Friday / November 20 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
200 kompanitë me fitime më të mëdha, 2025 Lajmet Kryesore Nga Vendi

200 kompanitë me fitime më të larta; Ekonomia e shtrembëruar nga tenderat dhe informaliteti

Share Share Icon

Shifrat e vitit 2025 tregojnë një ekonomi ku vetëm pak sipërmarrje arrijnë të kenë fitime të qëndrueshme. Bizneset operojnë në një mjedis të vështirë, përballë disa modeleve, që nuk përfaqësojnë shumicën, por që rezultojnë se pasurohen shumë shpejt në një ekonomi të shtrembëruar nga kanalizimi i parave informale dhe abuzimeve me paratë publike, përmes tenderave. Për të dytin vit radhazi, fitimet e 200 kompanive më të mëdha janë në stanjacion, për shkak të rritjes së shpejtë të kostove, duke sinjalizuar për frenime të investimeve në të ardhmen. Ndërtimi vijon të dominojë në listë si sektori që ka tërhequr kapitalin e lirë vitet e fundit, ndonëse fitimet e tij po vijnë në rënie. Sipërmarrjet nga industria janë me pikatore, teksa vendi po kthehet gradualisht në një supermarket të madh të Europës. Shtimi i kostove ka bërë që dhe rënia e Euros të mos arrijë të transferohet në lehtësimin e kostove të jetesës së konsumatorëve, ndërsa eksportuesit dhe industria e turizmit po goditen direkt nga forcimi i monedhës vendase. Shqipëria fiton nga ndërtimi dhe tregtia, Serbia dhe Maqedonia e Veriut nga industria

 

Ornela Liperi

Që bizneset të rriten, të investojnë në teknologji, të zgjerojnë kapacitetet prodhuese, të hapin vende të reja pune dhe të rrisin pagat, duhet në radhë të parë të jenë fitimprurëse.

Fitimi nuk është thjesht shpërblimi i sipërmarrësit për kapitalin dhe rrezikun që merr përsipër, por dhe burimi kryesor i investimeve të reja, që përmes zgjerimit të aktivitetit, punësimit dhe konsumit, e rikthen vlerën e krijuar në ekonomi dhe nxit zhvillimin e saj.

Pa fitime të qëndrueshme, kompanitë humbasin mundësinë për t’u zgjeruar, për të inovuar dhe për të konkurruar në tregje më të mëdha.

Por ekonomia shqiptare jo vetëm që po krijon gjithnjë e më pak hapësira për fitime të qëndrueshme, të mbështetura te prodhimi dhe konkurrenca, por një pjesë e madhe e fitimeve që gjenerohen nuk po rishpërndahet natyrshëm në ekonomi përmes investimeve produktive, teknologjisë dhe vendeve të reja të punës.

Çdo vit, kjo tendencë sa po bëhet më e dukshme. Në këto vitet e fundit koncesionet, në modelin që përdornin paratë publike, u kthyen me shpejtësi në biznesin më fitimprurës në vend, në aspektin e normave të fitimit të realizuar nga ai aktivitet.

Nga rreth 1 miliard euro që buxheti i shtetit ka paguar në 2017-2025 për 12 kontrata koncesionare, 44% e kësaj shume është në hetim, me një pjesë të madhe të fondeve që nuk dihet ku kanë shkuar, apo kanë pasur efekt minimal në ekonomi.

Teksa këtyre projekteve më në fund po u vjen fundi, janë dy fenomene të tjera, që shtrembërojnë ekonominë dhe kanë marrë përmasa gjithnjë e më të shqetësuese në 2025-n.

I pari është hyrja e parave informale në ndërtim, sektor që ofron mundësi për investimin e shumave të mëdha dhe qarkullimin e tyre përmes tregut të pasurive të paluajtshme.

Fenomeni i dytë është abuzimi i dyshuar me fondet e taksapaguesve përmes prokurimeve publike. Tenderat kanë krijuar hapësira për sipërmarrje që realizojnë fitime të larta, shpesh të lidhura me njëra-tjetrën përmes kontratave, nënkontraktimeve dhe faturimeve për shërbime.

Në vend që kapitali, që në fakt buron nga paratë e taksapaguesve, të rishpërndahet në ekonomi përmes konkurrencës, investimeve dhe krijimit të vendeve të punës, hetimet kanë ngritur dyshime për përqendrimin dhe transferimin e përfitimeve drejt një rrethi të kufizuar subjektesh, apo individësh me atribute në vendimmarrjen e administrimit të këtyre fondeve. Një pjesë e këtyre parave mund të rikthehet në pasuri të paluajtshme, duke ushqyer të njëjtin cikël.

 

Fenomeni

Tenderat kanë krijuar hapësira për sipërmarrje që realizojnë fitime të larta, shpesh të lidhura me njëra-tjetrën përmes kontratave, nënkontraktimeve dhe faturimeve për shërbime. Në vend që kapitali, që në fakt buron nga paratë e taksapaguesve, të rishpërndahet në ekonomi përmes konkurrencës, investimeve dhe krijimit të vendeve të punës, hetimet kanë ngritur dyshime për përqendrimin dhe transferimin e përfitimeve drejt një rrethi të kufizuar subjektesh, apo individësh me atribute në vendimmarrjen e administrimit të këtyre fondeve. Një pjesë e këtyre parave mund të rikthehet në pasuri të paluajtshme, duke ushqyer të njëjtin cikël.

 

Lexoni edhe: IT, operatorët privatë çojnë 50-80% të të ardhurave për personelin; ata me tendera, norma fitimi 90%

 

Ky model po bëhet gjithnjë e më i dukshëm edhe në rezultatet financiare të sipërmarrjeve.

Ndonëse janë një numër i kufizuar dhe nuk përbën një rast përgjithësues për shumicën e bizneseve që mundohen të fitojnë në një mjedis të vështirë biznesit, si asnjëherë tjetër në renditjen e këtij viti ka infiltrime të subjekteve të cilat kanë përfunduar në rrjetën e SPAK (ne mjaft raste me akuza për përfshirje në grupe kriminale).

Edhe pse këto janë raste ende sporadike, ky gjithsesi mbetet një fenomen shumë shqetësues.

Në vëmendjen e SPAK-ut vitin e fundit kanë qenë shoqëri të përfshira në koncesione, ndërtimin e veprave publike, zhvillimin e pasurive të paluajtshme dhe në ofrimin e shërbimeve e sistemeve informatike për institucionet publike për faktin e përmasës që përfaqëson një subjekt tregtar në këtë nivel.

