“Në 2005 nuk zgjodhëm trashëgimtar, por më të mirin mes nesh”, Braçe në “Shqipëria Live”: Drejtuesi del me votë. Spiropali? Ka të drejtë të flasë, jam kundër përjashtimeve

20/11/2026 13:56

Deputeti socialist Erion Braçe, i ftuar në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ka folur për gjendjen shëndetësore të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe debatet e fundit brenda Partisë Socialiste .

Për Veliajn, Braçe u shpreh se shërbimi mjekësor nuk mund t’i mohohet askujt.

“Mendoj se Veliaj ka nevojë për shërbim akut shëndetësor dhe nuk mund t’i mohohet askujt”, deklaroi ai.

Duke komentuar debatet në Asamblenë e PS-së, Braçe tha se nuk i kishte pëlqyer ajo që kishte ndodhur gjatë mbledhjes, si në pjesën me dyer të mbyllura, ashtu edhe në atë me dyer të hapura. Ai kërkoi më shumë përfshirje të socialistëve në vendimmarrje përmes votës, duke theksuar se aktualisht anëtarët e partisë njoftohen për vendimet që merren në emër të tyre.

“Kemi pasur probleme kohë pas kohe brenda PS-së me kulturën demokratike, por kjo kurohet, se na kushton më pak kurimi i të qejfmbeturve nga gara sesa mohimi i të gjithë socialistëve për të zgjedhur me votë”, u shpreh deputeti socialist.

I pyetur për qëndrimet e Elisa Spiropalit, Braçe tha se ajo ka të drejtë të shprehë mendimet e saj. Megjithatë, ai theksoi se anëtarësimi në forumet drejtuese të një partie shoqërohet me detyrimin për t’iu nënshtruar disiplinës partiake.

“Në momentin që je brenda forumeve të çdo partie, një pjesë e lirisë tënde humbet, se i nënshtrohesh disiplinës partiake”, deklaroi Braçe, duke shtuar se është kundër përjashtimeve nga partia, përveç rasteve kur ato janë të arsyetuara.

Deputeti socialist u pyet edhe nëse kryeministri Edi Rama është i zëvendësueshëm në drejtimin e PS-së.

“Patjetër, kush nuk është i zëvendësueshëm?”, u përgjigj Braçe.

Ai kundërshtoi konceptin e trashëgimtarit në drejtimin e një partie, duke iu referuar zgjedhjes së kryetarit të PS-së në vitin 2005.

“Në 2005 ne nuk zgjodhëm trashëgimtar, por zgjodhëm më të mirin mes nesh me votë dhe na shkoi mbarë”, tha Braçe.

Në përfundim, deputeti socialist u shpreh se nuk është i kënaqur me situatën aktuale në PS, por theksoi se ndryshimet mund të bëhen edhe pa largime nga partia.

“Prandaj i dua të gjithë brenda, nuk i dua jashtë”, deklaroi ai.

Pjesë nga intervista e Erion Braçes në “Shqipëria live”:

Gjoni: Jam kurioze t’ju pyes për situatën aktuale të PS, kur një mbrëmje më parë dëgjoj zonjën Elisa Spiropali të flasë me emër dhe mbiemër, duke cilësuar zonjën Belinda Balluku “modeli më i keq i qeverisjes së PS”. Sot dëgjoj Veliajn që thotë “kryeministri është kot, vendos ai”. A janë këto mendime individuale që vijnë në momentin që këta persona ndjenë se po u cenohet posti apo është mendim i një grupi brenda PS, qoftë ai i madh apo i vogël?

Braçe: Me thënë të drejtën unë nuk dua ta mendoj kështu siç ju e shtruat. Unë mendoj se zoti Veliaj ka nevojë akute shëndetësore dhe duhet t’i plotësohet si çdo qytetari tjetër të Republikës së Shqipërisë që prezumohet i pafajshëm nga dita 1. Nga dita 1 e ngritjes së akuzës, arrestimit e kështu me radhë, edhe deri ditën që Gjykata do e shpallë të fajshëm. Por edhe i fajshëm, shërbimi shëndetësor nuk i mohohet askujt.

Ndërkohë që unë mendoj që liria dhe sidomos liria e shprehjes është një drejtë e fituar që në vitin 1990. E nuk bën përjashtime as Partia Socialiste në raport me këtë të drejtë.

Tani, në momentin që je brenda forumeve të PS apo çdo partie, duhet ta kuptojë cilido që një pjesë e lirisë tende humbet. Sepse i nënshtrohet rregullave të brendshme dhe patjetër edhe disiplinës partiake. Por edhe një marrëdhënie njerëzore me shokët, me kolegët, me gjithkënd që është aty brenda.

Unë e kam thënë shumë qartë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS, që unë jam kundër përjashtimeve nga partia, nga forumet e kështu me radhë. Edhe pse forumi ka të drejtën e tij që të zgjedhë kë ka brenda e kë duhet të nxjerrë jashtë, por me arsye gjithmonë. Por po e përsëris, në momentin që je aty brenda ke të gjitha këto detyrime, por kur je jashtë fiton të plotë lirinë e vet.  Këtë kisha parasysh kur thashë që “unë nuk jetoj dot në një ambient ku përjashtohen anëtarë, kontributorë”.

