Friday / November 20 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Life Style Udhetim

IA po ndryshon mënyrën si rezervohen udhëtimet

Share Share Icon

Inteligjenca artificiale po bëhet pikënisja për kërkimin dhe planifikimin e udhëtimeve, ndërsa disa udhëtarë po e përdorin edhe për të rezervuar.

Për t’iu përgjigjur këtij ndryshimi, Booking Holdings po bashkon shërbimet e Booking.com dhe Agoda për partnerët e biznesit në një divizion të ri.

Njësia do të nisë punën në janar dhe synon t’u mundësojë bankave, linjave ajrore dhe agjencive online të ofrojnë rezervime nën markën e tyre, me teknologjinë e Booking. Grupi planifikon t’u ofrojë partnerëve edhe një asistent me IA të specializuar për udhëtimet.

Divizioni, i quajtur Booking Partner Division, do të bashkojë Booking.com Strategic Partnerships me Rocket Travel by Agoda dhe do të drejtohet nga drejtori ekzekutiv i Agoda-s, Omri Morgenshtern.

Partnerët do të mund ta integrojnë ofertën globale të Booking në aplikacionet e tyre ose të përdorin platformat e grupit për të ofruar rezervime nën markën e vet. Njësia do të merret edhe me shpërndarjen e tarifave të zinxhirëve hotelierë përmes partnerëve.

Sipas Booking Holdings, oferta përfshin mbi 4,7 milionë prona, 33 milionë listime akomodimi, më shumë se 500 linja ajrore dhe mbi 200 kompani të makinave me qira.

Morgenshtern tha se bashkimi i ekipeve të zhvillimit të produkteve dhe të shitjeve mund ta ndihmojë grupin të përmirësojë shërbimet për partnerët ekzistues dhe të tërheqë të rinj.

Ai e vlerësoi tregun potencial në 2 trilionë dollarë. Booking Holdings ende nuk ka bërë publike sa pret të kontribuojë divizioni në të ardhurat dhe fitimin e grupit.

Rivalja Expedia Group nisi në vitin 2022 t’ua ofronte teknologjinë e saj partnerëve që kërkonin të shtonin rezervimet e udhëtimeve në shërbimet e tyre.

Nga viti 2018 deri në vitin 2023, të ardhurat e segmentit të shitjeve për bizneset (B2B) u rritën mesatarisht me 16% në vit, ndërsa EBITDA e rregulluar u rrit me 28% në vit.

Në vitin 2025, të ardhurat e segmentit u rritën me 18%, në 4,8 miliardë dollarë, dhe EBITDA e rregulluar u rrit me 22%, në 1,26 miliardë dollarë. Segmenti siguroi rreth një të tretën e të ardhurave të Expedia-s dhe mbi një të tretën e EBITDA-s së rregulluar të grupit.

Agjencitë online të udhëtimit janë nën presion këtë vit, ndërsa investitorët po vlerësojnë se si IA-ja mund të ndryshojë kërkimin dhe rezervimin e udhëtimeve.

Për hotelet dhe ofruesit e aktiviteteve turistike, prania në platformat e IA-së po merr rëndësi teksa udhëtarët po i përdorin ato që në fazën e planifikimit.

Drejtori ekzekutiv i Disney-t, Josh D’Amaro, tha se vizitorët tashmë i përdorin këto mjete për të zbuluar dhe planifikuar udhëtime në destinacionet e Disney-t.

Disa i përdorin edhe për rezervime. Kompania po shqyrton mënyra që klientët të rezervojnë drejtpërdrejt nga këto platforma.

Booking planifikon t’u ofrojë partnerëve një asistent me IA të specializuar për udhëtimet, duke përdorur ekspertizën e kompanisë dhe duke mbajtur të ulët koston e përpunimit të kërkesave.

Sipas Morgenshtern, asistenti duhet të përballojë edhe fluksin e lartë të kërkesave kur udhëtimet ndërpriten dhe shumë klientë kanë nevojë për ndihmë njëkohësisht. / CNBC

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

“Pasaportat më të lumtura në botë”, vendet europiane kryesojnë indeksin e ri

Një pasaportë e fuqishme mund t’ju japë më shumë mundësi për të udhëtuar jashtë vendit, por a ndikon ajo në jetën tuaj të përditshme? Për ta zbulua...

4 days më parë 2 Min Lexim

Ku të udhëtoni në Europë në vitin 2027? Shqipëria mes destinacioneve në rritje

Shqipëria renditet mes destinacioneve europiane që pritet të fitojnë më shumë popullaritet në vitin 2027, sipas parashikimeve të industrisë së udhë...

5 days më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!