Ndër to, ka raste kur subjektet që punojnë me tendera publikë kanë norma fitimi shumë më të larta se të njëjtat sipërmarrje në të njëjtën fushë, që punojnë me klientë jashtë sektorit publik, si p.sh. në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Shoqëri që kanë përfituar nga tenderat shtetërorë, – qëllimi i të cilave është të mundësojnë një konkurrencë të hapur dhe për pasojë një normë fitimi relativisht të ulët, – kanë deklaruar norma fitimi që arrijnë rreth 40%, ose dhe më shumë, madje deri në nivelin e pazakontë prej 93% në një rast të vitit 2024.

Shpenzimet e personelit në disa prej këtyre kompanive zënë një pjesë minimale të të ardhurave, duke zbritur deri në rreth 2%.

Në anën tjetër, kompanitë që zhvillojnë software dhe ofrojnë shërbime outsourcing për klientët ndërkombëtarë kanë një strukturë krejt tjetër të aktivitetit. Shpenzimet e personelit u marrin zakonisht 50–80% të të ardhurave, pasi ky aktivitet normalisht mbështetette specialistë të kualifikuar, me paga të larta, që përbëjnë bazën e biznesit.

Përfitueshmëria e tyre është përgjithësisht më e ulët, ndërsa zgjerimi kërkon punonjës të rinj, trajnim dhe investime të vazhdueshme, teksa efekti në punësim mbetet domethënës, pasi këto kompani tërheqin të rinj të arsimuar me paga të larta.

Ky i fundit duhet të ishte modeli që duhet të kishte marrë vëmendjen e sipërmarrësve vitet e fundit në një epokë ku zhvillime e vrullshme teknologjike ofrojnë shumë mundësi. Por ekonomia shqiptare po krijon gjithnjë e më pak hapësira për një përfitueshmëri të qëndrueshme, të mbështetur te prodhimi, produktiviteti dhe konkurrenca.

Aktiviteti me tenderat publikë dhe ndërtimi mbeten dy nga sektorët më fitimprurës të ekonomisë. Në listën e 200 kompanive më të mëdha sipas fitimeve për vitin 2025, 70 prej tyre janë të përfshira në ndërtimin rezidencial dhe sektorët e lidhur me të, si dhe në koncesione, punë publike e shërbime për institucionet shtetërore, përfshirë tenderat për sistemet informatike.

Modeli i shtrembëruar po reflektohet në ekonominë që formësohet në ndikimin e këtyre faktorëve që përmendëm më sipër, ndonëse dy vitet e fundit në shifrat e rritjes këtë po e fsheh ndikimi ekonomik i rritjes së administratës publike.

Ndonëse ekonomia u rrit me 3.66% në 2025-n, për të dytin vit radhazi, kontributi i taksave neto (me 1.2 pikë përqindje) dhe administratës publike (1.64 pikë përqindje) është më i lartë se ai i sektorëve të tjerë të ekonomisë, duke ndikuar në gati 78% të rritjes, nga 52% një vit më parë.

Ndikimi i administratë publike lidhet me garën e ethshme të qeverisë për të barazuar pagat me rajonin (që sërish nuk e arriti pasi shtetet e tjera nuk qëndruan në vend).

Kjo dha efekt në të ardhurat nga taksat, me një të tretën e shtesës që erdhi nga sigurimet shoqërore e tatimi mbi të ardhurat, krahas konsumit të shtuar nga turizmi.

Nëse fusim në ekuacion dhe ndërtimin dhe pasuritë e paluajtshme (përkatësisht 0.5 dhe 0.4 pikë përqindje), kontributi i sektorëve të tjerë është negativ për herë të parë që nga viti 1996, kur raportohen të dhënat, i ndikuar nga ecuria negative e bujqësisë dhe industrisë. (janë përjashtuar vitet 1997 dhe 2020, kur trendi i ekonomisë ishte negativ për shkak të përkatësisht krizës së piramidave dhe pandemisë së Covid 19).

 

Burimi: INSTAT

 

Edhe pse ekonomia në tërësi vijon të zgjerohet, rritja e dy viteve të fundit, e mbështetur kryesisht tek administrata publike dhe të ardhurat nga taksat, po fsheh dobësimin e sektorëve të tjerë.

Fitimet po përqendrohen në një numër të kufizuar aktivitetesh, ndërsa bizneset që kërkojnë investime afatgjata dhe angazhim të madh të fuqisë punëtore po përballen me kosto në rritje dhe kthime gjithnjë e më të pasigurta.

Edhe ndërtimi, që tërhoqi një pjesë të madhe të kapitalit të lirë gjatë viteve të fundit, po shfaq shenja maturimi dhe me sa duket demografia po e ndikon me trendin e saj rënës.

Ndonëse vijon të jetë ndër sektorët më fitimprurës, ritmet e rritjes së fitimeve janë ngadalësuar dhe një pjesë e kompanive po raportojnë rënie. Në energji, një tjetër sektor fitimprurës që tërhoqi kapital vitet e fundit, hapësirat për investime të reja në hidrocentrale janë kufizuar.

Edhe vala e re drejt biznesit të diellit ka shfaqur stanjacion të fitimeve në vitin 2025.

 

Lexoni edhe: Edhe ndërtimi fillon të lëshojë terren për fitimet, sidomos projektet rezidenciale

 

Në kahun tjetër, industria po përjeton rënie të vazhdueshme. Për herë të parë që nga fillimi i tranzicionit drejt ekonomisë së tregut, prodhimi industrial është tkurrur për tre vite radhazi, gjatë periudhës 2023-2025.

Industria përpunuese, një nga sektorët më të rëndësishëm për punësimin dhe eksportet, po humbet terren për shkak të kostove të larta, mungesës së fuqisë punëtore dhe dobësimit të konkurrueshmërisë.

 

Lexoni edhe: Dilema e madhe e industrisë dhe përpunimit agroushqimor

 

Situata është edhe më shqetësuese në skenarin e një integrimi të përshpejtuar në Bashkimin Europian, kur industria, sidomos ajo përpunuese dhe ushqimore, duhet të investojë për të përmbushur standardet e tregut të përbashkët.

Modernizimi i linjave të prodhimit, digjitalizimi i proceseve, certifikimet dhe përmirësimi i standardeve të cilësisë e mjedisit kërkojnë kapital të konsiderueshëm, ndërsa përfitueshmëria e ulët po ua kufizon kompanive mundësinë për t’i realizuar këto investime.