Gjoni: A po ndjeni ju se në PS po krijohet një ambient i këtij lloji?

Braçe: Ende jo, pavarësisht se shenjat janë të qarta. Unë mendoj se unë e kam lirinë për të thënë atë që mendoj brenda Partisë Socialiste, të kundërshtoj atë që mendoj që është gabim. E natyrisht të vazhdoj të kontribuoj që PS të vijojë të funksionojë si një instrument politik, publik, në dorë të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, për të përmirësuar jetën e tyre. Se ky është qëllimi i një partie politike, kështu të paktën mendoj unë.

Qëllimi final i një force politike, për më tepër i një force politike siç Partia Socialiste është, të arrijë objektiva të qenësishme që përmirësojnë jetën e njerëzve. Prandaj kam folur kaq gjatë, gjatë gjithë kësaj periudhe për buxhetin, për paketën fiskale, për fondet publike, për shtyllën sociale e për gjithçka tjetër.

Gjoni: Në Partinë Socialiste ka shumë tema dhe debate të tjera të hapura dhe jo paqëllim ju pyeta, duke dëgjuar zonjën Spiropali, a mendoni se janë mendime individuale apo në PS ka persona që mendojnë njësoj si ajo? Në gjykimin tuaj.

Braçe: Me thënë të drejtën unë nuk kam bërë ndonjë sondazh. Në mbledhjen e fundit të Asamblesë ishim 2-3 persona që folëm, aq. Nuk kishte më shumë se sa kaq. Unë vazhdoj të besoj se zonja Spiropali ka gjithë të drejtën të thotë opinionin e vet, për më tepër që tani ka fituar lirinë e saj, patjetër që është e lirë të thotë çfarë mendon dhe si e mendon.

Gjoni: Pse mendoni se e rifitoi sot lirinë?

Braçe: Pikërisht për atë arsye që ju thashë, kur je brenda forumeve dhe duhet ta kuptoni këtë gjë. Se këtë më thonin edhe mua, kur ishe zëvendëskryeministër pse nuk flisje ti. Kam folur. Edhe në atë kohë kam folur, kam folur brenda partisë, kam folur brenda qeverisë, kam folur në mbledhjet grupit parlamentar të PS. Siç edhe në harkun e këtij viti, nga muaji shkurt kur filluan mbledhjet e përbashkëta të grupit parlamentar të PS me qeverinë. Kam folur dhe kam thënë gjëra që me thënë të drejtën nuk i kam ndarë me publikun, por që janë shqetësime madhore dhe që duhen adresuar, sepse nuk janë adresuar ende. Dhe ai sherri i bërë në një mbledhje të fundit e ndërpreu me thikë këtë lloj komunikimi. Për të adresuar problematike dhe për të zgjidhur, e për të ndryshuar qasje qoftë në qeverisje të Shqipërisë, qoftë dhe në qeverisje të PS. Kam folur shumë gjatë për mënyrën se si është krijuar një kast që konsiderohet drejtorokraci dhe më vjen mirë që do të kalojnë të gjithë në sitë. Më në fund, për meritën e tyre, për profesionalizmin e tyre, për arritjet e tyre. Le tu hapë rrugë edhe të tjerëve. Ashtu siç kam folur për nevojën që ka PS, jo Erion Braçe, për të ndryshuar mënyrën e marrjes së vendimeve për socialistët, për simpatizantët.

Gjoni: Një moment, se ajo që zonja Spiropali tha mbrëmë është se kush vendoste drejtorët, kryetarët, e të tjerë me radhë. Pse i besoni ju sot sitës që do të bëhet për përzgjedhjen e këtyre drejtorëve?

Braçe: Unë i besoj procesit.

Gjoni: Cilit proces, atij që ju e kërkuar edhe për emrin e kandidatit për Bashkinë e Tiranës dhe nuk iu ofrua?

Braçe: Ta shohim. Edhe pse unë mendoj se koha ka ikur, por këtë të dytën ta shohim. Unë mendoj se sa i takon drejtuesve në nivele të ndryshe të shtetit, kemi hyrë në një fazë të re, që është faza e negociatave me BE dhe zbatimit të atyre detyrimeve që ne kemi marrë sipas kapitujve.

Braçe: Trajtimi i burimeve njerëzore , trajtimi i administratës publike, i administratës civile ka hyrë komplet në një kontekst tjetër. Duhet ti qëndrojmë sepse vijojmë të jemi në monitorim. Dhe për kapitujt që janë në negocim jemi në stër monitorim. Por edhe për kapitujt që kemi negociuar jemi në monitorim të vazhdueshëm, për zbatimin e atyre angazhimeve që kemi marrë. Ndërkohë që brenda PS na duhet pastaj një gjë komplet tjetër. Edhe në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare vazhdoi praktika e njoftimeve. Unë nuk dua të hap asnjë lloj polemike. Por meqë e thashë aty brenda dhe nga aty brenda kanë dalë një mori gjërash përjashta, një pjesë të rreme, një pjesë gjysmë të rreme, një pjesë edhe të vërteta, po e them siç e kam thënë dhe e kam kërkuar.

