Close Menu
Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    Lajmet e fundit

    Beqiri u pushkatua një herë. Belinda çdo mbrëmje

    SPAK nis hetimet pas kallëzimeve për Elisa Spiropalin, në verifikim edhe bashkëshorti i saj

    Qeveria miraton kompensimin e qirasë për punonjësit e burgjeve që transferohen mbi 36 km larg banesës

    Facebook X (Twitter) Instagram
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    • Aktualitet
      • Aktualitet
      • Politike
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Fokus
    • Opinion
    • Lifestyle
      • Showbiz
      • Udhetim & Turizëm
      • Kulturë
      • Shëndet
      • Horoskopi
      • Dekor
      • Trende
      • Teknologji
    • Botë
      • Kosovë
      • Rajon
      • Botë
    • Sport
    • Troç
    Youtube
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    You are at:Home » Beqiri u pushkatua një herë. Belinda çdo mbrëmje
    Kryesore

    Beqiri u pushkatua një herë. Belinda çdo mbrëmje

    November 20, 2026

    Albatros Rexhaj

    Në zyrën e ministrit të Mbrojtjes është një tavolinë që për gjysmë shekulli nuk guxoi ta prekte kush. Mbi të punoi për herë të fundit Beqir Balluku. Pasi e pushkatuan, ministrat që erdhën pas tij e nxorën nga zyra. Kishin frikë se fati i tij kishte mbetur në dru dhe mund t’u ngjitej. Tavolina ndenji me dekada nëpër depo e korridore, derisa një ministër i ri e pa, e pastroi dhe e ktheu në vend.

    Mendoj shpesh për ata ministra që e nxorën. Asnjëri prej tyre, me sa di, nuk pyeti se çfarë e kishte vrarë vërtet Beqirin. Iu trembën mobilies.

    Beqirin e vrau një fjali. Kishte qenë ministër mbi njëzet vjet dhe ushtria e donte për atë që ishte. Donte ta reformonte, dhe po t’ia kishte dalë, do ta kishin dashur edhe më shumë. Mehmet Shehu dhe të tjerët rreth tij këtë dashuri nuk kishin si ta fitonin vetë, ndaj gjetën si ta përdornin. Ia çuan Enverit darkë pas darke, të përkthyer: ushtria e do atë, pra nuk të do ty. Enveri kishte vesh për fjali të tilla. Në nëntor të vitit 1975 Beqirin e pushkatuan.

    Sot lexova një letër të shkruar me dorë, me datën 20/11/26, nga paraburgimi i Fierit. Erion Veliaj, që mediat e mëdha na e shesin si princ të mbyllur në kullë, i shkruan Belinda Ballukut, mbesës së Beqirit, dhe i kërkon t’i miratojë një operacion në këmbë. Ligji nuk e njeh Belindën askund në punët e burgjeve. Operacionin ia ka caktuar Drejtoria e Burgjeve, të hënën, në spitalin e Fierit. Letra, pra, është shkruar për dy fjali që ai i vë në gojën e të tjerëve: “Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim” dhe “hallin tënd e zgjidh veç Bela”.

    Belindës ia morën zyrën dhe i lanë një legjendë, atë të gruas pa vulë që komandon gjithçka. Sot legjendën e firmos princi vetë. Ai e ka ende vulën e Tiranës. Nga kulla firmos paga, emërime e kopshte. Me po atë dorë i shkruan gruas që nuk firmos dot asgjë, dhe i kërkon leje.

    Një natë më parë, në studion e Top Story, Elisa Spiropali kishte thënë të njëjtën gjë me fjalë të tjera. E quajti Belindën “modeli më i keq i qeverisjes”. E pyetën se ç’është ky model dhe nuk e shpjegoi. Foli për një klan të vogël që vendos në vend të partisë. Pastaj tha se i vjen keq për të si grua, për fëmijët, dhe se lutet për shpirtin e saj. Kam dëgjuar shumë sharje në jetën time. Ajo lutje më ka mbetur në vesh më gjatë se të gjitha.

    Njëri nga qelia, tjetra nga studioja, brenda një dite, i thonë Edi Ramës: nuk komandon ti, komandon ajo, njerëzit shkojnë tek ajo. Është fjalia e darkave të vitit 1974.

    Partia Socialiste është fëmija i Partisë së Punës. Ka ndërruar emër e fjalor, por avazin e ka trashëguar të plotë. Dikur shtrigani ishte Beqiri, sot shtriga është Belinda. Erionin e shoh në vendin e Mehmetit. Elisën, që e do liderin por nuk do që ai të jetë më, e shoh në vendin e Nexhmijes, e cila dinte kë të izolonte dhe si ta damkoste. Të dy janë të të njëjtit oborr. Bela nuk është. Vendin e Kadri Hazbiut e ka zënë Ergys Agasi, Gysi. Kadriu ishte njeriu i dosjeve dhe i përgjimeve, dhe i trembeshin të gjithë. Për Gysin në Tiranë flitet se ka përgjuar dynjanë, se mban video e regjistrime. Në dosjet që qarkullojnë në Tiranë përmendet edhe një televizion i madh që thuhet se e ka në dorë ai. Çdo fushatë e ka pasur ekranin e vet. Në kohën e Beqirit ishte një i vetëm, dhe quhej Televizioni Shqiptar. SPAK e akuzon Gysin si kreun e një grupi kriminal që ndante tenderat e AKSHI-t dhe e kërkoi tetë muaj. Neve na paraqitet si një çun i keqkuptuar, të cilit një prokuror puritan i është qepur pas kot së koti.