Pa modernizim dhe rritje të produktivitetit, sipërmarrjet shqiptare do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të konkurrojnë në tregun europian, si për nga cilësia, ashtu edhe nga kostot.

Dobësimi i prodhimit vendas po e shton varësinë nga importet, ndërkohë që konsumatorët përballen me çmime të larta, sidomos për produktet ushqimore.

Është domethënës fakti që në listën e “Monitor 200” sipas fitimeve ka vetëm 6 shoqëri me kapital vendas në industrinë përpunuese.

 

Lexoni edhe: Alessandro de Concini: Shqipëria ka një mundësi reale për të riorientuar modelin e saj të rritjes drejt industrisë

 

Uji i ambalazhuar është ndër aktivitetet më fitimprurëse të industrisë ushqimore. Ai mbështetet në një treg të brendshëm relativisht të garantuar, për shkak të problemeve me cilësinë dhe furnizimin me ujë të pijshëm nga rrjeti, ndërsa shtimi i turistëve, sidomos në sezonin veror, ka zgjeruar më tej kërkesën.

Ndryshe nga shumë aktivitete të tjera përpunuese, prodhuesit e ujit përballen me një treg në rritje dhe me më pak kompleksitet në sigurimin e lëndës së parë.

Turizmi, megjithëse ka nxitur konsumin dhe kërkesën për mallra e shërbime, ka dhënë një impuls të kufizuar për industrinë përpunuese.

Ndër përfituesit kryesorë janë prodhuesit e ujit të ambalazhuar dhe industria e përpunimit të miellit, ndërsa një pjesë e madhe e kërkesës shtesë për produkte të tjera konsumi duket se është plotësuar nga importet.

Një tjetër faktor që po ndikon në përfitueshmërinë e sipërmarrjeve është zhvlerësimi i vazhdueshëm i Euros.

Efektet negative janë më të forta për eksportuesit, hotelerinë dhe bizneset e turizmit shëndetësor, sidomos klinikat dentare, që një pjesë të madhe të të ardhurave i realizojnë në valutë, ndërsa shpenzimet e brendshme, veçanërisht pagat, i paguajnë në lekë.

Forcimi i monedhës vendase po u ul të ardhurat e shprehura në lekë dhe po ushtron presion të vazhdueshëm mbi normat e fitimit.

Në kahun tjetër, përfitimet e pritshme nga Euro e dobët nuk po reflektohen në të njëjtën masë tek importuesit dhe konsumatorët.

Ndonëse mallrat e blera jashtë vendit kushtojnë më pak në lekë, kompanitë importuese deklarojnë se kursimet nga këmbimi janë përdorur kryesisht për të amortizuar rritjen e shpenzimeve të tjera, sidomos pagave, transportit dhe kostove operative.

Për rrjedhojë, ulja e kostove të importit nuk është transferuar plotësisht në çmimet e shitjes, duke kufizuar përfitimin e konsumatorëve nga forcimi i Lekut.

 

Burimi: INSTAT

 

Sinjalet janë që ekonomia reale ka filluar të ndiejë këtë model të paqëndrueshëm.

Të dhënat e përpunuara nga “Monitor”, bazuar në renditjen e 200 kompanive me fitime më të mëdha në vend, tregojnë se fitimet e sipërmarrjeve të mëdha ishin rreth 169 miliardë lekë në vitin 2025, pothuajse në të njëjtat nivele me fitimin e realizuar nga subjektet e listës së njëjtë të vitit të mëparshëm, pas rënies me 6% në 2024-n.

Prej dy vitesh, fitimet janë në rënie ose në stanjacion, për herë të parë që nga viti 2018 kur publikohet lista e 200 sipërmarrjeve me rezultat më të lartë financiar (duke përjashtuar gjithmonë 2020-n, që nuk ishte një vit normal, për shkak të bllokimit të ekonomisë nga pandemia).

 

Burimi: INSTAT

 

Tkurrja e fitimeve po reflektohet edhe në treguesit e buxhetit të konsoliduar. Sipas Ministrisë së Financave, të ardhurat nga tatimfitimi zbritën në 2.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2025, nga 2.3% në vitin 2024 dhe 2.7% në vitin 2023.

Në Serbi, ku zbatohet e njëjta normë tatimfitimi prej 15%, të ardhurat nga taksimi i korporatave ishin më të larta, në 2.7% të PBB-së në vitin 2025, nga 3% një vit më parë, sipas të dhënave të FMN-së.

Në Maqedoninë e Veriut, ndonëse norma e tatimfitimit është më e ulët, në 10%, të ardhurat nga ky tatim arritën në 2.1% të PBB-së, pothuajse në të njëjtin nivel me Shqipërinë.

Por, ndërsa në Serbi, rënia e peshës së tatimfitimit u shoqërua me ngadalësim të ndjeshëm të ekonomisë, nga 4% në vitin 2024 në 2.1% në vitin 2025, në Shqipëri të ardhurat nga tatimfitimi vijuan të bien në raport me PBB-në, megjithëse ekonomia u rrit me rreth 3.7%.

Diferenca mes zgjerimit të ekonomisë dhe ecurisë së të ardhurave nga fitimet e bizneseve, përforcon shqetësimin se rritja ekonomike nuk po shoqërohet me përmirësim të përfitueshmërisë së sipërmarrjeve.

Edhe në vlerë absolute, rritja e të ardhurave nga tatimfitimi në Shqipëri ishte minimale. Arkëtimet u shtuan me vetëm 1.5 miliardë lekë, ose 2.6%, krahasuar me vitin 2024, ndërsa të ardhurat totale të buxhetit u rritën me 6.2% dhe të ardhurat tatimore me 8.7%.

Diferenca është edhe më e dukshme në krahasim me tatimin mbi të ardhurat personale, që u rrit me 24.8%, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që u shtuan me 10.8%, dhe TVSH-në, me rritje prej 6.2%.

Ndërsa buxheti po arkëton gjithnjë e më shumë nga pagat dhe konsumi, të ardhurat nga fitimet e bizneseve po rriten shumë më ngadalë.

Të llogaritura në mënyrë indirekte, bazuar në tatimfitimin e paguar në vitin 2025 prej 58.5 miliardë lekësh dhe normën prej 15%, fitimet e tatueshme të sipërmarrjeve në vend vlerësohen në rreth 390 miliardë lekë, nga 380 miliardë lekë në vitin 2024.

Nga këto, 200 kompanitë më fitimprurëse, me një rezultat të përbashkët prej 169 miliardë lekësh, gjeneruan rreth 43.3% të totalit, nga 44% një vit më parë.

