Nafta, çmimet në rënie në dogana, por jo në tregun e pakicës, normat e fitimit në rritje të lehtë

Tregtimi me shumicë dhe pakicë i naftës është një nga aktivitetet më pak fitimprurëse në vend, sa i përket normës së fitimit.
Ndonëse shoqëritë e tregtimit me shumicë e pakicë të hidrokarbureve mbizotërojnë në listën e më të mëdhave sipas të ardhurave, ato janë shumë të pakta në atë të fitimeve, teksa vijojnë që të deklarojnë norma shumë të ulëta, që nuk i kalojnë 5% për tregtuesit me pakicë dhe 2.5% për ata të shumicës.
Në 2025-n, tendenca e çmimeve të karburanteve vijoi në rënie për të tretin vit radhazi në bursa dhe importin në doganë, por në tregun e pakicës mbeti e pandryshuar në rreth 175 lekë për litër, njësoj si në vitin 2024, ndërsa në vitin 2023, ishte rreth 180 lekë për litër.
Konsumi vijoi rritjen, i ndikuar si nga importi i lartë i mjeteve që hynë në qarkullim për herë të parë dhe shtimi i turizmit, një pjesë e të cilëve përdorin makina me qira për të lëvizur. Në vitin 2025, importet arritën në 740 mijë tonë, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë, me rritje prej 12.7% me bazë vjetore.

Burimi: Ministria e FInancave
Rritja e makinave në qarkullim është një tjetër faktor që po nxit konsumin e karburanteve. Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor tregojnë se numri i mjeteve aktive në qarkullim, në fund të vitit 2025 e kaloi për herë të parë nivelin e 1 milionëshit, nga 676 mijë në vitin 2020.
Vetëm në 2024-2025 u regjistruan një numër rekord prej gati 100 mijë mjetesh në vit, pas “zbulimit” të një tregu të ri blerjeje, atij të Koresë së Jugut, apo dhe Kina, ndonëse nga kjo e fundit vijnë më shumë mjete elektrike.
Ndonëse interesi për mjetet elektrike po shtohet, makinat me naftë dhe benzinë dominojnë, me përkatësisht 69% dhe 20% si dhe 7.7% janë me benzinë/gaz, duke e mbajtur të lartë kërkesën për produkte derivative të karburanteve në treg.
Përkundrejt shtimit të konsumit dhe qarkullimit të lartë të të ardhurave (tre sipërmarrje në fushën e tregtimit me shumicë të hidrokarbureve renditen ndër 10 më të mëdhatë e “Monitor 200” sipas të ardhurave në vitin 2025 dhe rreth 20 janë në listën e 200), fitimet e tyre mbeten minimale dhe shumica e operatorëve nuk arrijnë as të hyjnë në zonën e 200-shes.
Vetëm tre shoqëri klasifikohen në listën e më të mëdhave sipas fitimeve në vitin 2025, nga 2 në vitin 2024.
Gjithsesi, në 2025-n, një pjesë e kompanive, kryesisht të tregtimit me pakicë, panë përmirësim të lehtë të normave të fitimit në 2024-n.
Operatorët shpjegojnë se kur çmimi është i ulët, kompanitë kanë më shumë mundësi të manovrojnë me çmimet, pasi dhe reflektimi ndaj rënies së tyre në bursa është pak më i ngadaltë.
Të dhënat e Doganave tregojnë se në vitin 2025, çmimet e importit kishin tendencë ulëse, duke favorizuar shoqëritë importuese dhe tregtuese.
Vlera në njësi për litër e importit të naftës në dogana, zbriti në 53 lekë, me rënie 14% nga viti i mëparshëm dhe dy herë më e ulët se në vitin 2022, kur kriza e karburantit pas sulmit të Rusisë në Ukrainë shtrenjtoi ndjeshëm karburantin në bursa e si rrjedhojë dhe në vend.
Teksa në tregun e pakicës nafta dhe benzina u tregtuan me çmime të pandryshueshme në vitin 2025, lehtësimi i kostos së importit shtesë duket se ka shkuar për amortizimin e rritjes së kostove të tjera, apo dhe të përmirësimit të lehtë të normave të fitimit.

