Fermerët e ullirit këtë vit kanë prodhim, por nuk gjejnë çmim të mjaftueshëm për t’i mbuluar kostot e punës. Një litër vaj ulliri po shitet me 4 500 lekë të reja, çmim që, sipas fermerëve, nuk mbulon kostot e prodhimit dhe është i papërshtatshëm krahasuar me koston e kolegëve në rajon. Çmimi i ulët vendor nuk tërheq blerës të mëdhenj; pronarët e marketeve preferojnë të importojnë vaj, duke lënë produktin “Made in Albania” në disavantazh.
Përballë kësaj krize tregtare, Shoqata e Prodhuesve të Vajit të Ullirit (AFI) kërkon ndërhyrje nga autoritetet. AFI kërkon ndër të tjera që dogana shqiptare të marrë masa ndaj vajit të importuar dhe kërkon “marrjen e masës së menjëhershme të ndalimit të vajit të ullirit deri në fund të janarit”. Fermerët po ashtu kërkojnë rregulla në tregti: “Fermerët e ullirit gjithashtu kërkojnë që të vendosen rregulla edhe në tregti”.
Një tjetër kërkesë e përfshirë në deklaratë është detyrimi për subjekte që kanë marrë mbështetje publike ose lehtësira fiskale kohët e fundit. Sipas tekstit të propozuar, “Të gjitha subjektet që kanë marrë mbështetje nga fondet publike në 5 vitet e fundit nga AZHBR-ja apo kanë marrë lehtësira fiskale si investitorë strategjikë etj., kanë detyrimin që deri në muajin qershor të blejnë vetëm vaj ulliri shqiptar të certifikuar sipas skemës së ndërtuar nga Ministria e Bujqësisë”. Për mosrespektimin e këtij rregulli parashikohen dy masa: për çdo blerje të vajit me origjinë jo shqiptare do të aplikohet “një tarifë e barabartë me vlerën e blerjes së vajit të ullirit me origjinë jo shqiptare”, dhe subjektet që nuk zbatojnë masën emergjente “do të përjashtohen për 5 vjet nga çdo aplikim për marrjen e fondeve nga AZHBR-ja apo përfitimin e lehtësirave të tjera fiskale në kuadër të legjislacionit nxitës turistik.”
Në fund të deklaratës, AFI kërkon nga Ministria e Bujqësisë ngritjen e një task-force të përbërë nga fermerë të ullirit. Sipas fermerëve, nëse qeveria nuk ndërhyn për të mbështetur prodhuesit, ata do të jenë të detyruar të braktisin tokat shekullore të ullirit.

