Friday / November 20 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Intervistë e posaçme Lajmet Kryesore Nga Vendi Western Balkans Monitor

“Shqipëria ka një mundësi reale për të riorientuar modelin e saj të rritjes drejt industrisë”

Share Share Icon

Intervistë me z. Alessandro de Concini, Kreu i Përfaqësisë së Bankës Europiane të Investimeve (BEI) në Shqipëri

 

Shqipëria ka mundësi të mëdha për të zhvilluar industrinë, për të rritur produktivitetin dhe për të tërhequr investime të reja prodhuese, duke shfrytëzuar afërsinë me tregun europian dhe mundësitë që krijon procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Por, për të kaluar nga një model rritjeje i mbështetur kryesisht te ndërtimi, turizmi dhe konsumi drejt një ekonomie më konkurruese dhe të orientuar nga eksportet, nevojiten infrastrukturë moderne, energji e qëndrueshme, fuqi punëtore e kualifikuar dhe një mjedis biznesi i parashikueshëm.

Në një intervistë për “Monitor”, Alessandro de Concini, Kreu i Përfaqësisë së Bankës Europiane të Investimeve (BEI) në Shqipëri, thekson se integrimi europian mund të shërbejë si një shtysë e rëndësishme për transformimin ekonomik të vendit, nëse mundësitë që ai krijon përkthehen në investime konkrete dhe zhvillim të aktiviteteve me vlerë të shtuar më të lartë.

Sipas tij, kjo është një sfidë për të gjithë Ballkanin Perëndimor, i cili duhet të shfrytëzojë më mirë potencialin për tërheqjen e kapitalit privat dhe përfshirjen në zinxhirët europianë të prodhimit.

Përshpejtimi i reformave, forcimi i lidhjeve të transportit dhe energjisë mes vendeve, si dhe investimet në teknologji dhe inovacion, janë ndër përparësitë për të ngushtuar hendekun ekonomik me BE-në.

Z. De Concini nënvizon se BEI do të vijojë të mbështesë Shqipërinë dhe rajonin përmes financimit dhe asistencës teknike, me synimin që procesi i anëtarësimit të shoqërohet me rritje të produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së ekonomive.

 

Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku ndërtimi zë një peshë më të madhe në PBB (12,6%) sesa industria (10,1%), krahasuar me një peshë të industrisë prej rreth 17–18% në ekonomitë e tjera të Ballkanit Perëndimor. Çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të tërhequr më shumë investime në prodhim dhe në aktivitete me vlerë të shtuar më të lartë?

Shqipëria ka një mundësi reale për të riorientuar modelin e saj të rritjes drejt industrisë, produktivitetit dhe eksporteve, si dhe për t’u integruar më thellë në zinxhirët europianë të vlerës. Procesi i anëtarësimit në BE ka krijuar potencial dhe një shtysë të re për zhvillim.

Së bashku me afërsinë e Shqipërisë me tregun e BE-së dhe trendin në rritje të zhvendosjes së prodhimit pranë tregjeve europiane (nearshoring), kjo krijon një bazë të fortë për tërheqjen e investimeve të reja.

Hapi i radhës është shfrytëzimi i këtij potenciali për të zhvilluar prodhimin me vlerë të shtuar më të lartë. Kjo nënkupton krijimin e një mjedisi investimi të parashikueshëm dhe konkurrues, investimin në aftësi, inovacion dhe digjitalizim, orientimin e investimeve drejt industrive konkurruese dhe të fokusuara në eksport, si dhe modernizimin e infrastrukturës.

Strategjia e re industriale e Shqipërisë ofron një kuadër për këtë transformim dhe për adresimin e sfidave strukturore, ndërsa mbyllja e fundit provizore e Kapitullit 20 mbi Ndërmarrjet dhe Politikën Industriale përbën një tjetër moment të rëndësishëm. Ambicia për të forcuar bazën prodhuese të vendit është për t’u përshëndetur.

Tani, kjo ambicie duhet të përkthehet në programe konkrete, me përgjegjësi të qarta për zbatimin, financim të përshtatshëm dhe objektiva të matshëm.

Këtu institucionet financiare europiane, në veçanti Banka Europiane e Investimeve (BEI), mund të luajnë një rol të rëndësishëm. Si banka e BE-së, BEI është një motor investimesh në mbështetje të procesit të anëtarësimit në BE, duke ndihmuar integrimin fizik dhe ekonomik të Shqipërisë me BE-në.

