Befason Nelson Hysa: Do përballesha me Tyson Fury-n në Dublin, ja pse dështoi dueli

Boksieri shqiptar Nelson Hysa ka zbuluar një prapaskenë interesante nga karriera e tij, duke treguar se kishte qenë shumë pranë një përballjeje me njërin prej emrave më të mëdhenj të boksit botëror, Tyson Fury.
Në një rrëfim për “talkSPORT”, shkodrani tregon se palët kishin arritur marrëveshjen për një duel që ishte planifikuar të zhvillohej më 1 gusht në Dublin. Sipas tij, negociatat kishin përfunduar me sukses dhe kontratat ishin firmosur nga të dyja palët.
Përballja do t’i shërbente Fury-t si një test përgatitor përpara duelit të shumëpritur me Anthony Joshua-n. Megjithatë, britaniku ndryshoi planet dhe zgjodhi të boksonte kundër polakut Mariusz Wach në Tajlandë, duke bërë që dueli me Hysajn të mos realizohej.
“Ne kishim rënë dakord për gjithçka me ekipet. Por Tyson vendosi të mos e zhvillonte ndeshjen në Irlandë. Ne e pranuam përballjen dhe nënshkruam kontratat, por ata ndryshuan mendje”, rrëfen Hysa.
Pavarësisht kësaj mundësie të humbur, boksierin shqiptar e pret një sfidë e rëndësishme. Më 28 nëntor, në Dyseldorf të Gjermanisë, ai do të përballet me Agit Kabayel në një duel për titullin botëror të peshave të rënda në versionin WBC.




