
Kreu i PD-së Sali Berisha theksoi shpopullimin e vendit si problemin ekzistencial të vendit.
Në takimin me strukturat e PD-së në Tiranë në Foltoren e Ripërtëritjes ai tha se shpopullimi duhet ndalur me çdo kusht si baza e të gjitha problemeve në vend.
“Miq, para disa kohësh i thashë një miku tim: ‘Ne kemi një problem’, i thashë. ‘Problemi ynë është se narkoshteti, droga po na rrënon. Ka shkatërruar ekonominë, ka përgjysmuar eksportet, ka shkaktuar rënie masive të prodhimit, shkatërrim masiv të vendeve të punës. Kartelët vendosin kudo për votat, vendimet e tjera, për ndërtimet, për çdo gjë. Dhe ne i kemi të dokumentuara këto, por problemi ynë është se nuk ka një reagim nga miqtë tanë, nga partnerët tanë, ndaj kësaj situate dramatike që kalon vendi dhe kombi ynë’. Në fakt, i thashë, jo vetëm nuk ka reagim, por për fat të keq nuk mungojnë rastet kur përfaqësues ndërkombëtarë i mohojnë këto zhvillime. M’u kthye e më tha: ‘Sali, një gjë të siguroj, se të gjitha këto që thua janë plotësisht të vërteta për ne.
Por pastaj shprehja apo qëndrimi, sigurisht që adaptohet në kuadër të një qëndrimi të përgjithshëm, të cilin një mik tjetër do e shprehte: Si do të thonë ne narkoshtet kur Shqipëria po anëtarësohet, po ecën drejt Bashkimit Evropian?. Ndaj dhe nuk ka rrethanë që fton më shumë për bashkim sesa rreziku ekzistencial. Ju jeni gratë e burrat e rinj politikë. Sot, për çdo shqiptar, për çdo vatër shqiptare, për çdo familje shqiptare, ekziston një rrezik ekzistencial që po e shuan kombin, që po e kllabron kombin. Sot, sipas statistikave mashtruese zyrtare, jemi gjithsej 2 milionë e 300 mijë. Imagjinoni, ishim, sipas statistikave zyrtare, 2 milionë e 820 mijë. Tani, zyrtarisht, unë ju garantoj se jemi shumë më pak, por po e marr këtë që thonë zyrtarisht: 2 milionë e 300 mijë.
Fondi Monetar korrigjoi shifrën e të ardhurave për frymë, duke deklaruar se po e bëjmë korrigjimin për shkak të pakësimit dramatik të popullsisë. Eurostat publikoi të dhënat e fundit: nga 100 shqiptarë, 56 banojnë në Bashkimin Evropian. Shqiptarë nga Shqipëria. Nga të cilët, 1 milion e 99 mijë kanë ikur dhjetë vitet e fundit. Sot në Shqipëri lindin fëmijë aq sa lindnin 100 vjet më parë, kur ne ishim më pak se 1 milion. Asnjë luftë, asnjë pushtim nuk na ka dhënë një goditje të tmerrshme demografike siç na e ka dhënë narkoshteti i Edi Ramës.”