Princi Harry ka deklaruar se do të ishte i gatshëm t’i rikthehej shërbimit ushtarak nëse Britania e Madhe do të kishte nevojë për të, duke paralajmëruar se kërcënimi që paraqet Rusia duhet të shqetësojë të gjithë Evropën.
Në një intervistë ekskluzive për gazetën britanike “The Telegraph”, gjatë një vizite të paparalajmëruar në qytetin ukrainas të Lvivit, Duka i Sussex-it u bëri thirrje ish-pjesëtarëve të forcave të armatosura që të jenë të gatshëm për t’i shërbyer sërish vendit të tyre.
“Duhet të jemi të gjithë të shqetësuar, absolutisht. Dhe mendoj se duhet të jemi të përgatitur. Ata prej nesh që kanë shërbyer duhet të jenë të gatshëm të shërbejnë përsëri”, u shpreh ai.
Harry shkoi edhe më tej, duke deklaruar se do t’i përgjigjej pa hezitim një thirrjeje për t’u rikthyer në ushtri, nëse do të kishte nevojë për shërbimin e tij.
“Nëse do të më kërkohej të regjistrohesha përsëri dhe nëse do të kishte nevojë, atëherë do të isha 100 për qind aty për t’i shërbyer vendit tim, krah veteranëve dhe pjesëtarëve të tjerë të forcave të armatosura”, deklaroi princi.
Harry ka shërbyer për dhjetë vjet në ushtrinë britanike, ku kreu edhe dy misione në Afganistan si pilot i helikopterëve Apache. Ai i dha fund karrierës ushtarake në vitin 2015.
Gjatë intervistës, ai foli edhe për luftën në Ukrainë, duke vlerësuar qëndrueshmërinë e popullit ukrainas dhe duke theksuar se Evropa është ndërgjegjësuar për rrezikun që vjen nga Rusia. Sipas tij, Britania dhe vendet e tjera evropiane nuk duhet të mendojnë se janë jashtë konfliktit vetëm sepse nuk po përballen drejtpërdrejt me sulme ushtarake.
“Vetëm pse nuk ka dronë, plumba dhe raketa që po fluturojnë drejt nesh, nuk do të thotë se nuk jemi në luftë”, tha ai.
Duka i Sussex-it shprehu gjithashtu shqetësimin se Evropa mund të përçahet nga brenda, ndërsa bëri thirrje që mbështetja për Ukrainën të rritet dhe jo të pakësohet.
Gjatë qëndrimit në Lviv, Harry mori pjesë edhe në aktivitetet përzgjedhëse të ekipit ukrainas për Lojërat Invictus 2027, të cilat do të zhvillohen në Birmingham të Britanisë së Madhe.
Një tjetër temë e intervistës ishte mbështetja për veteranët pas përfundimit të shërbimit ushtarak. Princi bëri të ditur se po përgatit një projekt global që synon t’u krijojë atyre më shumë mundësi punësimi dhe të nxjerrë në pah aftësitë e përvojën që kanë fituar gjatë karrierës ushtarake.
Sipas tij, kontributi dhe profesionalizmi i veteranëve shpesh nënvlerësohen, ndërsa shoqëria duhet t’i konsiderojë ata si një burim të rëndësishëm talenti dhe përvoje.
#PrinciHarry #Ukraina #Rusia #Britania #LuftaNëUkrainë #InvictusGames #Veteranët


