Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po shqyrtojnë mundësinë e një operacioni të ri ushtarak kundër Iranit, i cili, nëse miratohet nga presidenti amerikan Donald Trump, mund të nisë brenda dy deri në katër ditësh. Sipas një raportimi të CBS News, ushtria izraelite është në nivel të lartë gatishmërie, ndërsa shqetësimet kryesore të Tel Avivit lidhen me rindërtimin e kapaciteteve raketore të Teheranit dhe zhvendosjen e infrastrukturës ushtarake e bërthamore në objekte nëntokësore.
Qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu do të preferonte që një operacion i ri të ndërmerrej në koordinim me Uashingtonin. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Trump do të japë autorizimin për një sulm të tillë.
Qëndrimet e presidentit amerikan për një ndërhyrje të mundshme kanë qenë të ndryshme. Fillimisht, ai ka shprehur dëshirën për të arritur një marrëveshje afatgjatë me Teheranin, por njëkohësisht ka paralajmëruar se konfliktit do t’i japë fund “në një mënyrë ose në një tjetër”.
Në një intervistë për televizionin izraelit Channel 12, Trump deklaroi se nuk po ngutet të marrë një vendim dhe se do të presë të shohë se si do të zhvillohen ngjarjet pas fillimit të vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), admirali Brad Cooper, është takuar me drejtuesit më të lartë ushtarakë dhe të inteligjencës izraelite, mes tyre edhe shefin e Mossadit, Roman Gofman. Ushtria izraelite e ka cilësuar takimin si një vlerësim të përbashkët të situatës së sigurisë.
Teherani paralajmëron kundërpërgjigje më të gjerë
Irani ka paralajmëruar se çdo sulm i ri do të pasohet nga një kundërpërgjigje më e gjerë se në përballjet e mëparshme. Sipas kërcënimeve të zyrtarëve iranianë, objektiva të mundshëm mund të jenë Izraeli, bazat amerikane në Lindjen e Mesme, infrastruktura energjetike në Gjirin Persik, por edhe bazat e SHBA-së në Evropë.
Në të njëjtën kohë, negociatat e tërthorta mes Uashingtonit dhe Teheranit për një marrëveshje kanë ngecur. Irani refuzon të diskutojë programin e tij bërthamor pa heqjen e bllokadës detare amerikane dhe plotësimin e kërkesave të tjera të tij.
Një operacion i ri do të shënonte një tjetër përshkallëzim të konfliktit mes palëve, në një moment politik të ndjeshëm si për Trumpin, ashtu edhe për Netanyahun.
Sipas raportimit të CBS News, disa kundërshtarë politikë të kryeministrit izraelit dyshojnë se ai mund ta përdorë kërcënimin iranian për të shmangur humbjen e pushtetit. Ndërkohë, në SHBA, republikanët pritet të përballen me humbjen e kontrollit të të dyja dhomave të Kongresit në janar, çka do të shtonte presionin politik mbi administratën Trump.
Për momentin, nuk ka një vendim të konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë për autorizimin e një sulmi të ri.


