KEK-u dhe sindikatat arrijnë marrëveshje, punonjësit do të përfitojnë bonus prej 800 eurosh

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe dy organizatat sindikale, SR-KEK dhe SPEK, kanë arritur marrëveshje që të gjithë punonjësit e korporatës të përfitojnë bonus në vlerë prej 800 eurosh neto.
Sipas njoftimit të KEK-ut, marrëveshja është arritur pas një takimi të përbashkët ndërmjet Bordit të Drejtorëve, Menaxhmentit të Korporatës dhe përfaqësuesve të dy sindikatave.
Bonusi prej 800 eurosh do të ndahet në dy faza: 500 euro neto do të paguhen në mesin e muajit dhjetor 2026, ndërsa 300 eurot e tjera në mesin e muajit maj 2027.
Gjatë takimit, Bordi dhe Menaxhmenti i KEK-ut kanë informuar përfaqësuesit sindikalë për sfidat me të cilat po përballet korporata, veçanërisht në zbatimin e projekteve të modernizimit të njësive prodhuese, investimeve mjedisore dhe sigurimin e vazhdimësisë së operimeve.
Palët janë pajtuar se operimi i KEK-ut është jetik për sigurinë energjetike të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit operacional dhe mbështetjes së punonjësve.
Po ashtu, Bordi, Menaxhmenti dhe përfaqësuesit e sindikatave janë dakorduar që të mobilizohen së bashku për tejkalimin e sfidave aktuale, ruajtjen e stabilitetit të prodhimit dhe realizimin e projekteve strategjike të korporatës.
Në fund të njoftimit, KEK-u ka falënderuar përfaqësuesit e SR-KEK dhe SPEK për qasjen konstruktive dhe gatishmërinë për arritjen e marrëveshjes./Telegrafi/

































