Një veturë elektrike tentoi të parkohej 868 herë brenda një nate!

Një veturë elektrike tentoi të parkohej plot 868 herë gjatë një nate, përpara se të arrinte të ndalej.
Ngjarja e pazakontë ndodhi në Kinë dhe u bë e ditur vetëm mëngjesin e ardhshëm, pasi pronari kontrolloi të dhënat e sistemit të veturës.
Rreth orës 03:00 të mëngjesit, një roje sigurie vuri re një veturë që lëvizte vazhdimisht para dhe prapa në një parking pothuajse të zbrazët.
Kur vendosi të kontrollonte se çfarë po ndodhte, ai mbeti i habitur nga ajo që pa. Në ulësen e shoferit nuk ndodhej askush, ndërsa vetura vazhdonte të lëvizte mes vendeve të parkimit, duke tentuar të gjente pozicionin e duhur.
Problemi ishte se sistemi nuk arrinte ta përfundonte procesin e parkimit. Sa herë që vetura afrohej për t'u parkuar, ajo e ndërpriste manovrën dhe niste gjithçka nga fillimi.
- YouTube www.youtube.com
Roja i sigurisë nuk kishte mundësi ta ndalte veturën dhe vetëm vëzhgonte lëvizjet e saj të përsëritura.
Kontrollin e kishte marrë sistemi automatik i parkimit, një teknologji që në kushte normale duhet t'ua mundësojë shoferëve parkimin pa pasur nevojë ta drejtojnë vetë veturën.
Vetëm mëngjesin e ardhshëm, kur pronari kontrolloi të dhënat e sistemit, u zbulua se çfarë kishte ndodhur gjatë natës.
Sipas të dhënave, sistemi i parkimit automatik ishte aktivizuar plot 868 herë.
Modeli që kaloi natën duke lëvizur para dhe prapa në parking ishte vetura elektrike Avatr 12.
Një situatë e pazakontë që tregon se edhe teknologjia e avancuar e veturave mund të përballet me probleme të papritura. /Telegrafi/


































