Drejtoria Vendore e Policisë Kukës ka reaguar pas lajmit të publikuar në rrjetet sociale, ku pretendohej se një i ri ishte rrëmbyer dhe mbajtur në një pyll pas një konflikti me dy persona. Policia i ka cilësuar këto pretendime si të pavërteta, duke sqaruar se bëhet fjalë për një konflikt fizik mes tre shtetasve.

Sipas policisë, më 20 nëntor, shtetasi me inicialet V. D. ishte konfliktuar fizikisht me dy persona në qytetin e Kukësit, për motive të dobëta, dhe për këtë rast kishte bërë kallëzim në polici.

Më vonë, teksa po udhëtonte me automjetin e tij në rrugën e Hasit, dy personat me të cilët ishte konfliktuar i kanë dalë përpara dhe kanë goditur me sende të forta automjetin, si dhe vetë  të riun.

Në automjetin e tij ndodhej edhe një punonjës policie, i cili ka ndërhyrë për të neutralizuar situatën dhe ka kërkuar mbështetjen e shërbimeve të tjera të Policisë.

Pas ndërhyrjes së efektivit, dy personat, të identifikuar si S. J. dhe S. J., xhaxha e nip, janë larguar nga vendngjarja dhe janë shpallur në kërkim. Policia bën me dije se po vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: