
Java e 12-të e Abissnet Superiore ka nisur me surpriza dhe rezultate të rëndësishme në garën për renditjen. Skënderbeu dhe Elbasani kanë regjistruar fitore minimale 1-0, duke marrë tri pikë të vlefshme për objektivat e tyre në kampionat.
Surprizën më të madhe e dhuroi Skënderbeu, që mposhti në Korçë kampionen në fuqi, Egnatian. Skuadrës vendase i mjaftuan vetëm dy minuta për të gjetur rrugën e rrjetës. Pas një goditjeje nga këndi, mbrojtësi Lagonidis shënoi me kokë, duke i dhënë avantazhin korçarëve.
Egnatia u përpoq të reagonte, por pa sukses. Situata u vështirësua edhe më shumë për rrogozhinasit në fundin e pjesës së parë, kur Albano Aleksi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Në pjesën e dytë, Adjessan gjeti golin e barazimit, por festa e miqve u ndërpre nga vendimi për pozicion jashtë loje. Skënderbeu ruajti avantazhin deri në fund.
Një tjetër fitore të rëndësishme regjistroi Elbasani, që mposhti Dinamon 1-0 në “Elbasan Arena”. Pas një pjese të parë ku miqtë u shfaqën më kërkues, vendasit morën iniciativën në fraksionin e dytë. Mazari shënoi dy herë, por të dy golat u anuluan, fillimisht për pozicion jashtë loje dhe më pas për prekje me dorë.
Kur sfida po shkonte drejt barazimit, Epito u shfaq vendimtar në minutën e 84-t. Ai përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe e dërgoi në rrjetë, duke i dhuruar Elbasanit tri pikë.
Me këto rezultate, Skënderbeu ngjitet në vendin e tretë me 17 pikë, ndërsa Elbasani renditet i pesti me të njëjtën kuotë pikësh. Dinamo mbetet e katërta me 17 pikë, kurse Egnatia vazhdon të kryesojë kampionatin, pavarësisht humbjes në Korçë.
