IT, operatorët privatë çojnë 50-80% të të ardhurave për personelin; ata me tendera, norma fitimi 90%

Kompanitë që ofrojnë shërbime outsourcing në fushën e teknologjisë së informacionit po zhvillohen me ritme të shpejta, duke u kthyer në një segment gjithnjë e më të rëndësishëm të eksportit të shërbimeve në Shqipëri.
Aktiviteti i tyre përfshin zhvillimin e software-ve dhe aplikacioneve, administrimin e sistemeve IT, shërbimet Cloud, analizën e të dhënave, testimin e programeve dhe konsulencën teknologjike, kryesisht për kompani të huaja.
Ky model biznesi mbështetet te specialistët e kualifikuar, të cilët paguhen ndjeshëm më shumë se në aktivitetet tradicionale të call center.
Shpenzimet e personelit përbëjnë një nga zërat kryesorë të kostove të këtyre shoqërive, që arrijnë nga 50-80% të të ardhurave, ndërsa normat e fitimit luhaten nga 6 në 33%.
“Fiber Group”, me kapital italian, operon kryesisht në ofrimin e shërbimeve telefonike dhe të telekomunikacionit për llogari të vet dhe të palëve të treta dhe është rritur me shpejtësi vitet e fundit.
Kompania realizoi 2.59 miliardë lekë të ardhura, me rritje të fortë prej 47%. Në të njëjtën linjë ishin dhe fitimet, që u zgjeruan me 70%, në 847 milionë lekë. Kompania e bazon aktivitetin në një ekip të konsoliduar, teksa shpenzimet e personelit zinin 54.7% të të ardhurave.
Sipas burimeve zyrtare, Fiber Group ka ndërtuar partneritete efikase në fushën e shërbimeve të kontraktuara nga jashtë (outsourcing).
“Kjo filozofi qëndron në themel të modelit të specializuar BPO (Business Process Outsourcing) të kompanisë, i cili ndërthur ekipe me përvojë, fleksibilitet operacional dhe marrëdhënie të afërta me klientët, për të ofruar shërbime të përshtatura sipas nevojave të tyre.
Nga kujdesi ndaj klientit deri te operacionet tregtare, Fiber Group synon të integrohet në veprimtarinë e secilit klient dhe të përshtatë mbështetjen e saj në përputhje me ndryshimin e kërkesave.
Ky model ka mbështetur tre vite radhazi rritje dyshifrore të të ardhurave, gjatë periudhës 2023–2025, siç pasqyrohet në pasqyrat financiare të Fiber Group sh.p.k., me seli në Tiranë”.
“Sisal Albania” realizoi 2.75 miliardë lekë të ardhura dhe 305.9 milionë lekë fitim para tatimit, me normë 11.1%. Shpenzimet e personelit arritën në 2.02 miliardë lekë, ose 73.2% të të ardhurave.
Kompania zhvillon aplikacione, platforma dhe sisteme IT, krahas shërbimeve të tjera mbështetëse për grupin ndërkombëtar.
“Lufthansa Industry Solutions” është e specializuar në zhvillimin e aplikacioneve dhe sistemeve informatike. Sipas pasqyrave financiare, të ardhurat e vitit 2025 u siguruan tërësisht nga shërbimet e zhvillimit të software-ve për kompaninë mëmë në Gjermani.
Me 2.59 miliardë lekë të ardhura, shoqëria realizoi 167.1 milionë lekë fitim para tatimit, ose 6.5% të qarkullimit. Shpenzimet e personelit arrinin në 79.4% të të ardhurave, pesha më e lartë ndër operatorët e analizuar.
“Facilization” është e fokusuar në zhvillimin dhe implementimin e aplikacioneve, veçanërisht për sektorin bankar, si dhe në mirëmbajtjen e sistemeve informatike. Rreth 79% e të ardhurave të saj vijnë nga zhvillimi i programeve dhe shërbimet e suportit.
Në vitin 2025, kompania realizoi 717.5 milionë lekë të ardhura dhe 156.2 milionë lekë fitim para tatimit, me normë 21.8%, ndërsa shpenzimet e personelit përbënin 49.8% të të ardhurave.
Dy operatorët tradicionalë të call center kanë gjithashtu një strukturë të mbështetur fort te punësimi. “Albania Marketing Service”, që ofron shërbime të qendrave telefonike, realizoi 6.17 miliardë lekë të ardhura dhe 538.7 milionë lekë fitim para tatimit, me normë 8.7%. Shpenzimet e personelit përbënin 59.3% të të ardhurave.
Ndërsa “Assist”, që ofron shërbime të kujdesit ndaj klientit përmes telefonit, email-it dhe rrjeteve sociale, si dhe shërbime teknologjike, realizoi 2.79 miliardë lekë të ardhura, por rezultoi me humbje prej 121.3 milionë lekësh. Shpenzimet e personelit përbënin 78.1% të të ardhurave.

Kontrasti i skemës i kompanive shtetërore, shumë fitime, pa shpenzime personeli
Në kontrast me kompanitë outsourcing që ofrojnë shërbime teknologjike për tregjet ndërkombëtare, ku shpenzimet e personelit zënë një peshë të lartë në të ardhura dhe kufizojnë normat e fitimit. Operatorët që punojnë me tendera shtetërorë kanë pasur aktivitet shumë më fitimprurës.
Dy prej tyre, “Soft & Solution” dhe “First”, të përmendura në hetimet e SPAK-ut për tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), kanë realizuar norma fitimi shumë më të larta se shumica e kompanive që zhvillojnë shërbime teknologjike për tregjet ndërkombëtare, teksa kanë shpenzime minimale personeli.
“Soft & Solution”, e themeluar në janar 2011 hyri në listën e “Monitor 200” sipas fitimeve që në vitin 2022, realizoi 1.31 miliardë lekë të ardhura në vitin 2025 dhe 520.5 milionë lekë fitim para tatimit, me normë përfitueshmërie prej 39.7%.
Megjithëse të ardhurat u tkurrën me 27.9% dhe fitimet me 52.3% krahasuar me vitin e mëparshëm, kompania vijoi të ruante një nivel të lartë përfitueshmërie.
Sipas pasqyrave financiare, shpenzimet e personelit arritën në 207 milionë lekë, ose vetëm 15.8% të të ardhurave.
“First”, e themeluar që në 2008-n, realizoi në vitin 2025, 2.47 miliardë lekë të ardhura dhe 523.4 milionë lekë fitim para tatimit, me normë 21.2%. Të ardhurat u rritën me 9.4%, ndërsa fitimi ishte pothuajse trefishi i një viti më parë.
Te kjo kompani, kontrasti është edhe më i dukshëm në strukturën e shpenzimeve. Kostoja e personelit ishte vetëm 44.7 milionë lekë, ose 1.8% e të ardhurave. Ndërkohë, 1.75 miliardë lekë, ose 70.7% e të ardhurave, përfaqësoheshin nga shpenzimet për lëndë të para dhe materiale të konsumueshme.
Sipas njoftimeve zyrtare të SPAK-u, çështja e tenderave të AKSHI-t lidhet me dyshime për paracaktimin e fituesve të prokurimeve publike, favorizimin e kompanive të caktuara dhe transferimin e përfitimeve përmes faturimeve të dyshuara si fiktive.
“Soft & Solution” përmendet në hetime lidhur me dyshimet për manipulimin e procedurave të prokurimit dhe transferimin e parave drejt shoqërisë “EA Solution”.
“First” përmendet për pagesat e kryera ndaj “EA Solution”, të faturuara si shërbime, por që sipas dyshimeve të SPAK mund të kenë shërbyer si shpërblim për favorizimin në prokurimet publike.
“EA Solution” nuk e ka publikuar bilancin për vitin 2025 dhe nuk është në listën e Tatimeve për 250 kompanitë më të mëdha. Kompania rezulton e krijuar në vitin 2023 dhe në 2024 u katapultua në më të mëdhenjtë për fitimet, me një rezultat para taksave prej 369 milionë lekësh.
Ky fitim u arrit me të ardhura prej 398 milionë lekësh, me një normë rekord fitimi prej gati 93%. Shpenzimet e personelit ishin minimale në 23 milionë lekë, ose vetëm 1.8% e të ardhurave.

Rritja dhe rënia e “Soft & Solution”
“Soft & Solution” u themelua më 26 janar 2011, me aktivitet në zhvillimin, implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve dhe programeve informatike, rrjeteve të telekomunikacionit, shërbimeve të konsulencës teknologjike, si dhe tregtimin dhe instalimin e pajisjeve elektronike.
Sipas pasqyrave financiare, deri në vitin 2021, kompania kishte një aktivitet relativisht modest. Të ardhurat u rritën nga 246 milionë lekë në vitin 2018 në 657 milionë lekë në vitin 2021, ndërsa fitimi para tatimit luhatej nga 14 në 142 milionë lekë në periudhën 2018-2020, për të zbritur në 52 milionë lekë në vitin 2021.
Më 29 korrik 2021, shoqëria ndryshoi pronësi. Rritja e fortë e fitimeve filloi në vitin 2022, vitin e parë të plotë pas ndryshimit të pronësisë. Të ardhurat arritën në 727 milionë lekë, por fitimi para tatimit u rrit në 489 milionë lekë, nga 52 milionë lekë një vit më parë. Norma e fitimit arriti në 67.3%.
Zgjerimi vijoi në vitin 2023, kur të ardhurat arritën në 1.27 miliardë lekë dhe fitimi para tatimit në 574 milionë lekë. Aktiviteti kulmoi në vitin 2024, me 1.82 miliardë lekë të ardhura dhe 1.09 miliardë lekë fitim para tatimit, ose një normë fitimi prej 60.1%. Në të njëjtin vit, shpenzimet e personelit ishin vetëm 8.1% e të ardhurave.
