Debatet në Asamblenë e PS dhe akuzat e Spiropalit për Ballukun, përgjigjet Niko Peleshi
Në mbledhjen e 20 nëntorit, Këshilli i Ministrave miratoi një sërë vendimesh që lidhen me emërime në administratë, fondet e rindërtimit, pronat publike, partneritetet publike-private dhe përgatitjet për integrimin në sistemet e Bashkimit Evropian.
Këshilli i Ministrave ka miratuar disa vendime në mbledhjen e datës 20 nëntor 2026, mes të cilave ndryshimi në drejtimin e Doganave, alokimi i mbi 319 milionë lekëve për përforcimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti dhe rregullat e reja për mbështetjen financiare të kontratave të partneritetit publik-privat.
Një nga vendimet lidhet me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Qeveria ka vendosur lirimin nga detyra të Besmir Bejës dhe emërimin e Fation Shehut në postin e drejtorit të Përgjithshëm të Doganave. Vendimi hyn në fuqi menjëherë.
Një tjetër vendim parashikon përdorimin e 319 milionë e 350 mijë e 424 lekëve pa TVSH nga Fondi i Rindërtimit për financimin e përforcimit të banesave individuale në bashkitë Shijak, Vorë dhe Krujë.
Fondet do të ndahen në këtë mënyrë:
Bashkia Shijak: 20,376,100 lekë.
Bashkia Vorë: 221,966,407 lekë.
Bashkia Krujë: 77,007,917 lekë.
Financimi është parashikuar për banesat e klasifikuara si objekte të dëmtuara rëndë, me shkallë dëmi DS4, të cilat nuk kanë nevojë të rindërtohen nga e para, por kërkojnë punime rikonstruksioni dhe përforcimi.
Në mbledhjen e qeverisë është miratuar edhe vendimi për përcaktimin e llojeve dhe natyrës së mbështetjes financiare dhe të risqeve fiskale të mundshme në kontratat e partneritetit publik-privat.
Vendimi përcakton format e mundshme të mbështetjes financiare, duke përfshirë pagesat për disponueshmëri, subvencionet, kontributet kapitale, bashkëfinancimin nga buxheti i shtetit dhe garancitë kontraktore. Gjithashtu, parashikohet që angazhimet financiare dhe risqet fiskale të identifikohen e dokumentohen, ndërsa Ministria e Financave të kryejë vlerësimin përkatës.
Një tjetër vendim lidhet me përgatitjet për pjesëmarrjen e ardhshme të Shqipërisë në Sistemin e Informacionit të Tregut të Brendshëm (IMI) të Bashkimit Evropian. Përmes tij përcaktohen strukturat koordinuese, autoritetet përgjegjëse, procedurat e bashkëpunimit administrativ, trajnimi i nëpunësve dhe masat për mbrojtjen e të dhënave personale.
Vendimi sqaron se shkëmbimi operacional i informacionit përmes sistemit IMI do të aktivizohet me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian ose në një datë më të hershme të përcaktuar përmes një akti apo marrëveshjeje përkatëse.
Qeveria ka miratuar edhe kriteret për përfitimin e pagesës së qirasë nga punonjësit operacionalë të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, të cilët transferohen jashtë vendbanimit të përhershëm dhe nuk u sigurohet akomodim nga institucioni.
Për punonjësit që transferohen brenda vendit, kompensimi parashikohet kur largësia nga vendbanimi i përhershëm është mbi 36 kilometra. Sipërfaqja e banesës për të cilën përfitohet kompensimi përcaktohet në 30 metra katrorë për punonjësin pa persona familjarë në ngarkim, me shtesë prej 10 metrash katrorë për çdo pjesëtar tjetër të familjes.
Në të njëjtën mbledhje është miratuar kalimi i kontratës së qirasë mes Bashkisë Tepelenë dhe shoqërisë “ZAGROTURIZËM” sh.p.k. në kontratë me tarifë 1 euro.
Po ashtu, është miratuar lista përfundimtare e pjesshme e pronave të paluajtshme publike shtetërore që transferohen në pronësi të Bashkisë Himarë.
Një vendim tjetër parashikon transferimin në përdorim të Bashkisë Maliq të disa pronave publike, me numra rendorë nga 977 deri në 1014. Bashkisë i ndalohet ndryshimi i destinacionit dhe tjetërsimi i këtyre pronave.
Gjithashtu, Këshilli i Ministrave ka miratuar një ndryshim në Dokumentin e Politikave Prioritare 2027-2029, duke zëvendësuar aneksin që përmban Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare.
Top Channel