Tendenca e fitimeve është përkeqësuar në vitin 2026. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, për periudhën janar-shtator, të ardhurat nga tatimfitimi ranë me 6.5%, në 42.3 miliardë lekë.

Në të njëjtën periudhë, të ardhurat totale të buxhetit u rritën me 11.3%, arkëtimet nga TVSH-ja me 11.5%, nga akcizat me 4.2% dhe nga tatimi mbi të ardhurat personale, me 15.5%.

Përballë këtij kontrasti, qeveria ka propozuar ashpërsimin e masave për mbledhjen e tatimeve.

Nga 1 janari 2027, parapagimi i tatimfitimit parashikohet të trajtohet si detyrim tatimor, duke mundësuar zbatimin e procedurave të mbledhjes me forcë në rast mospagese. Fillimisht u propozua edhe rritja e normës së tatimfitimit nga 15% në 17%, por qeveria u tërhoq pas kundërshtimeve të bizneseve.

Ndërkohë, Paketa Fiskale ruan propozimin për rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, duke filluar nga 1 janari 2027, edhe për fitimet e akumuluara në vitet e mëparshme që shpërndahen pas kësaj date.

Ministria e Financave ka argumentuar në relacionin që shoqëron propozimin, që rritja e tatimit mbi dividendin do të nxisë sipërmarrjet të çojnë një pjesë më të lartë të fitimeve për investimeve, por bizneset pohojnë që shanset që kjo të ndodhë janë shumë të ulëta.

Në një situatë stanjacioni të fitimeve, ka më shumë të ngjarë që biznesi të heqë dorë nga investimi, sesa të ndryshojë planet që ka pasur për nivelet e planifikuara që më parë të shpërndarjes së dividendit.

 

Burimi: INSTAT

 

Argumenti nën zë i qeverisë për “sulmin” ndaj fitimeve të biznesit është se rritja e arkëtimeve nga TVSH-ja dhe akcizat nuk po shoqërohet me zgjerimin përkatës të tatimfitimit, duke ngritur dyshime për fitimet e deklaruara.

Sipërmarrjet, nga ana tjetër, kundërshtojnë shtimin e barrës fiskale dhe argumentojnë se rritja e kostove, veçanërisht e pagave, po u gërryen marzhet dhe po kufizon fitimet.

Të dhënat tregojnë se realisht, rritja e kostove të punës është kthyer në një nga faktorët kryesorë që po ushtrojnë presion mbi fitimet e sipërmarrjeve.

Nga 178 kompanitë e renditjes së “Monitor 200” që kanë të dhëna të krahasueshme për shpenzimet e personelit, 157 prej tyre, ose 88%, i rritën këto shpenzime në vitin 2025.

Në total, kostot e personelit u shtuan me 11.3%, ose rreth 7.2 miliardë lekë, duke arritur në 71.2 miliardë lekë.

Rritja e pagave, e nxitur nga mungesa e fuqisë punëtore dhe konkurrenca për punonjës, po u merr një pjesë gjithnjë e më të madhe të të ardhurave bizneseve, ndërsa fitimet e 200 kompanive më të mëdha kanë mbetur pothuajse në vendnumëro.

Presioni është veçanërisht i fortë për aktivitetet që mbështeten te puna dhe nuk kanë mundësi ta transferojnë plotësisht rritjen e kostove në çmimet e shitjes.

Si çdo vit, Revista publikon renditjen e “Monitor 200”, sipas fitimeve, pas asaj të “200 më të mëdhenjve”, sipas të ardhurave, bazuar në listën e marrë nga Tatimet dhe bilancet e depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).

Rreth 30% e kompanive në listën e “Monitor 200” deklaruan rënie të fitimeve në vitin 2025 në krahasim me një vit më parë.

Pothuajse gjysma e kompanive në renditje, ose 49.5%, kishin një normë fitimi midis 10 dhe 30%; 28.5% e kishin normën mbi 30%, ndërsa 22% e sipërmarrjeve deklaruan norma fitimi nën 10%.

Kufiri i kompanisë së dhjetë për nga fitimet në vlerë absolute ishte 2.2 miliardë lekë në vitin 2021, u rrit në 3.6 miliardë lekë në vitin 2022 dhe arriti në 4 miliardë lekë në vitin 2023, për të zbritur në 3.4 miliardë lekë në vitin 2024, nivel që mbeti pothuajse i pandryshuar edhe në vitin 2025.

Pragu i hyrjes në renditjen e “Monitor 200” u rrit lehtë, nga rreth 210 milionë lekë në vitin 2024 në 222 milionë lekë në vitin 2025.

Ndryshe nga renditja e “Monitor 200” sipas të ardhurave, ku kompanitë kryesore janë relativisht të qëndrueshme në vite, lista e fitimeve ka luhatje më të mëdha, për shkak të natyrës ciklike të përfitueshmërisë në shumë sektorë.

 

Sektorët që fitojnë më shumë

Ndërtimi po vijon të tërheqë vitet e fundit kapitalet e lira të sipërmarrjeve, i nxitur nga normat e larta të fitimit, të fryra edhe nga hyrja e parave informale në ekonomi.

Për të dytin vit radhazi në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve, mbizotërojnë sipërmarrjet, që janë të lidhura direkt ose indirekt me ndërtimin, 38 të tilla, gjithsesi në rënie nga 42 që ishin një vit më parë.

Megjithatë, revanshi i fitimeve të ndërtimit po shfaq shenja ngadalësimi. Në vlerë, fitimet e 38 kompanive të ndërtimit dhe të lidhura me to u rritën me 7.7%, nga 12% dhe 45%, që kishte qenë zgjerimi për dy vitet e mëparshme.

Kjo rritje e shpejtë e fitimeve në 2022-2023 shpjegoi dhe “dyndjen” e investimeve dhe kapitaleve të lira drejt ndërtimit.

Në të njëjtën linjë dhe normat e fitimit u përmirësuan dukshëm nga 10.8% në 2019-n, në 27% në vitin 2023. Por, dy vitet e fundit kanë sjellë rënie të përfitueshmërisë, teksa norma e fitimit të shoqërive nga ky segment në listën e 200-shes u reduktua në rreth 20% në 2024-n dhe 17% në vitin 2025.

