Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar për dy operacione të Policisë së Kosovës kundër trafikimit të narkotikëve, të zhvilluara në Prishtinë, Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut.

Në kuadër të operacionit të koduar “Taslixhe”, të realizuar në koordinim me Prokurorinë, janë arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale që ndërlidhen me trafikimin e narkotikëve.


Sipas Sveçlës, gjatë kontrolleve në lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Gjakovë janë sekuestruar rreth 15 kilogramë marihuanë, një sasi kokaine, para të gatshme, armë dhe municion, telefona celularë, si dhe dy vetura.


Ndërkaq, në një operacion tjetër të realizuar në Mitrovicën e Jugut, në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), është arrestuar edhe një person i dyshuar.

Gjatë këtij operacioni, sipas ministrit, është sekuestruar një sasi prej 51.2 gramësh substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, një pjesë e së cilës ishte e përgatitur për shitje. Po ashtu, janë sekuestruar dy telefona celularë dhe 1 mijë e 155 euro para të gatshme.

Sveçla ka thënë se institucionet e sigurisë do të vazhdojnë angazhimin për parandalimin dhe luftimin e trafikimit dhe shpërndarjes së narkotikëve.

“Të gjithë ata që merren me trafikimin dhe shpërndarjen e narkotikëve do të përballen me institucionet e rendit dhe drejtësisë. Nuk do të ketë askund hapësirë për veprimtarinë e tyre kriminale”, ka deklaruar Sveçla.