    Për dosjen e Belindës do të flasë gjykata, dhe deri atëherë ajo është e pafajshme si kushdo. Në shkurt e shkarkuan nga qeveria. Sot nuk firmos dhe nuk emëron më njeri. Përse u dashka sulmuar më fort tani se kur i kishte të gjitha?

    Kam punuar afro tridhjetë vjet nëpër zyra, tonat e të huajat, dhe përgjigjen e kam parë në secilën. Ka njerëz që punojnë shumë dhe në vend të shpërblimit fitojnë armiq xhelozë. Ka të tjerë që nuk punojnë, dhe prandaj kanë kohë të merren gjithë ditën me të parët. Disa njerëz i përshëndet korridori edhe ditën që u kanë marrë zyrën. Të tjerë i përshëndet vetëm sa kohë kanë vulën, dhe këta nuk ua falin të parëve. Postin ta marrin me një firmë. Përshëndetjen e korridorit s’kanë me çfarë ta marrin, dhe atëherë u mbetet vetëm veshi i të parit. Nuk them se kam qenë gjithmonë në anën e mirë të kësaj ndarjeje. E njoh kaq mirë sepse e kam parë nga afër.

    Mehmet Shehun e gjetën të vdekur në dhomën e tij gjashtë vjet pas Beqirit, dhe partia e vet e shpalli armik. Kadri Hazbiun e pushkatuan më 1983. Një udhëheqës që mësohet të ketë frikë nga njerëzit që i duan të tjerët, në fund ka frikë nga të gjithë, edhe nga ata që ia mësuan frikën.

    Edi Rama nuk është Enver Hoxha. Muri i sotëm është ekrani, ku të çojnë çdo mbrëmje derisa emri të të bëhet sharje. Pushkatimi i dytë bëhet me fjalë. Fjalia ka mbërritur te Rama, dhe mbetet të shihet a do t’ia vërë veshin.

    Tavolina u kthye në zyrë pas pesëdhjetë vjetësh. Fjalia që e vrau Beqirin nuk kishte dalë kurrë prej andej.

    Belinda Balluku Beqir Balluku
    Share. Facebook WhatsApp
    Demo
    Postimet e reja

    Beqiri u pushkatua një herë. Belinda çdo mbrëmje

    November 20, 2026

    SPAK nis hetimet pas kallëzimeve për Elisa Spiropalin, në verifikim edhe bashkëshorti i saj

    November 20, 2026

    Qeveria miraton kompensimin e qirasë për punonjësit e burgjeve që transferohen mbi 36 km larg banesës

    November 20, 2026

    Kurti i bën thirrje Zelenskyt të njohë Kosovën: Krimea është Ukrainë, Kosova është Kosovë

    November 20, 2026
    Mos e humb
    Aktualitet October 16, 2026

    Kaos në aeroportin e Rinasit administruar nga Kastrati! 10 fluturime të anuluara drejt Italisë, pasagjerët pa informacion

    Kaos dhe pakënaqësi në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, i cili administrohet nga Kastrati Group, ku…

    Çfarë pritet? Ilegaliteti “ngrin” prej 10 ditësh në Shqipëri! Mbyllen bastet dhe Call Centerat, bien transaksionet me Kriptomonedha

    Dosja/ Biznesmeni Meqemeja i dha Ahmetajt 140 mijë euro! SPAK: Shpërblim për Inceneratorin e Fierit përmes shitjeve fiktive

    ALERT në Slloveni për VIPA Flips të Kosovës, kanë përmbajtje të alergjenësh. Produkti hiqet nga tregu

    Na ndiq
    • Facebook
    • Instagram
    • YouTube
    • TikTok
    RRETH NESH
    RRETH NESH

    Një shikim i thellë në botën e lajmeve, ku teknologjia dhe profesionalizmi takohen për të sjellë lajmet më të fundit dhe të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një burim i besueshëm për informacionin e saktë dhe analizat gjithëpërfshirëse.

    NIPT: M47705501A
    Email: radarlajme@gmail.com
    Kontakt: +355689008000

    HOROSKOPI

    Horoskopi 20 nëntor 2026/ Çfarë kanë rezervuar yjet për shenjën tuaj

    Horoskopi 19 nëntor 2026, zbuloni parashikimet e yjeve

    Horoskopi 18 nëntor 2026, zbuloni parashikimet e yjeve

    Aleanca Etike e Medias
    © Radar.al. dizenjuar nga 1001solutions

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.