Energjia, e cila po bëhej ndërtimi i ri, ka parë dhe ajo ngadalësim të fitimeve, teksa dhe hapësirat e reja për të hyrë në treg po ezaurohen. Edhe segmenti i energjisë nga dielli, që pa një lulëzim të vërtetë në renditjen e 2024-s, nuk shënoi zhvillim shumë pozitiv në 2025-n.

Gjithsesi, energjia vijon të mbetet sektori më fitimprurës në ekonomi, me norma kthimi mbi 30%, kryesisht për hidrocentralet e vogla, duke vijuar të ketë prani të rëndësishme, me 17 shoqëri private të prodhimit dhe tregtimit në listë.

Koncesionet, një nga sipërmarrjet më fitimprurëse në dekadën e fundit, ndonëse po bien nga piedestali, teksa shumica e tyre janë drejt përfundimit dhe për momentin nuk ka të reja, vijojnë të mbeten sektori i dytë më fitimprurës në ekonomi, me përmirësim të lehtë të normës së fitimit, në 29%, nga 25% në 2024-n, por larg niveleve të 40-50% të disa viteve më parë.

Bankat vijojnë të mbeten një nga sektorët me rezultat më të shëndetshëm në ekonomi. Pasi shënuan fitime rekord, për dy vjet me radhë, të ndikuara nga një mjedis me norma ende të larta interesi, në 2025-n, tendenca ishte në ulje të lehtë.

Ndonëse kanë norma dyshifrore fitimi, në krahasim me bankat e tjera të rajonit, përfitueshmëria është më e ulët. Në vitin 2025, norma e fitimit të bankave ishte 32%, nga 34-39% në vendet e tjera të rajonit, ku rekordin e mban Bosnjë-Hercegovina.

Në tregun financiar, sigurimet shënuan rritje të fortë të fitimeve dhe të normës, që gjithsesi mbetet më e ulët se e bankave.

Biznesi i kujdesit për shëndetin, një aktivitet me humbje prej më se një dekade, më në fund u është kthyer fitimeve në nivele relativisht të larta.

Në epokën e teknologjisë së informacionit, numri i sipërmarrjeve nga ky segment numërohet me gishtat e dorës, dhe normat e fitimit ishin të larta vetëm për kompanitë që punonin me tenderat publikë.

Normat e fitimit mbeten të ulëta edhe për distributorët e mëdhenj të produkteve që lëvizin shpejt nga rafti, një sektor që po ndien pasojat e tkurrjes së konsumit të brendshëm.

Supermarketet e mëdha panë tkurrje të fitimeve në vitin 2025, të ndikuara nga luhatjet e kursit të këmbimit dhe shtimi i konkurrencës.

Për të dytin vit radhazi, në listën e “Monitor 200”, ka dy struktura të mëdha hoteliere, në linjë me zhvillimet pozitive të këtij sektori. Në kontrast, pjesa më e madhe e hoteleve, sidomos në kryeqytet, raportojnë norma shumë të ulëta fitimi, të ndikuara dhe nga rënia e Euros, që ndryshe nga pasuritë e paluajtshme e kanë të vështirë ta transferojnë në çmim.

Kthimi i vendit në një destinacion turistik, krahas ndikimit direkt e indirekt në ekonomi, konsum, investime në struktura akomoduese, etj., po nxit edhe një segment tjetër, atë të turizmit shëndetësor, kryesisht atij dentar, ndonëse dhe ky segment po ngadalësohet dy vitet e fundit.

Tregtimi i hidrokarbureve vijon të jetë një biznes që qarkullon shumë para, por ka pak ose aspak fitime, me norma që janë shpesh dhe më pak se 1%. Në vitin 2025, ky sektor pa gjithsesi një përmirësim të lehtë i nxitur nga cikli në rënie i çmimeve në bursa, që nuk u reflektua në tregun vendas.

 

Shqipëria fiton nga ndërtimi dhe tregtia, Serbia dhe Maqedonia e Veriut nga industria

Krahasimi i kompanive më fitimprurëse në Ballkanin Perëndimor nxjerr në pah dallime të mëdha në strukturën e ekonomive.

Në Shqipëri, kapitali dhe fitimet përqendrohen te ndërtimi, energjia dhe aktivitetet tregtare, ndërsa në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut, industria përpunuese ka një rol shumë më të rëndësishëm, sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor” bazuar në renditjen e mëparshme të kompanive më të mëdha në Ballkanin Perëndimor.

Në Shqipëri, 38 kompanitë e ndërtimit dhe aktiviteteve të lidhura me të realizuan rreth 22 miliardë lekë fitime në vitin 2025, me një normë mesatare rreth 17%. Energjia mbeti sektori më fitimprurës, me normë mbi 30%, e ndjekur nga koncesionet, me rreth 29%.

Në kontrast, industria përpunuese kishte normë fitimi vetëm 5.6%, ndërsa vetëm gjashtë shoqëri me kapital vendas nga ky sektor hynë në renditjen e 200 më fitimprurëseve.

 

Lexoni edhe: Fitimet japin sinjale rënëse, por ndërtimi pritet të vazhdojë, krahasimi me rajonin

 

Në Shqipëri, normat e fitimit të zhvilluesve kryesorë rezidencialë dhe turistikë arrijnë dhe mbi 50%, ndjeshëm më të larta se ato të projekteve të mëdha të ngjashme në Serbi dhe Mal të Zi.

Kjo përfitueshmëri e lartë ka nxitur orientimin e kapitaleve drejt apartamenteve, vilave dhe resorteve turistike, duke e kthyer zhvillimin e pronave në një nga aktivitetet më tërheqëse për investimet private.

Në Serbi, nga 100 kompanitë më fitimprurëse, 34 janë nga industria nxjerrëse dhe përpunuese, duke gjeneruar së bashku 54.3% të fitimeve neto, kundrejt vetëm 7.7% në Shqipëri.

Ndërtimi zë vetëm 9.2% të fitimeve të kompanive më të mëdha serbe. Edhe Maqedonia e Veriut ka një bazë të rëndësishme prodhuese, sidomos në industrinë automotive dhe farmaceutike.

Prodhuesi i katalizatorëve “Johnson Matthey” realizoi rreth 73 milionë euro fitime në vitin 2025, që është 46% më shumë se fitimi më i lartë kompanisë së parë në listën e “Monitor 200” në Shqipëri, përjashtuar bankat, që është rreth 50 milionë euro.

Kompania farmaceutike “Alkaloid” kishte rreth 29 milionë euro fitim neto. Si Serbia, ashtu dhe Maqedonia e Veriut, kanë zhvilluar sipërmarrje të mëdha industriale, të orientuara drejt eksporteve.