Gjoni: Si e thatë?

Braçe: Duhet që socialistët të përfshihen, të mos ndihen më të lënë mënjanë. Socialistët të mos ndihen më si njerëz që bëjnë pyetje dhe nuk marrin përgjigje. Socialistët të mos ndihen më si njerëz që nuk janë pjesë e debateve të brendshme të PS. Të mos ndihen më si jo vendimmarrës, po si njerëz që marrin thjesht njoftime në një mur Asambleje apo kryesie që ka mbi një vit që nuk mblidhet. Pra të mos ndihen më të tillë, por të jenë të përfshirë deri në vendimmarrje përmes votës. Ne kemi patur kohë pas kohe probleme brenda partisë socialiste me kulturën demokratike, jo gjithkush që ka qenë pjesë e një gare ka pranuar rezultatin. Po kjo kurohet, sepse na merr shumë më pak kohë dhe kushton më pak kurimi i qejf mbetjeve të humbësve nga gara se sa mohimi i të drejtës së gjithë socialistëve për të zgjedhur me votë, për të vendosur me votë, për të qenë pjesë e vendimmarrjes në partinë e tyre. A e kuptoni se ne sot njoftohemi, njoftohen dhe socialistët për vendime që merren në emër të tyre. E unë mendoj se kjo është nevoja e socialistëve, jo e Erion Braçes për të konfirmuar veten brenda PS përmes votës. Nuk e kam fare këtë lloj ambicie.

Gjoni: Për sa kohë që ekzistojnë këto lloj problematikash brenda për brenda partisë, pse në Asamble ju thoni se folët 2-3 vetë, a nuk shqetësohen të tjerët?

Braçe: Unë mendoj se është shqetësim i të gjithëve ky, nuk është shqetësimi im personal. Unë e kam ndjerë këtë nga çfarë takoj socialistë dhe jo vetëm në gjithë Tiranën. Unë mendoj se kështu është në çdo degë të PS-së të Shqipërisë, nevoja që socialistët të bëhen pjesë dhe të përfshihen, të energjizohen përmes kësaj forme, jo përmes atyre fushatave që ne bëjmë kohë pas kohe për anëtarësimet e reja. Ato vlejnë, patjetër që duhen elementë të rinj në PS, të sjellin energji tjetër. Ama, nëse ata vijnë dhe trajtohen njësoj siç po trajtohet pjesa aktuale në PS, atëherë çfarë fituam?!

Gjoni: A druheni ju që kush mendon ndryshe rrezikon të përjashtohet nga PS-ja pas asaj që patë në Asamble?

Braçe: Jo, nuk mendoj kështu, nuk mendoj kështu. Edhe pse ajo që ndodhi në Asamble mua nuk më pëlqeu. As pjesa me dyer të mbyllura, as pjesa me dyer të hapura. Mendoj se kemi nevojë për më shumë dialog, diskutim, mirëkuptim me njëri-tjetrin, patjetër edhe për kundërshti, për empati, për garë e konkurrencë të shëndetshme, jo kush do të jetë trashëgimtari. Se, me thënë të drejtën, koncepti i trashëgimtarit në demokraci, brenda një force politike, nuk funksionon. Tani të hysh në konflikt pikërisht për këtë element, do jem unë, s’do jem unë trashëgimtari, kjo nuk më vlen. Në 2005-n ne nuk zgjodhëm trashëgimtarë, por më të mirin midis nesh me votë, për të drejtuar PS-në… Dhe na shkoi mbarë.

Gjoni: A është ai i zëvendësueshëm?

Braçe: Patjetër, kush nuk është i zëvendësueshëm?!

Gjoni: Ose të ndryshojë, ose të ikë, tha kolegia juaj Spiropali. A ndani të njëjtin mendim, a duhet të ndryshojë kreu i partisë qasje?

Braçe: Ti e di shumë mirë, unë jam bardhë e zi, por nuk funksionoj brenda një force politike bardhë e zi, ka ngjyra plot. Patjetër ka gjëra që nuk më pëlqejnë. Mund të them që në kushtet që ndodhemi sot, mua nuk më pëlqen situata në PS, apo ashtu siç nuk më ka pëlqyer situata në Tiranë. Është një qytet që nuk më pëlqen. Tani unë nuk jam as Paolo Borsellino, as gjyqtar, as hero. Por ka një shprehje shumë të bukur ai: Palermo nuk më pëlqente, as më pëlqen, por mësova ta dua sepse kjo është dashuria. T’i duash gjërat për t’i ndryshuar.

Gjoni: Pra, ju thoni se mund të ndryshojë pa ikur?

Braçe: Patjetër, si ka ndryshuar edhe më parë, pa ikur ka ndryshuar, prandaj unë i dua të gjithë brenda, nuk i dua jashtë.

 

Top Channel