Që nga fillimi i aktivitetit të saj në vend, BEI ka investuar më shumë se 1 miliard euro në Shqipëri në fusha kyçe si transporti, sektori digjital, NVM-të dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike.

 

Rritja ekonomike e Shqipërisë mbështetet ndjeshëm te turizmi, ndërtimi, konsumi dhe shpenzimet publike. Si mund të kalojë vendi drejt një modeli rritjeje më produktiv dhe të orientuar nga eksportet?

Një model rritjeje i mbështetur kryesisht në kërkesën e brendshme dhe aktivitetet jo të tregtueshme nuk gjeneron automatikisht rritjen e produktivitetit, kapacitetin eksportues dhe përmirësimin teknologjik të nevojshëm për konvergjencën afatgjatë me Bashkimin Europian.

Shqipëria ka potencial të fortë rritjeje, por sfida sot është ndërtimi i një ekonomie më produktive, më të diversifikuar dhe më të orientuar drejt eksporteve. Nga këndvështrimi ynë, tri fusha janë veçanërisht të rëndësishme: infrastruktura moderne dhe energjia e besueshme, aksesi më i mirë në financim për bizneset, si dhe investimet në aftësi dhe inovacion.

Shqipëria nuk ka nevojë të heqë dorë nga turizmi, ndërtimi apo konsumi i brendshëm. Ajo duhet të sigurojë që këta sektorë të kontribuojnë në mënyrë më efektive në zhvillimin e një ekonomie më të gjerë dhe më produktive. Kjo do të thotë gjithashtu që turizmi të bëhet më i qëndrueshëm, konkurrues dhe me më shumë përfitime për komunitetet lokale.

Për shembull, BEI po mbështet përmirësimin e infrastrukturës në veri të Shqipërisë, në Shkodër, Lezhë dhe Malësi të Madhe. Projekti do të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm rajonal, mbrojtjen e mjedisit, lidhshmërinë dhe turizmin.

 

Transformimi

Shqipëria nuk ka nevojë të heqë dorë nga turizmi, ndërtimi apo konsumi i brendshëm. Ajo duhet të sigurojë që këta sektorë të kontribuojnë në mënyrë më efektive në zhvillimin e një ekonomie më të gjerë dhe më produktive. Kjo do të thotë gjithashtu që turizmi të bëhet më i qëndrueshëm, konkurrues dhe me më shumë përfitime për komunitetet lokale. Për shembull, BEI po mbështet përmirësimin e infrastrukturës në veri të Shqipërisë, në Shkodër, Lezhë dhe Malësi të Madhe. Projekti do të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm rajonal, mbrojtjen e mjedisit, lidhshmërinë dhe turizmin.

 

Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë tërhequr më shumë investime prodhuese të orientuara drejt eksportit sesa Shqipëria. Çfarë mund të mësojë Shqipëria nga përvoja e tyre dhe si mund ta mbështesë BEI zhvillimin industrial?

Serbia dhe Maqedonia e Veriut tregojnë se politikat miqësore ndaj investimeve, infrastruktura moderne industriale, fuqia punëtore e kualifikuar dhe lidhjet e forta me zinxhirët europianë të furnizimit mund të ndihmojnë në tërheqjen e investimeve prodhuese të orientuara drejt eksportit. Lidhjet e tyre më të forta tregtare me BE-në kanë mbështetur gjithashtu transferimin e teknologjisë dhe njohurive me kalimin e kohës.

Por sfida e radhës për të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor është të ngjiten më lart në zinxhirin e vlerës, drejt aktiviteteve më produktive, inovative dhe me vlerë të shtuar më të lartë, si dhe ta bëjnë të gjithë rajonin një destinacion tërheqës për investime në planin afatgjatë.

Edhe pse të dyja vendet kanë tërhequr investime të konsiderueshme prodhuese të orientuara drejt eksportit në vitet e fundit, flukset e Investimeve të Huaja Direkte ranë ndjeshëm në vitin 2025.

Shqipëria ka mundësinë të ndërtojë një bazë më të fortë industriale vendase. Dinamika e procesit të anëtarësimit mund të ndihmojë në tërheqjen e investimeve të reja, por kjo duhet të shoqërohet me infrastrukturë më të mirë, furnizim të besueshëm me energji dhe një mjedis biznesi të parashikueshëm.

Kompanitë vendase gjithashtu kanë nevojë për mbështetje për të përmbushur standardet e BE-së, për të inovuar dhe për t’u bërë furnizuese të industrive europiane.

BEI mund të ndihmojë në të dyja anët e këtij ekuacioni: duke financuar infrastrukturën e transportit, energjisë dhe digjitalizimit që e bën Shqipërinë më konkurruese, si dhe duke zgjeruar aksesin në financim për NVM-të dhe kompanitë me kapitalizim të mesëm.

Presim me kënaqësi të marrim pjesë në konferencën e dytë të investimeve BE-Ballkani Perëndimor, që do të zhvillohet në Tiranë në nëntor, ku do të diskutojmë për mobilizimin e kapitalit për inovacion.

 

Sfida

Sfida e radhës për të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor është të ngjiten më lart në zinxhirin e vlerës, drejt aktiviteteve më produktive, inovative dhe me vlerë të shtuar më të lartë, si dhe ta bëjnë të gjithë rajonin një destinacion tërheqës për investime në planin afatgjatë.

 

Cilat janë pengesat kryesore për një integrim më të thellë rajonal dhe në tregun e BE-së, dhe cilat investime apo reforma do t’i ndihmonin në mënyrë më efektive bizneset e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në zinxhirët europianë të vlerës?

Së pari, duhet të forcojmë lidhjet mes vendeve të rajonit. Rrjetet e transportit, energjisë dhe ato digjitale duhet të funksionojnë gjithnjë e më shumë si pjesë e një hapësire të përbashkët ekonomike rajonale, të integruar plotësisht me Bashkimin Europian.

Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, drejtuesit e kamionëve humbasin rreth 26 milionë orë çdo vit duke pritur në pikat kufitare të Ballkanit Perëndimor.

Edhe përmirësime të vogla në qarkullimin e mallrave do të sillnin përfitime të konsiderueshme, duke ulur kostot për bizneset, duke lehtësuar tregtinë dhe duke krijuar më shumë mundësi për përfshirjen e tyre në zinxhirët europianë të vlerës.

Përfundimi i korridoreve kryesore hekurudhore, si Korridori VIII, i mbështetur nga Banka Europiane e Investimeve (BEI), si dhe linjave Vorë–Hani i Hotit dhe Durrës–Rrogozhinë, mbetet thelbësor për të përmirësuar lidhjet e transportit në rajon dhe për të lehtësuar integrimin e tregjeve me Bashkimin Europian.

Sektori i energjisë nuk bën përjashtim dhe integrimi rajonal është veçanërisht i rëndësishëm për të mundësuar tregtimin e energjisë elektrike, përdorimin më efikas të kapaciteteve të depozitimit, si dhe diversifikimin më të madh të energjisë dhe, rrjedhimisht, sigurinë energjetike.

Së dyti, bizneset kanë nevojë për rregulla të qarta dhe gjithnjë e më të harmonizuara. Siguria juridike, prokurimi publik transparent, procedurat efikase të lejeve, konkurrenca e ndershme dhe zbatimi i qëndrueshëm i standardeve të BE-së janë të gjitha thelbësore për tërheqjen e investimeve.

Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të rritet numri i projekteve që kanë përfunduar fazën përgatitore dhe janë gati për të tërhequr investime. BEI mund ta mbështesë këtë përmes financimit, si dhe ekspertizës këshilluese për të ndihmuar që më shumë projekte të arrijnë fazën e financueshmërisë.

Së treti, duhet të krijojmë kushte më të favorshme që njerëzit, bizneset dhe idetë e reja të kenë mundësi të zhvillohen dhe të përparojnë në të gjithë rajonin.

Kjo nënkupton forcimin e arsimit dhe formimit profesional, nxitjen e inovacionit, digjitalizimin e shërbimeve publike, reduktimin e barrierave tregtare dhe përmirësimin e aksesit në financim për kompanitë inovative, në mënyrë që bizneset lokale të zgjerohen dhe të konkurrojnë.

Në fund, integrimi më i thellë rajonal duhet të shërbejë si një hap drejt Tregut të Vetëm të BE-së, duke ndihmuar kompanitë e Ballkanit Perëndimor të rriten dhe të bëhen partnerë më të fortë në zinxhirët europianë të vlerës.

 

Çfarë duhet të përmirësohet në klimën e investimeve në Ballkanin Perëndimor për të tërhequr më shumë investime private në sektorë produktivë dhe inovativë?

Rajoni juaj ofron mundësi të shumta investimi, të cilat mund të tërheqin kapitalin privat.

Por, që këto mundësi të shfrytëzohen, nevojiten edhe kushtet e duhura: një mjedis biznesi i qëndrueshëm, i parashikueshëm dhe transparent, institucione të forta, procedura efikase për dhënien e lejeve dhe regjistrimin e pronave, prokurime publike transparente, mekanizma të besueshëm për zbatimin e kontratave dhe një kuadër rregullator të qëndrueshëm, në përputhje me standardet e BE-së.