Në aktivitetet tregtare, Shqipëria paraqet një panoramë tjetër. Distributorët e mallrave të konsumit kanë përgjithësisht norma më të larta fitimi se operatorët e mëdhenj të rajonit.

Në Shqipëri, normat para tatimit arrijnë deri në 18.6%, ndërsa në vendet e tjera, shumica e distributorëve regjistrojnë norma neto nën 6%.

Edhe tregtimi i veshjeve rezulton më fitimprurës në Shqipëri, ku disa rrjete kanë norma 18–40%, kundrejt 3–21% në rajon. Supermarketet janë më të krahasueshme, me norma neto kryesisht 2–5%.

Tregtimi i karburanteve, përkundrazi, ka norma të ulëta fitimi në të gjithë rajonin. Në Shqipëri, tregtuesit kryesorë me shumicë regjistrojnë përgjithësisht norma nën 2%, ndërsa në vendet fqinje, operatorët e mëdhenj realizojnë zakonisht 1–4%.

Edhe pse qarkullojnë shuma të mëdha, vetëm një pjesë e vogël e të ardhurave mbetet si fitim.

 

Lexoni edhe: Nafta, çmimet në rënie në dogana, por jo në tregun e pakicës, normat e fitimit në rritje të lehtë

 

Në sektorin bankar, Shqipëria, me normë fitimi para tatimit prej 32.8%, renditet e fundit në Ballkanin Perëndimor, ku përfitueshmëria luhatet nga 33.8% në rreth 38%.

Në energji, Shqipëria ka një avantazh natyror ndaj vendeve të rajonit, falë burimeve të shumta ujore që mundësojnë prodhimin e energjisë me kosto relativisht të ulët. Ky sektor gjeneron 34% të fitimeve të 100 kompanive më të mëdha shqiptare, kundrejt vetëm 9% në Serbi.

Përfitueshmëria e operatorëve privatë është e lartë, me normë mesatare mbi 30%, ndërsa disa hidrocentrale të vogla arrijnë norma fitimi 50–70%.

 

Luhatjet e Euros, ndikojnë fitimet e bizneseve

Forcimi i Lekut vijoi të ndikojë përfitueshmërinë e sipërmarrjeve edhe në vitin 2025, ndonëse ritmi i zhvlerësimit të Euros ishte më i ngadaltë se në vitet e mëparshme. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye mesatarisht me 97.83 lekë në vitin 2025, niveli më i ulët historik.

Në krahasim me një vit më parë, monedha europiane u zhvlerësua me 2.8%, ndërsa kundrejt vitit 2023, humbja e vlerës arrin në 10%. Në raport me vitin 2021, Euro është 20% më e dobët dhe kundrejt vitit 2016 ka humbur gati 29% të vlerës.

Efektet e këtij zhvlerësimi të vazhdueshëm janë bërë veçanërisht të ndjeshme për eksportuesit, industrinë përpunuese, hotelerinë dhe turizmin shëndetësor. Kompanitë që arkëtojnë në Euro realizojnë më pak të ardhura në Lek, ndërsa shpenzimet e brendshme, sidomos ato të personelit, vijojnë të rriten.

Për eksportuesit, kjo goditje i shtohet konkurrencës së fortë në tregjet ndërkombëtare, ndërsa strukturat akomoduese dhe klinikat dentare e kanë të vështirë ta kompensojnë plotësisht përmes rritjes së çmimeve.

Në kahun tjetër, Euro e dobët ka ulur kostot e blerjes së mallrave nga jashtë, por përfitimi nuk është reflektuar në të njëjtën masë në fitimet e importuesve apo në çmimet për konsumatorët.

Distributorët dhe tregtuesit argumentojnë se kursimet nga këmbimi janë përdorur kryesisht për të përballuar shtimin e shpenzimeve operative, veçanërisht rritjen e pagave.

Si rrjedhojë, ndërsa prodhuesit vendas dhe eksportuesit po humbasin konkurrueshmëri, konsumatorët nuk po përfitojnë plotësisht nga importet më të lira.

Në vitin 2025, ndikimi i drejtpërdrejtë i kursit të këmbimit ishte më i kufizuar se në dy vitet e mëparshme, por bizneset vazhduan të përballen me efektin e akumuluar të forcimit të Lekut.

Për aktivitetet me marzhe të ulëta, kjo ka reduktuar më tej hapësirat për fitime dhe investime, ndërsa rritja e kostove të punës e ka bërë edhe më të vështirë përshtatjen me kursin e ri të këmbimit.

 

Burimi: INSTAT

 

DHJETË KOMPANITË ME FITIMET MË TË LARTA NË VLERË ABSOLUTE

1.“Banka Kombëtare Tregtare”

“Banka Kombëtare Tregtare” (BKT) është renditur për të dytin vit radhazi si kompania më e madhe në vend për fitimet.

Fitimi para taksave i bankës më të madhe në vend (sipas të ardhurave e aktiveve) ishte 9.45 miliardë lekë (me rënie 9% në krahasim me vitin e mëparshëm).

Të ardhurat ishin 24.5 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin e mëparshëm.

“Viti 2025 shënoi një performancë të fortë dhe rezultate të qëndrueshme për BKT-në.

Banka realizoi një fitim neto prej 128 milionë dollarësh amerikanë dhe kthim mbi kapitalin prej 28%, duke dëshmuar aftësinë e saj për të krijuar vlerë të qëndrueshme, krahas ruajtjes së fuqisë dhe stabilitetit financiar”, citohet në raportin vjetor Seyhan Pencablıgil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar Bordi i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT).

 

2.“Raiffeisen Bank”

Për të dytin vit radhazi, dy banka kryesojnë renditjen e fitimeve. “Raiffeisen Bank” është edhe në 2025-n në vend të dytë në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve. Fitimi para taksave ishte 8.9 miliardë lekë, me tkurrje të lehtë prej 1% me bazë vjetore.

Të ardhurat arritën në 20.6 miliardë lekë, me zgjerim prej 4%.

“Raiffeisen Bank Shqipëri shënoi një performancë të fortë financiare dhe rritje të qëndrueshme në të gjitha segmentet e biznesit gjatë 2025-s. Banka ka një total aktivesh prej rreth 325 miliardë lekësh dhe një kthim mbi kapitalin që tejkakon 24%, ndjeshëm mbi mesataren e tregut.

