
Gjatë një darke në restorantin e ri më të frekuentuar të Sarajevës, Amer Bekan rendit projektet me vlerë 2 miliardë euro që shpreson se do të transformojnë Bosnjën e tij të lindjes: një gazsjellës, tri termocentrale dhe një qendër të dhënash për inteligjencën artificiale.
Një burrë shtatlartë dhe trupmadh, me këmishë të rrudhosur, sipërmarrjet e mëparshme të të cilit përfshijnë një furrë buke, një kafene në aeroport dhe një qendër tregtare që nuk u ndërtua kurrë, Bekan është bërë një partner i pazakontë i dy aleatëve të Donald Trump: ish-avokatit të tij, Jesse Binnall, dhe Joe Flynn, vëllait të Mike Flynn, ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare të presidentit amerikan.
Shtëpia e Bardhë ka mbështetur kompaninë e treshes, AAFS, si investitore në projektin e gazsjellësit Southern Interconnector, i cili synon t’i japë fund varësisë së Bosnjës nga gazi rus. Parlamenti i Federatës së Bosnjës miratoi një ligj që e përcaktonte kompaninë si investitoren kryesore, pa zhvilluar një tender publik. Një veprim që Transparency International e dënoi, duke paralajmëruar se krijonte një “precedent të rrezikshëm” në një vend të përfshirë nga korrupsioni.
Tre dekada më parë, Bosnja ishte një shembull i fuqisë diplomatike amerikane. Marrëveshjet e Dejtonit, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, i dhanë fund një lufte të karakterizuar nga spastrimi etnik dhe gjenocidi, duke vendosur një sistem të brishtë të ndarjes së pushtetit mbi baza etnike, të cilin Uashingtoni ka kaluar dekadat e mëvonshme duke e mbrojtur.
Por në pranverën e vitit 2025, Chris Landau, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, u kthye në Dejton, në Ohajo, për të sinjalizuar një shkëputje nga kjo trashëgimi. “Nuk jemi të interesuar të imponojmë një vizion të shoqërisë që pasqyron preferencat e burokratëve të largët dhe aktivistëve me interesa të ngushta”, tha ai.
Tani Bosnja po kthehet në një rast prove për një politikë të jashtme amerikane krejt të ndryshme, e cila vendos marrëveshjet tregtare në favor të aleatëve të Trumpit përpara rolit tradicional të SHBA-së si forcë stabilizuese, edhe nëse kjo rrezikon të thellojë pikërisht ato ndasi që Marrëveshjet e Dejtonit synonin të mbanin nën kontroll.
“Për më shumë se 30 vjet, udhëheqja amerikane ndihmoi në ruajtjen e paqes në Bosnjë dhe Hercegovinë”, tha Jeanne Shaheen, demokratja më e lartë në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.
“Megjithatë, tani administrata Trump po u jep zemër pikërisht atyre që po përpiqen ta shkatërrojnë vendin… gjë që rrezikon të rindezë konfliktin në vend”, tha ajo.
Sipas këndvështrimit të administratës Trump, ndërsa Marrëveshjet e Dejtonit ia dolën të ndalonin gjakderdhjen, ato krijuan një shtet të vështirë për t’u administruar, të bllokuar nga paraliza politike dhe tepër të varur nga komuniteti ndërkombëtar.
“Po bëjmë të njëjtën gjë prej 30 vitesh dhe nuk funksionon”, tha Max Primorac, studiues i lartë në Heritage Foundation, i cili ka lidhje të afërta me administratën.
Kritikët kanë frikë se orientimi i Uashingtonit drejt një politike të jashtme më transaksionale po i përkeqëson pikërisht tensionet që Marrëveshjet e Dejtonit synonin të shuanin.

Chris Landau, zëvendëssekretar amerikan i shtetit, vitin e kaluar tha: “Ne nuk jemi të interesuar të imponojmë një vizion shoqërie që pasqyron preferencat e burokratëve të largët dhe aktivistëve me pikëpamje të ngushta.”
Ndërsa Bekan dhe partnerët e tij amerikanë kanë mbështetjen e zyrtarëve të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës — një nga dy entitetet që përbëjnë vendin — figura të tjera të MAGA-s kanë bashkëpunuar me Milorad Dodikun, udhëheqësin nacionalist të serbëve të Bosnjës, të afërt me Rusinë, thirrjet e përsëritura të të cilit për shkëputje kërcënojnë të tronditin paqen e brishtë të vendit.