Në vitin 2025, kompania shënoi rënie. Të ardhurat zbritën në 1.31 miliardë lekë, 27.9% më pak se një vit më parë, ndërsa fitimi para tatimit u përgjysmua, në 520 milionë lekë. Megjithatë, norma e fitimit mbeti e lartë, në 39.7%.
Në katër vitet 2022-2025, “Soft & Solution” deklaroi gjithsej 2.68 miliardë lekë fitime para tatimit, sipas të dhënave të pasqyrave financiare.
Në prill 2026, shoqëria u vendos nën sekuestro preventive në kuadër të hetimeve të SPAK-ut për tenderët e AKSHI-t, sipas vendimit të depozituar në ekstraktin e QKB-së dhe administrimi i shoqërisë iu kalua Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Burimi: QKB
Serbia, industria IT me peshë në ekonomi e punësim, por me norma fitimi shumë më të ulëta se kompanitë e tenderave në Shqipëri
Për një krahasim me kompanitë shqiptare të teknologjisë së informacionit, interesante është përvoja e Serbisë, e cila konsiderohet një nga modelet më të zhvilluara të industrisë IT në rajon.
Por, ndryshe nga disa operatorë shqiptarë që punojnë me tendera shtetërorë dhe arrijnë norma fitimi, të papara në asnjë treg, që arrijnë deri në 90%, kompanitë më të mëdha serbe, që ofrojnë shërbime teknologjike për tregjet ndërkombëtare, përgjithësisht realizojnë norma fitimi njëshifrore.
Me sa duket, zhvillimi i software-ve dhe konkurrenca në tregjet e huaja nuk janë aq fitimprurëse sa kontratat me shtetin shqiptar.
Serbia ka zhvilluar një industri të rëndësishme të teknologjisë së informacionit, me kontribut të konsiderueshëm në ekonomi, eksporte dhe punësim. Sipas Zyrës Qeveritare për Teknologjinë e Informacionit, eksportet e shërbimeve ICT arritën në 4.55 miliardë euro në vitin 2025, nga 375 milionë euro në vitin 2012.
Sektori i gjerë i informacionit dhe i komunikimit kontribuon me rreth 8.8% të PBB-së, ndërsa në aktivitetet e programimit dhe konsulencës informatike punojnë rreth 71 mijë persona. Për krahasim, sipas INSTAT-it, pesha e informacionit dhe e komunikimit në ekonominë shqiptare është vetëm 2.4%.
Përmasat e industrisë pasqyrohen edhe në rezultatet e kompanive.
Sipas Agjencisë së Regjistrave të Biznesit të Serbisë (APR) dhe CompanyWall, “Smart Business Technologies”, që zhvillon zgjidhje informatike dhe automatizimi, realizoi rreth 256 milionë euro të ardhura dhe 9.6 milionë euro fitim neto në vitin 2025, me normë 3.7% dhe 1,426 punonjës.
“HTEC”, e specializuar në zhvillimin e software-ve dhe zgjidhjeve inxhinierike për klientë ndërkombëtarë, realizoi 155.4 milionë euro të ardhura dhe 2.4 milionë euro fitim neto, me normë 1.5% dhe 1,127 punonjës.
“Comtrade System Integration”, që integron sisteme informatike për biznese dhe institucione, kishte 125.3 milionë euro të ardhura, 4.4 milionë euro fitim neto, normë 3.5% dhe 445 punonjës. “ASEE Solutions”, e fokusuar në zgjidhje teknologjike për sektorin financiar, realizoi 67.7 milionë euro të ardhura, 4.6 milionë euro fitim neto, normë 6.8% dhe 583 punonjës.
“Vega IT”, që zhvillon software për klientë ndërkombëtarë, kishte 50.7 milionë euro të ardhura, 3.6 milionë euro fitim neto, normë 7.1% dhe 120 punonjës në subjektin përkatës juridik.
Ndër kompanitë me përfitueshmëri të lartë spikat “Khaoticen”, që ofron produkte dhe shërbime IT, me 58.4 milionë euro të ardhura, 15.8 milionë euro fitim neto, normë rreth 27% dhe 74 punonjës.
Kompania përfshihet edhe në renditjen e 100 shoqërive me fitimet më të larta në ekonominë serbe.
LEXONI EDHE:
200 kompanitë me fitime më të larta; Ekonomia e shtrembëruar nga tenderat dhe informaliteti
Dilema e madhe e industrisë dhe përpunimit agroushqimor
Edhe ndërtimi fillon të lëshojë terren për fitimet, sidomos projektet rezidenciale
Fitimet japin sinjale rënëse, por ndërtimi pritet të vazhdojë, krahasimi me rajonin
Nafta, çmimet në rënie në dogana, por jo në tregun e pakicës, normat e fitimit në rritje të lehtë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









