Gati 600 gra janë vrarë në Afrikën e Jugut vetëm gjatë tre muajve të fundit, duke rikthyer në vëmendje përmasat alarmante të dhunës me bazë gjinore në këtë vend. Sipas statistikave më të fundit të publikuara nga autoritetet, 581 gra janë vrarë nga korriku deri në shtator, mes tyre edhe 13 gra, trupat e të cilave u gjetën të dëmtuara, me shenja dhune dhe pjesërisht të zhveshura në hapësira publike në zonën e Johanesburgut.
Vrasjet e 13 grave shkaktuan zemërim të madh në mbarë vendin dhe ushtruan presion mbi policinë për identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Ndërkohë, një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar në provincën Free State, ku pesë gra dhe një fëmijë i mitur u vranë me armë zjarri në fillim të kësaj jave.
Sipas të dhënave zyrtare, nga 581 gratë e vrara në të gjithë vendin, 131 prej tyre janë regjistruar në provincën Gauteng, ku ndodhet edhe Johanesburgu. Statistikat tregojnë gjithashtu një rënie të lehtë të numrit të përgjithshëm të vrasjeve, me 5590 viktima gjatë periudhës korrik-shtator, 204 më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, kjo shifër përkthehet në rreth 60 vrasje çdo ditë.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse numri i grave të vrara është rritur apo ka pësuar rënie, pasi policia kishte ndërprerë publikimin e këtyre të dhënave për shkak të asaj që e cilësoi si “mospërputhje të konsiderueshme” në statistika. Ministri në detyrë i Policisë, Firoz Cachalia, bëri thirrje për përpjekje më të mëdha në parandalimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve.
Ndërkohë, lidhur me masakrën e fundit në provincën Free State, policia bëri të ditur se tre persona të maskuar hapën zjarr ndaj një familjeje në lagjen Botshabelo, të mërkurën në mbrëmje. Autorët dyshohet se po kërkonin pronarin e banesës dhe, pasi mësuan se ai nuk ndodhej aty, hynë me forcë dhe qëlluan personat që ndodheshin brenda. Bashkëshortja e pronarit u plagos në bark dhe u dërgua në spital. Deri më tani nuk ka persona të arrestuar.
Sa i përket vrasjeve të 13 grave në zonën e Johanesburgut, drejtuesi i policisë së provincës Gauteng, Tommy Mthombeni, njoftoi se deri tani janë arrestuar tetë persona. Tre prej arrestimeve lidhen me vrasjen e Elizabeth Moselakgomo, 38 vjeçe, e cila u zhduk gjatë vrapit të përditshëm pranë banesës së saj në Kempton Park. Trupi i saj u gjet më 12 shtator, me shenja të rënda dhune dhe pjesërisht e zhveshur.
Dy persona të tjerë janë ndaluar në lidhje me vdekjen e 33-vjeçares Jabulile Ntimba, trupi i së cilës u gjet gjysmë i zhveshur dhe i mbështjellë me një çarçaf në anë të një rruge në Boksburg, më 17 shtator. Ajo ishte viktima e nëntë e gjetur në rajonin Ekurhuleni.
Policia bëri gjithashtu të ditur se një person tjetër është arrestuar për një prej rasteve në Kempton Park, ndërsa një i dyshuar është vënë në pranga për vrasjen e Ntombifuthi Nxumalo. Trupi i kësaj të fundit u gjet në një varrezë në Tembisa, më 26 shtator, e zhveshur dhe me dëmtime të rënda në kokë. Pranë saj u gjetën edhe gurë.
Një tjetër arrestim ishte kryer që në korrik, lidhur me vrasjen e Busisiue Mahlangu, trupi i së cilës u gjet në Kempton Park më 15 korrik. Ky ishte rasti i parë i 13 trupave të zbuluar në këtë zonë.
Pas ngjarjeve që tronditën opinionin publik, presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, u zotua në shtator se autoritetet nuk do të lënë “asnjë gur pa lëvizur” për të zbardhur vrasjet dhe për të çuar përgjegjësit përpara drejtësisë. Vitin e kaluar, ai e kishte shpallur dhunën ndaj grave një “katastrofë kombëtare”.