KF Mitrovica po kalon një sezon të vështirë në kampionat, pasi pas 16 xhirove ndodhet në pozitën e fundit në tabelë me vetëm 11 pikë të grumbulluara. Megjithatë, trajneri i skuadrës, Seid Onbashi, beson se pozita aktuale nuk e pasqyron realisht nivelin e ekipit dhe është i bindur se mitrovicasit do të arrijnë ta sigurojnë mbijetesën.

Në një intervistë për Telegrafin, Onbashi ka folur për arsyet që sipas tij, e kanë çuar skuadrën në këtë situatë, duke përmendur mungesën e fatit, problemet në fazën ofensive, katër penalltitë e humbura dhe golat e pësuar në minutat e fundit të ndeshjeve.


Trajneri pranon se rezultatet e fundit janë shqetësuese, pasi Mitrovica ka pësuar katër humbje në pesë ndeshjet e fundit. Megjithatë, ai thekson se në disa prej këtyre takimeve skuadra ka pasur mungesa të rëndësishme, ndërsa përmirësim në sulm pret pas ardhjes së sulmuesit nigerian Rahman, i cili ka shënuar dy gola në tri ndeshjet e para.

“Është e vërtetë që jemi në vendin e fundit në tabelë, por nëse i marrim parasysh ndeshjet që kemi zhvilluar, besoj se edhe ata që kanë luajtur kundër nesh e dinë se jemi pa meritë në fund të tabelës. Na ka munguar fati, sulmuesit tanë kanë qenë jashtë forme dhe kemi humbur katër penallti”.

FOTO: Seid Onbashi

“Në shumicën e ndeshjeve që kemi humbur apo barazuar, jemi ndëshkuar në fund të takimeve. Ndoshta duket absurde, por në shumicën e ndeshjeve kemi qenë edhe më të mirë se kundërshtari”, ka deklaruar Onbashi për Telegrafin.

Trajneri është ndalur edhe te rezultatet e dobëta në pesë ndeshjet e fundit, ku Mitrovica ka pësuar katër humbje. Ai pranon se kjo ecuri është shqetësuese, por thekson se skuadra është përballur me mungesa të rëndësishme, pasi në katër ndeshjet e fundit nuk ka pasur në dispozicion pesë futbollistë titullarë.

“Po, pesë ndeshjet e fundit kemi dështuar. Kemi humbur, siç e thashë, duke u ndëshkuar në fund të ndeshjeve, por kjo nuk duhet të jetë arsyetim. Në katër ndeshjet e fundit na kanë munguar pesë lojtarë titullarë dhe ende nuk janë të gatshëm për lojë”, ka thënë ai.

Një prej problemeve kryesore të skuadrës ka qenë faza sulmuese, por Onbashi beson se ardhja e sulmuesit nigerian Rahman ka sjellë përmirësim. Futbollisti ka realizuar dy gola në tri ndeshjet e para, ndërsa trajneri mendon se prania e tij që nga fillimi i sezonit do ta kishte ndryshuar pozitën e ekipit.

“Ka qenë shqetësuese faza sulmuese, por me ardhjen e sulmuesit Rahman nga Nigeria, i cili ka arritur të shënojë dy gola në tri ndeshje, jemi përmirësuar pak. Po ta kishim pasur që nga fillimi, besoj se do të ishim shumë më lart”, ka theksuar Onbashi.

Në përbërjen e KF Mitrovicës janë tetë futbollistë të huaj, një politikë që sipas trajnerit është pjesë e strategjisë së klubit tash e katër vjet. Ai është i kënaqur me shumicën e tyre dhe veçon në veçanti Wellington Ehiabhin, të cilin e konsideron si futbollistin më të mirë në ligë në pozitën e tij.

“Ne qe katër vjet kemi shumë lojtarë me ngjyrë në ekip dhe kjo është strategji e klubit. Për fat të mirë, shumica prej tyre janë lojtarë të mirë. Sipas mendimit tim, Wellington është edhe lojtari më i mirë në ligë në pozitën e tij. Me ta kemi hyrë në ligë dhe me ta do të mbijetojmë. Nuk është vetëm Mitrovica që ka shumë lojtarë me ngjyrë, por ne si qytet biem më shumë në sy për gjithçka”, është shprehur trajneri.

Sa i përket hapësirës për futbollistët vendorë dhe harmonisë në skuadër, Onbashi ka mohuar se ekzistojnë probleme mes lojtarëve të huaj dhe atyre vendas. Ai ka theksuar se futbollistët e huaj janë pjesë e klubit prej disa vitesh dhe janë përshtatur me ambientin, ndërsa hapësirë vazhdojnë të kenë edhe lojtarët vendorë.

“Nuk kemi probleme me harmoninë në ekip. Këta janë këtu qe katër vjet, janë adaptuar dhe kalojnë mirë me lojtarët tanë vendorë. Hapësirë për lojtarët vendorë ka, por dihet që ne kemi emër të madh si klub. Buxheti ynë nuk është si i klubeve të tjera dhe ne marrim lojtarë vendorë të rinj e të talentuar”, ka deklaruar ai.

Për ta ndryshuar situatën në tabelë, Mitrovica planifikon të jetë aktive në afatin kalimtar të janarit. Onbashi ka konfirmuar se klubi do të angazhojë futbollistë cilësorë, me synimin që të përmirësojë konkurrencën në skuadër dhe të sigurojë pikët e nevojshme për mbijetesë.

“Ne do të përforcohemi në janar dhe do të marrim edhe ndonjë lojtar cilësor, pasi jemi shumë skuadra në garë për mbijetesë. Nuk ka ndonjë dallim të madh mes pikëve dhe me dy fitore ngjitemi lart. Unë besoj në skuadrën time, ne do t'ia dalim, edhe pse jemi të vetmuar dhe nuk kemi aleatë si disa ekipe që kanë bashkëpunime të mira mes vete. Dua ta theksoj se, edhe pse jemi në vendin e fundit, realisht kam lojtarë shumë të mirë në ekip”, ka bërë të ditur trajneri.

Në fund, Onbashi ka dashur të theksojë edhe gjendjen financiare të klubit, duke deklaruar se kryesia nuk ka asnjë pagë të papaguar ndaj futbollistëve dhe se ata shpërblehen me bonuse për çdo ndeshje, si në shtëpi ashtu edhe në udhëtim.

“Kryesia e klubit nuk ka asnjë pagë të papaguar ndaj lojtarëve dhe kemi në çdo ndeshje, si në shtëpi ashtu edhe jashtë, bonuse nga kryesia”, përfundoi ai./Telegrafi/