrasib është një trajtim që vepron duke frenuar proteinën KRAS. Ai lidhet me disa mutacione të caktuara dhe i bllokon ato, duke ndërprerë aktivitetin e tyre. Këto mutacione gjenden në shumicën e rasteve të kancerit të pankreasit dhe luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen e tumoreve.
Ka shpresë se ky trajtim mund të jetë efektiv edhe për dhjetëra lloje të tjera kanceri, pasi edhe ato mund të kenë mutacione të ngjashme.
Komente
Komento