Egnatia pësoi humbje 1-0 ndaj Skënderbeut në Korçë, në sfidën e javës së 12-të të Superiores. Pas përfundimit të takimit, trajneri i rrogozhinasve, Nevil Dede, dha deklaratën e tij për mediat.
“A ndikoi goli i hershëm dhe kartoni i kuq? Nuk arritëm të futeshim në lojë, që në fillim ishim ende në udhëtim. Nuk jemi makineri që ndezen me buton. Ishte një ditë jo për ne. Rrallë gabojmë atje, por ja që ndodhi. Ritmi ishte i ulët, me shumë ndërprerje. Pastaj edhe kartoni i Aleksit na penalizoi. U përpoqëm të bënim zgjedhjet tona dhe të menaxhonim energjitë, sepse kemi edhe gara të tjera përpara”, u shpreh fillimisht Dede.
Të lidhura
None found
Lidhur me atë që nuk i pëlqeu në pjesën e parë, trajneri vijoi: “Nuk u ambientuam dot as me nivelin e fushës, por kjo nuk na dëmtoi plotësisht. Kemi pasur ritëm të ulët. Kur terreni nuk të lejon të luash, nuk arrin të hysh në ritëm. Djemtë u përpoqën të tregonin diçka, por mendërisht nuk ishin të pranishëm në këtë ndeshje. U munduam maksimalisht. Të gjithë gëzohen kur na godasin dhe na mundin. Askush nuk është i pavdekshëm. Nuk ia dolëm dot. Diçka nuk shkoi ashtu siç e kishim parashikuar”.
Për rastin e golit të shënuar nga Lagodinis, Dede tha: “Në mënyrën si markojmë, kemi një regjim tjetër. Ne jemi miks në zonë. Ai që markon duhet ta nxjerrë topin jashtë trajektores. Gabuam si grup, jo individualisht. Gabimet janë kolektive, kjo është filozofia ime e lojës”.
Sa i përket tri humbjeve në transfertë pa shënuar asnjë gol dhe nëse kjo e shqetëson para Conference League, ai u përgjigj: “Aspak. Kemi humbur edhe ndeshje të tjera më parë. Do të ketë edhe ditë të këqija si kjo e sotmja. Djemtë dëshmuan se nuk bëjnë kurrë dy”.
Në fund, Dede shtoi: “Më i rëndësishëm është kampionati. Duhet të pranojmë pamundësinë tonë për nivelin tim. Shkaqe gjejmë pa fund, por më mirë të shohim te vetja”.