Dodik ka gëzuar një akses të jashtëzakonshëm në Uashington, të mundësuar nga një grup i madh lobistësh të paguar majmë, përfshirë ish-guvernatorin e Illinoisit, Rod Blagojevich, dhe Mike Flynn.
Gjatë dy viteve të fundit, Republika Srpska, rajoni i Bosnjës me shumicë serbe, ku jetojnë pak më shumë se 1 milion banorë, ka tërhequr vëmendjen e Rudy Giulianit, Laura Loomer, Donald Trump Jr. dhe dy prej këshilltarëve kryesorë politikë të presidentit, James Blair dhe Chris LaCivita.
Objektivat e firmave lobuese të angazhuara nga Republika Srpska, të paraqitura në dokumentet zyrtare të qeverisë amerikane, mund të lexohen si një listë dëshirash personale e Dodikut: heqja e sanksioneve, lidhje më të ngushta me lëvizjen MAGA dhe, në një rast, mbështetja e SHBA-së për pavarësinë e rajonit nga Bosnja.
Dodik ka arritur të sigurojë pothuajse gjithçka që kërkonte — me përjashtim të shkëputjes. Në tetorin e kaluar, administrata Trump hoqi sanksionet individuale të vendosura ndaj tij për shkak të akuzave për korrupsion dhe veprimtari separatiste, në përpjekje për ta bindur të largohej nga presidenca — gjë që ai e bëri.
Në maj, Dodik shënoi një tjetër fitore, kur Përfaqësuesi i Lartë Christian Schmidt, i dërguari ndërkombëtar i ngarkuar me mbrojtjen e Marrëveshjes së Dejtonit, njoftoi dorëheqjen e tij pas presionit të fortë nga administrata Trump.
Schmidt kishte përdorur kompetencat e gjera të postit të tij për të kundërshtuar përpjekjet e Dodikut për të çuar përpara agjendën e tij shkëputëse. Por zyrtarët amerikanë i kërkuan Schmidtit të largohej, duke paralajmëruar se, në të kundërt, mund t’ia vështirësonin punën, sipas personave të njohur me çështjen. I pyetur për presionin, Departamenti i Shtetit vlerësoi “vitet e shërbimit të tij të përkushtuar”.
Në vend të tij, Uashingtoni ka mbështetur diplomatin italian Antonio Zanardi Landi, një zgjedhje që ka habitur zyrtarët evropianë dhe ka shtuar shqetësimet për synimet e SHBA-së.
“Ata duan një përfaqësues të lartë që mund ta kontrollojnë, dikë që nuk do të ndërhyjë për ta penguar Dodikun të minojë marrëveshjen e paqes së Dejtonit apo vetë shtetin”, tha Michael Murphy, ish-ambasador i SHBA-së në Bosnjë.
Zanardi Landi nuk pranoi të komentonte.
Theksi i administratës te kontrolli vendor “përputhet me agjendën e Dodikut”, shtoi Murphy, duke i mundësuar atij të çojë përpara ambiciet e tij separatiste.
Paraqitja që Dodiku u bën serbëve të Bosnjës si të krishterë të kërcënuar duket se ka gjetur mirëkuptim te disa figura të administratës Trump, të cilat e shohin Evropën si vijën e parë të mbrojtjes së qytetërimit perëndimor. Megjithëse Republika Srpska ka shumicë ortodokse, dy komunitetet e tjera të Bosnjës përbëhen nga kroatët katolikë dhe boshnjakët myslimanë.

Rudy Giuliani (majtas) dhe Milorad Dodik në një tubim në Banja Llukë vitin e kaluar
Jasmin Mujanovic, politolog që studion Ballkanin, tha: “E gjithë kjo po ushqen narrativën sektare të qytetërimeve, një përpjekje për t’iu drejtuar disa prej elementeve më të ekstremit të djathtë, që janë mbledhur brenda dhe rreth administratës aktuale”.