Këto kushte janë thelbësore jo vetëm për të tërhequr investitorët e huaj, por edhe për të nxitur bizneset vendase të investojnë, të sjellin risi dhe të zgjerohen. Në këto drejtime është bërë përparim i konsiderueshëm, por mbetet ende punë për të bërë. Së dyti, duhet të shndërrojmë më shumë mundësi investimi në projekte të maturuara dhe të financueshme.

Në shumë raste, kapacitetet për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve mund të përmirësohen. P

ikërisht këtu BEI dhe Ekipi Europa mund të bëjnë një ndryshim të vërtetë. Ne mund të kombinojmë financimin afatgjatë, grantet e BE-së, mbështetjen këshilluese, garancitë dhe instrumentet e ndarjes së riskut për të përgatitur projekte, për të ulur rreziqet dhe për të mobilizuar kapital privat.

Objektivi nuk është thjesht të financohen më shumë investime, por të tërhiqet kapital privat në sektorë që mund të transformojnë ekonominë e rajonit, nga energjia e pastër dhe digjitalizimi tek inovacioni dhe industritë me vlerë të shtuar më të lartë.

Kjo do të arrihet edhe përmes zhvillimit të mëtejshëm të tregjeve të kapitalit në Shqipëri dhe tërheqjes së investitorëve të rinj. Edhe në këtë drejtim, BEI po e mbështet Shqipërinë përmes programit të asistencës teknike “Greening Financial Systems”, që synon të nxisë financimin e qëndrueshëm dhe investimet e gjelbra.

 

Sa të përgatitura janë NVM-të e Ballkanit Perëndimor për digjitalizimin dhe dekarbonizimin dhe çfarë mbështetjeje u nevojitet për të përmbushur standardet e BE-së dhe për të mbetur konkurruese?

Trajektorja është pozitive, por mbetet një hendek i konsiderueshëm në konkurrueshmëri. Shumë NVM në Ballkanin Perëndimor vazhdojnë të mbeten prapa homologëve të tyre në BE në përdorimin e teknologjive të gjelbra dhe digjitale, ndërkohë që këto kapacitete po bëhen një kusht gjithnjë e më i rëndësishëm për të konkurruar dhe për t’u integruar në tregun e BE-së.

Për NVM-të, sfida shpesh nuk është mungesa e ambicies, por aksesi i kufizuar në financim, teknologji, aftësi dhe ekspertizë teknike. Ato kanë nevojë për mbështetje për të investuar në asete me efikasitet energjetik, energji të rinovueshme, teknologji digjitale dhe automatizim, duke përshtatur njëkohësisht aktivitetet e tyre me kërkesat gjithnjë e më të larta të BE-së.

Në të gjithë sektorët po vërehen zhvillime inkurajuese në drejtim të digjitalizimit, megjithëse shkalla e përvetësimit të teknologjive të reja mbetet e pabarabartë.

Për sa i përket uljes së emetimeve të karbonit, sigurimi i energjisë së pastër, me çmime të përballueshme dhe furnizim të qëndrueshëm, do të jetë vendimtar, veçanërisht për kompanitë që eksportojnë në BE dhe duhet të përmbushin kërkesat e Mekanizmit të Rregullimit të Karbonit në Kufij (CBAM).

Për të mbështetur këto përpjekje dhe për të ulur më tej emetimet e karbonit në ekonomi, nevojiten investime publike, sidomos për modernizimin e rrjeteve elektrike, sistemeve të shpërndarjes së energjisë dhe infrastrukturës tjetër mbështetëse.

 

Çfarë instrumentesh financiare dhe shërbimesh këshilluese mund të ofrojë BEI për të ndihmuar NVM-të të investojnë në teknologji, automatizim, efikasitet energjetik dhe kapacitete eksportuese?

Pikërisht në këto fusha BEI mund të bëjë diferencën. Duke kombinuar financimin me garanci, instrumente për ndarjen e riskut dhe asistencë teknike, si dhe duke bashkëpunuar me institucionet financiare vendase, ne mund t’i ndihmojmë NVM-të të realizojnë investime që përndryshe mund të ishin jashtë mundësive të tyre.

Për shembull, përmes marrëveshjes sonë më të fundit me Intesa Sanpaolo Bank Albania, në kuadër të Instrumentit të BEI-së për Inovacionin dhe Transformimin e Gjelbër, kompanitë mund të përfitojnë financim, grante të BE-së dhe mbështetje teknike për projekte në fushën e digjitalizimit, inovacionit dhe veprimit klimatik.

