FMN ngre alarmin për shpopullimin: Emigracioni dhe plakja e popullsisë po frenojnë ekonominë shqiptare, rritja zbret në 3.2%
Shpopullimi, emigracioni dhe plakja e popullsisë po kthehen në pengesa serioze për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Paralajmërimi vjen nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili në vlerësimin e fundit për ekonominë shqiptare evidenton dobësitë strukturore që rrezikojnë të frenojnë rritjen në vitet e ardhshme.
Sipas FMN-së, megjithëse ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri përballë goditjeve të jashtme, mungesa e fuqisë punëtore dhe largimi i vazhdueshëm i qytetarëve nga vendi po kufizojnë potencialin e saj afatmesëm.
Fondi parashikon që rritja ekonomike të arrijë në 3.5% gjatë vitit 2026, ndërsa nga viti 2027 e në vijim të ngadalësohet drejt nivelit 3.2%. Kjo shifër është më e ulët se rritja mesatare prej 4% e regjistruar gjatë periudhës 2022-2025.
Sipas vlerësimit, plakja e popullsisë dhe emigracioni po pakësojnë ofertën e fuqisë punëtore, ndërsa rritja e produktivitetit dhe investimet nuk pritet të jenë të mjaftueshme për të kompensuar plotësisht këtë humbje.
FMN paralajmëron gjithashtu se tensionet sociale dhe pasiguria e brendshme mund të rëndojnë më tej klimën ekonomike, duke dëmtuar besimin e investitorëve, turizmin dhe investimet. Një zgjatje e këtyre tensioneve rrezikon edhe vonesa në zbatimin e reformave.
Në raportin e tij, institucioni ndërkombëtar ndalet edhe te politikat fiskale, duke shprehur rezerva për uljen e TVSH-së për produktet ushqimore dhe heqjen e taksës së qarkullimit të karburanteve. Sipas FMN-së, këto masa mund të krijojnë kosto të konsiderueshme për buxhetin.
Një tjetër shqetësim lidhet me inflacionin, i cili parashikohet të jetë 3.4% në fund të vitit 2026. Për këtë arsye, FMN rekomandon një shtrëngim gradual të politikës monetare dhe një menaxhim më të kujdesshëm të financave publike.
Edhe pse borxhi publik ka zbritur në rreth 51% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe ekonomia vijon të ruajë tregues relativisht të qëndrueshëm, paralajmërimi i FMN-së është se sfidat demografike dhe strukturore mund të kufizojnë ndjeshëm rritjen ekonomike të Shqipërisë në vitet e ardhshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



