Ka nisur protesta e 174-të kundër qeverisë, këtë të premte, më 20 nëntor, me qytetarët që janë grumbulluar përpara Kryeministrisë.
Në zonë janë dislokuar edhe forca të shumta policie, të cilat nuk lejojnë protestuesit të qëndrojnë në bulevard, në zbatim të Aktit Normativ të qeverisë që ndalon qëndrimin e qytetarëve në sheshe. Protestuesit e kanë cilësuar këtë akt si të paligjshëm.
Efektivët e policisë kanë nisur të shtyjnë protestuesit drejt trotuareve, me qëllim zbatimin e Aktit Normativ, ndërsa sipas raportimeve, ndërhyrjet janë kryer edhe ndaj personave që qëndronin në trotuare. Gjatë protestës janë kryer edhe shoqërime të qytetarëve.
Me Aktin Normativ të qeverisë, qytetarët nuk lejohen të protestojnë në mënyrë paqësore në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, situatë që protestuesit e kanë cilësuar absurde.
Në protestën e sotme është shfaqur edhe një banderolë me datën 28 Nëntor, kur pritet të mbahet një protestë madhështore, si dhe fotografi të flamingove, që simbolizojnë rikthimin e “revoltës së flamingove”.