Raiffeisen Bank forcoi pozicionin e saj si Market Maker për kuotimet në lekë në tregun e këmbimeve valutore përmes platformës digjitale të Grupit Raiffeisen, duke mundësuar çmime dinamike në kohë reale për këmbimet valutore në nivel grupi.

Gjithashtu, Raiffeisen Bank u konsolidua si lider i tregut për volumin e tregtimit në tregun lokal të letrave me vlerë”, citohet Christian Canacaris, Drejtor i Përgjithshëm, Kryetar i Drejtorisë, “Raiffeisen”, në raportin vjetor.

 

3.“Trans Adriatic Pipeline AG Albania”

“Trans Adriatic Pipeline AG Albania” ka si aktivitet kryesor në Shqipëri të planifikojë, të zhvillojë, të ndërtojë dhe të operojë sistemin e tubacionit të gazit natyror TAP.

Shoqëria është në fazën e operimit që prej datës 15 nëntor të vitit 2020. Më 31 dhjetor 2020, TAP filloi transportin e gazit natyror nga Azerbajxhani në Europë dhe infrastruktura vijon të funksionojë në përputhje me standardet më të larta të industrisë.

Deri më sot, TAP ka transportuar më shumë se 63.5 bcm gaz natyror në Europë. TAP mund të kontribuojë më tej në sigurinë energjetike në Europë dhe në objektivat e dekarbonizimit përmes zgjerimit gradual të kapacitetit të tubacionit, në përgjigje të kërkesës së tregut.

Faza e parë e këtij zgjerimi ka përfunduar tashmë, duke vënë në dispozicion një shtesë të kapacitet afatgjatë të transportit prej 1,2 miliardë metra kub në vit (bcm/a). Kapaciteti i TAP-it mund të zgjerohet në faza, deri në mbi 20 miliardë metra kub në vit (bcm/a).

Shoqëria, sipas raportit të aktivitetit, është një degë e Trans Adriatic Pipeline (TAP) AG Zvicër, selia qendrore dhe nuk kryen ndonjë veprimtari të pavarur nga selia qendrore. Objektivi i vetëm i saj është të ndërtojë, të operojë dhe të mirëmbajë gazsjellësin që kalon në territorin e Shqipërisë dhe të trajtojë çështjet ligjore dhe tatimore që lidhen me një aktivitet të tillë në vend.

Tashmë në fazë operacionale, dega e Shqipërisë deklaroi të ardhura të atribuuara prej 17 miliardë lekësh në 2025-n dhe fitime rreth 7.2 miliardë lekë, duke u renditur e treta për nga fitimet në vend, njësoj me vitin e kaluar.

Bazuar në Marrëveshjen Shumëpalëshe të Çmimit në Avancë (MÇA) midis autoriteteve kompetente të Shqipërisë, Greqisë, Italisë dhe Zvicrës nënshkruar në vitin 2017, gjatë fazës së ndërtimit 2017-2020, Shoqërisë në Shqipëri i janë atribuuar të ardhura mbi bazën e shpenzimeve operacionale lokale (OPEX, të njohura sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF) plus një marzh fitimi prej 12% deri sa gazsjellësi të ndërtohej dhe të hynte në shfrytëzim.

Pas fillimit të funksionimit, prej datës 15 nëntor 2020 e ardhura përcaktohet bazuar në vlerën e shtuar të shpenzimeve lokale operacionale (OPEX, të njohura sipas SNRF) të kryera nga Shoqëria gjatë një viti, plus një marzh fitimi prej 12% dhe plus një marzh prej 4.25% në shpenzimet kapitale relevante (CAPEX), të njohura sipas SNRF.

Shoqëria, sipas të dhënave në pasqyrat financiare, ka paguar tatimfitim në vlerën rreth 750 milionë lekë në vitin 2025.

 

4.“OSHEE Group”

“OSHEE Group”, Korporata Publike Shqiptare, që ka në pronësi tri shoqëri, Furnizuesin e Shërbimit Universal, Furnizuesin e Tregut të Lirë dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) është kompania e dytë më e madhe në vend sipas të ardhurave, me rreth 72.8 miliardë lekë në vitin 2025, me rënie të lehtë 7%.

OSHEE është për të tretin vit radhazi edhe në listën e 10 më të mëdhave sipas fitimeve, duke ruajtur pozicionin e katërt.

Operatori ka raportuar fitime (neto) prej 7.1 miliardë lekësh në 2025, me tkurrje rreth 7%, sipas të dhënave që Ministria e Financave ka publikuar në buxhetin faktik 2025.

Mentor Hima, Administrator në detyrë i “OSHEE Group”, pohon se “në vitin 2025, rezultati financiar paraprak i konsoliduar i ‘OSHEE Group’ ishte fitimi prej rreth 86 milionë eurosh, rreth 19 milionë euro mbi planin e rishikuar.

Në këtë rezultat ndikuan ruajtja e nivelit të lartë të arkëtimeve, reduktimi i humbjeve, rritja e të ardhurave nga shitja e energjisë, si dhe ulja e shpenzimeve të energjisë dhe e provigjioneve”.

Z. Hima shton se ecuria pozitive ka vijuar edhe në vitin 2026. Për periudhën janar–korrik, “OSHEE Group” realizoi një fitim të konsoliduar prej rreth 5.7 miliardë lekësh, rreth 1.2 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar.

Të ardhurat e konsoliduara ishin rreth 370 milionë lekë mbi plan, ndërsa shpenzimet operative rreth 477 milionë lekë më të ulëta.

Edhe niveli i humbjeve në rrjet rezultoi më i mirë se plani. “Një element i rëndësishëm është fakti, se përmirësimi nuk është vetëm financiar. Ai po përkthehet në rritje të cilësisë së furnizimit, në investime më të mëdha në rrjet dhe në përmirësimin gradual të marrëdhënies me klientin”.

 

5.Banka “OTP Albania”

Banka “OTP Albania” ka ruajtur vendin e pestë në listën e 10 më të mëdhave. Fitimet para taksave ishin 5.4 miliardë lekë, me rënie 11%. Të ardhurat ishin 11.7 miliardë lekë, pothuajse i njëjti nivel me një vit më parë.

“Strategjia jonë për një rritje të qëndrueshme shoqërohet me një fokus të shtuar në eficiencën

e kapitalit. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit arriti në nivelin 23.55%, kënaqshëm mbi nivelet minimale rregulatore në fuqi”, pohon Bledar Shella, Drejtor i Përgjithshëm dhe Kryetar i Bordit të Menaxhimit në raportin vjetor.