Financimi ynë shpesh plotësohet nga mbështetje praktike për t’i ndihmuar kompanitë të zhvillojnë projekte, të reduktojnë gjurmën e tyre mjedisore dhe të përmbushin kërkesat e BE-së.

Mjete të tilla si Udhëzuesi për Dekarbonizimin dhe Green Eligibility Checker i ndihmojnë bizneset të planifikojnë investimet dhe të vlerësojnë nëse ato kualifikohen për financim të gjelbër.

Studimet e BEI-së tregojnë se kompanitë që kanë përfituar nga kreditimi i ndërmjetësuar i BEI-së në Ballkanin Perëndimor kanë regjistruar punësim rreth 15% më të lartë dhe asete fikse 35% më të larta krahasuar me periudhën përpara marrjes së financimit nga BEI.

 

Cilat duhet të jenë prioritetet kryesore ekonomike për Ballkanin Perëndimor gjatë pesë viteve të ardhshme për të përshpejtuar rritjen e produktivitetit dhe konvergjencën me BE-në, dhe çfarë roli mund të luajë BEI?

Gjatë pesë viteve të ardhshme, sfida kryesore është që dinamika e procesit të anëtarësimit në BE të përkthehet në konvergjencë më të shpejtë ekonomike dhe produktivitet më të lartë. Kjo kërkon përparim në katër drejtime.

Së pari, përshpejtimin e reformave të lidhura me BE-në dhe krijimin e një mjedisi biznesi të parashikueshëm që nxit investimet. Së dyti, forcimin e lidhshmërisë, nga lidhjet e transportit te rrjetet moderne të energjisë dhe infrastruktura digjitale.

Së treti, tranzicioni i gjelbër dhe qëndrueshmëria ndaj ndryshimeve klimatike duhet të bëhen nxitës të konkurrueshmërisë ekonomike. Investimet në energjinë e rinovueshme, efikasitetin energjetik dhe infrastrukturën rezistente ndaj ndryshimeve klimatike mund të forcojnë sigurinë energjetike, duke e bërë njëkohësisht rajonin më tërheqës për investime dhe duke krijuar kështu një cikël pozitiv që përforcon vetveten.

Dhe së fundi, duhet të investojmë te njerëzit, aftësitë dhe inovacioni, veçanërisht në kapacitetet digjitale dhe teknike që u nevojiten bizneseve për të konkurruar në një ekonomi europiane që po ndryshon me shpejtësi.

Roli i BEI-së është të ndihmojë Ballkanin Perëndimor të ngushtojë hendekun e investimeve dhe produktivitetit me BE-në dhe të bëhet më konkurrues, më rezistent dhe më thellësisht i integruar në ekonominë europiane.

Në perspektivë, anëtarësimi në BE do të hapë akses në fonde të konsiderueshme strukturore dhe të kohezionit. Ne jemi këtu për të ndihmuar Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate që t’i shfrytëzojnë sa më mirë këto mundësi, duke përdorur financimin e BE-së për projekte strategjike infrastrukturore, veprim klimatik dhe zhvillim më të fuqishëm të sektorit privat.

 

LEXONI EDHE:

 

200 kompanitë me fitime më të larta; Ekonomia e shtrembëruar nga tenderat dhe informaliteti

 

IT, operatrët privatë çojnë 50-80% të të ardhurave për personelin; ata me tendera, norma fitimi 90%

 

Dilema e madhe e industrisë dhe përpunimit agroushqimor

 

Edhe ndërtimi fillon të lëshojë terren për fitimet, sidomos projektet rezidenciale

 

Fitimet japin sinjale rënëse, por ndërtimi pritet të vazhdojë, krahasimi me rajonin

 

Nafta, çmimet në rënie në dogana, por jo në tregun e pakicës, normat e fitimit në rritje të lehtë

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Dilema e madhe e industrisë dhe përpunimit agroushqimor

Në vitet 2010-2014, sipërmarrës nga sektori i ndërtimi dhe aktivitete tregtare tentuan bujqësinë dhe agroindustrinë. Ishte një kohë që ndërtimi u b...

8 minutes më parë 25 Min Lexim

Edhe ndërtimi fillon të lëshojë terren për fitimet, sidomos projektet rezidenciale

Vitet e fundit, ekonomia pa një valë të jashtëzakonshme të orientimit të kapitaleve të lira drejt sektorit të ndërtimit, të nxituara nga normat e l...

13 minutes më parë 19 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!