Rikthimi i Dodikut në favor të Uashingtonit i nxiti zyrtarët e Federatës së Bosnjës të kërkonin edhe ata një pikëmbështetje në administratën Trump përmes projektit të Gazsjellësit Ndërlidhës Jugor. Ata “ndienin se duhej të përfshinin Shtëpinë e Bardhë me një interes të drejtpërdrejtë në këtë projekt”, tha Murphy, ish-ambasadori.
“Boshnjakët donin që Trumpworld të kishte një lloj interesi në vend; përndryshe, lobistët e Trumpworld do të përpiqeshin ta copëtonin vendin”, tha ai.
Binnall dhe Flynn thanë se zyrtarët boshnjakë i kishin kontaktuar për herë të parë lidhur me projektin e gazsjellësit gjatë një vizite për të shqyrtuar mundësitë e koncesioneve në aeroporte. Binnall mohoi që lidhjet e tyre me Trumpin t’u kishin hapur dyert: “Fillimisht punuam me zyrtarë karriere të shërbimit të jashtëm në ambasadë dhe folëm me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit vetëm me rekomandimin e tyre”.
Sabina Ćudić, një deputete boshnjake që u takua me dyshen në Sarajevë në janar, tha se ata nuk i fshehën lidhjet me Trumpin. Sipas saj, Binnall dhe Flynn përmendën miqësinë e tyre me presidentin vetëm pak çaste pasi u takuan me të, duke e bërë “të qartë vazhdimisht se kjo ishte pika e hyrjes”.

Christian Schmidt përshëndet dy gra në bashkinë e Sarajevës
Uashingtoni ka mbështetur prej kohësh ndërtimin e gazsjellësit që do ta lidhë Bosnjën me një terminal të gazit natyror të lëngshëm në Kroacinë fqinje, si një mënyrë për ta shkëputur Bosnjën nga varësia prej gazit rus. Por përparimi i projektit ishte bllokuar nga përplasjet politike brenda Bosnjës. Pasi zyrtarët boshnjakë ftuan AAFS-në të shqyrtonte projektin, Departamenti i Shtetit i SHBA-së ndihmoi në përshpejtimin e tij, duke shoqëruar Binnallin dhe Flynin në takimet me zyrtarët vendorë në janar dhe duke marrë pjesë në grupet e punës teknike.
“Mesazhi ishte: na duhet tani, na duhet shpejt, na duhej që dje”, tha Ćudić, e cila mori pjesë në disa takime me zyrtarët amerikanë.
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit të SHBA-së tha: “AAFS ishte e vetmja kompani amerikane që u paraqit e përgatitur për ta zbatuar projektin sipas modelit të ngjashëm me koncesionin, të zgjedhur nga qeveria e federatës”.
Në prill, parlamenti i Federatës së Bosnjës votoi pothuajse unanimisht për miratimin e ndryshimeve ligjore që largonin BH-Gas, një kompani në pronësi publike, nga roli i investitorit të projektit.
As Departamenti i Shtetit i SHBA-së dhe as AAFS nuk kërkuan që emri i kompanisë të përfshihej në ligj, tha Binnall, i cili theksoi se ky ishte vendim i parlamentit.
Por lidhjet e kompanisë me Trumpin patën një ndikim të madh te deputetët, tha Kurt Bassuener, vëzhgues prej shumë vitesh i politikës boshnjake dhe bashkëthemelues i institutit kërkimor Democratization Policy Council. “Ndjesia se ‘nuk do të doje të dilje kundër Trumpit’ ishte shumë e pranishme në diskutimet për legjislacionin”, tha ai.
Diplomacia amerikane ka promovuar prej kohësh interesat tregtare të SHBA-së jashtë vendit. Por nën Trumpin, sigurimi i marrëveshjeve për kompanitë amerikane është kthyer në një përparësi qendrore të politikës së jashtme, duke shkaktuar shqetësim te vëzhguesit e hershëm të rajonit.
“Ose bëhet fjalë për mungesë informacioni, ose për papërgjegjshmëri të qëllimshme, ose për synim të qëllimshëm shkatërrues”, tha Arminka Helic, anëtare e Dhomës së Lordëve në Britani, e cila u largua nga Bosnja në fillim të viteve 1990.
Zyrtarët e Trumpit “nuk e kuptojnë rajonin”, tha ajo. “Por ata e kuptojnë se si t’i shfrytëzojnë këto shtete më të dobëta të rajonit për të fituar para”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times