 

6.“Tirana International Airport”

“Tirana International Airport” (TIA), që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit, historikisht një prej bizneseve më fitimprurëse në vend, është sërish në listën e 10 më të mëdhave sipas fitimeve.

Në vitin 2025, fitimet e saj vlerësohen në rreth 5 miliardë lekë, sipas të dhënave indirekte nga tatimet, pasi kompania nuk ka dorëzuar ende bilancin e 2025-s. Të ardhurat ishin rreth 15 miliardë lekë.

Kompania është rritur me shpejtë vitet e fundit, e nxitur nga kthimi i Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik dhe shtimi i shoqërive ajrore me kosto të ulët.

Të dhënat e “Tirana International Airport” tregojnë se për vitin 2025 kishte rreth 11.6 milionë hyrje-dalje përmes ajrit, me rritje 8.7% krahasuar me një vit më parë duke shënuar rekord historik.

Manjola Kaso, Drejtoreshë për Zhvillimin e Aviacionit dhe Marketing e TIA-s ka pohuar në një intervistë të mëparshme për “Monitor”, se “në vitin 2025, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës shënoi një nga rritjet më të rëndësishme, duke u renditur i pari në Ballkan për sa i përket numrit të pasagjerëve.

Ky rezultat pasqyron jo vetëm rritjen e qëndrueshme të trafikut ajror, por edhe vendosmërinë për të ofruar shërbime të standardeve ndërkombëtare dhe për të forcuar rolin e aeroportit si një qendër strategjike rajonale.

Viti 2025 gjithashtu shënoi disa arritje të rëndësishme të strategjisë sonë afatmesme. Ndërsa u shtuan 15 destinacione të reja, numri i pasagjerëve u rrit me 9% dhe numri i fluturimeve me 2.3%. Këto arritje erdhën si rezultat i investimeve të vazhdueshme nga Grupi Kastrati”.

 

7.“Banka Amerikane e Investimeve”

“Banka Amerikane e Investimeve” (ABI Bank) është një tjetër institucion financiar në listën e 10 të mëdhave sipas fitimeve. Në vitin 2025, banka deklaroi fitime prej 4.7 miliardë lekësh, me rritje 24%.

Banka zgjeroi dhe të ardhurat me 34% në 11.6 miliardë lekë.

“Viti 2025 përfaqësoi një etapë të rëndësishme në zhvillimin strategjik të ABI Bank. Pas një periudhe rritjeje të fortë dhe konsolidimi në tregun bankar shqiptar, fokusi ynë gjatë këtij viti ishte forcimi i themeleve të institucionit, zgjerimi i rolit të Bankës në mbështetjen e ekonomisë shqiptare dhe rritja e efikasitetit operacional.

Një zhvillim thelbësor gjatë vitit 2025 ishte finalizimi i bashkimit të institucionit financiar NOA me ABI Bank.

Nëpërmjet këtij bashkimi, ABI Bank ka ndërmarrë një hap të qartë strategjik për zgjerimin e pranisë së saj në segmentin e mikrofinancës dhe të biznesit të vogël, pa humbur fokusin te klientët korporativë dhe sektorët strategjikë të ekonomisë”, citohet në raportin vjetor Andi Ballta, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Amerikane të Investimeve.

 

8.Banka Credins

“Banka Credins” është një hyrje e re në listën e 10 më të mëdhave sipas fitimeve. Ndryshe nga tendenca e sistemit bankar, që shënoi ngadalësim dhe tkurrje të lehtë të rezultatit financiar, në vitin 2025, banka raportoi rritje të fortë të fitimeve me 25%, në 4 miliardë lekë.

Të ardhurat arritën në 22.4 miliardë lekë, me zgjerim prej 14%.

“Në aspektit financiar, përfitueshmëria e bankës mbeti e qëndrueshme, e mbështetur kryesisht nga të ardhurat nga interesat, megjithëse e ndikuar nga luhatjet e kursit të këmbimit, apo edhe të forcimit të monedhës Lek, duke kërkuar një menaxhim më aktiv të bilancit”, citohet drejtori i përgjithshëm i Bankës, Maltin Korkuti në raportin vjetor.

 

9.“Banka e Tiranës”

“Banka e Tiranës”, pjesë e Grupit BALFIN, është për të dytin vit radhazi te 10 më të mëdhenjtë. Fitimet para taksave ishin rreth 3.4 miliardë lekë në nivele të njëjta me vitin e mëparshëm.

Banka deklaroi të ardhura rreth 9.7 miliardë lekë, me rritje vjetore 10%.

“Rezultatet e vitit 2025 flasin qartë për performancën shumë pozitive të Bankës. Totali i aktiveve të Bankës arriti në 1.9 miliardë euro, me rritje 17% krahasuar me një vit më parë.

Portofoli i kredive u zgjerua me 33%, duke arritur në 980 milionë euro. Banka ruan gjithashtu një bazë të fortë kapitali dhe likuiditeti, duke dëshmuar edhe një herë stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e modelit tonë të biznesit”, citohet në raportin vjetor, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Bankës, z. Dritan Mustafa.

 

10.“Intesa San Paolo Bank Albania”

“Intesa San Paolo Bank Albania” është për të dytin vit radhazi në dhjetëshen e fitimeve. Banka deklaroi fitime para taksave prej 3.4 miliardë lekësh, me rënie 12%.

Të ardhurat arritën në 10.3 miliardë lekë, me rënie të lehtë prej rreth 2%.

Giuseppe Giampietro, drejtor ekzekutiv i Bankës, thotë në raportin vjetor se “në një mjedis makroekonomik që vijoi të ndryshonte me shpejtësi, ruajtëm një orientim të qartë strategjik: mbështetjen e familjeve, bizneseve dhe institucioneve përmes një modeli bankar gjithnjë e më të përqendruar te këshillimi profesional, inovacioni dhe afërsia me klientët”.

 

 

 

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

“Shqipëria ka një mundësi reale për të riorientuar modelin e saj të rritjes drejt industris...

Intervistë me z. Alessandro de Concini, Kreu i Përfaqësisë së Bankës Europiane të Investimeve (BEI) në Shqipëri   Shqipëria ka mundësi të mëdh...

9 minutes më parë 17 Min Lexim

Edhe ndërtimi fillon të lëshojë terren për fitimet, sidomos projektet rezidenciale

Vitet e fundit, ekonomia pa një valë të jashtëzakonshme të orientimit të kapitaleve të lira drejt sektorit të ndërtimit, të nxituara nga normat e l...

12 minutes më parë 19 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!