Burimi: Doganat
“Kastrati Energy Trade” (tregtim me shumicë) ishte sipërmarrja më e madhe në vend në vitin 2025, për qarkullimin vjetor, me të ardhura prej gati 90 miliardë lekësh, gati tre herë më të larta se e dyta në renditje nga kompanitë private.
Por, në renditjen e fitimeve shoqëria pozicionohet e 15-a, pasi fitimet mbeten minimale në raport me xhiron, në 1.8 miliardë lekë, para taksave, sipas të dhënave paraprake nga Tatimet, pasi kompania nuk ka dorëzuar ende bilanc. Norma e fitimit ishte rreth 2%.
“Gega Oil Group” (me shumicë) është operatori i dytë më i madh i tregtimit të karburanteve në vend, sipas qarkullimit vjetor. Të ardhurat e tij ishin rreth 33 miliardë lekë në 2025-n. Fitimet ishin minimale prej 137 milionë lekësh, duke mos qenë pjesë e listës sipas fitimeve. Kompania raportoi një normë minimale prej 0.4%, në nivele të njëjta me vitin e mëparshëm.
“Europetrol Durrës Albania”, shoqëria e tretë më e madhe tregtuese e karburanteve sipas qarkullimit vjetor, me 37 miliardë lekë të ardhura, raportoi fitime prej 188 milionë lekësh në vitin 2025, me normë fitimi 0.5%, duke mos qenë pjesë e listës së fitimeve.
Operatori tjetër i shumicës, “Bolv Oil”, me të ardhura prej 12.4 miliardë lekësh, iu rikthye fitimeve në nivelin e 65 milionë lekëve (normë 0.5%) pas humbjeve prej 239 milionë lekësh në vitin 2024, duke qenë jashtë listës.
“Eroil”, tregtuesi i pestë më i madh i shumicës në vend, raportoi të ardhura prej 10.7 miliardë lekësh dhe fitime minimale prej 12.6 milionë lekësh, me një normë të pandryshuar 0.1%.
Tregtuesit e pakicës kanë norma pak më të larta fitimi në raport me shumicën, që arrijnë deri në rreth 5%.
“Kastrati Energy”, tregtuesi më i madh i pakicës në vend, raportoi të ardhura prej 17 miliardë lekësh dhe fitimet, sipas të dhënave paraprake nga Tatimet, arritën në rreth 800 milionë lekë, duke qenë pjesë e listës së “Monitor 200”, sipas fitimeve. Norma e fitimit u përmirësua në 4.7%, nga 4.3% në vitin 2024, nga 2.5% vitin e mëparshëm.
“Skënderi G”, tregtuesi me pakicë i “Europetrol Durrës Albania” raportoi të ardhura prej 10.1 miliardë lekësh. Operatori pa trefishim të fitimeve në 263 milionë lekë, duke u bërë pjesë e renditjes së “Monitor 200”, sipas fitimeve. Norma u rrit ndjeshëm nga 0.7 në 2.6%.
“Olsi sh.p.k.”, një tjetër operator i madh i tregtimit të naftës (tregtuesi me pakicë i “Bolv Oil”), me të ardhura prej 7.3 miliardë lekësh, raportoi fitime prej 30 milionë lekësh (normë 0.41%) pas humbjeve prej 40.7 milionë lekësh në vitin 2024.
“Gega Center GKG” kishte të ardhura 7.7 miliardë lekë, teksa deklaroi fitime minimale prej 31 milionë lekësh, me një normë 0.4%.
Të dhënat tregojnë se operatorët arrijnë norma më të larta fitimi në periudhat kur çmimet e naftës janë në rënie, pasi ulja e çmimeve në tregun vendas ndodh më ngadalë sesa në tregjet ndërkombëtare. E kundërta ndodh kur çmimet në bursa rriten, ndonëse reflektimi në çmim është i shpejtë, fitimet tentojnë të përmirësohen më ngadalë për shkak të kostove më të larta.
Sipas operatorëve, normat e ulëta të fitimit në këtë sektor ndikohen nga disa faktorë: lëvizjet e vogla të çmimit në tregun global, konkurrenca e fortë në tregun vendas për shkak të numrit të madh të operatorëve dhe pikave të karburantit në raport me konsumin dhe qarkullimin e automjeteve, si dhe kostot e larta të investimeve në depozitat e ruajtjes.
Të dhënat e Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve tregojnë se kapacitetet e depozitave bregdetare janë rreth tre herë më të mëdha se kërkesa reale, duke arritur në 300–400 milionë litra nga Vlora në Shëngjin, kundrejt 60 milionë litrave që janë realisht të nevojshme.
Shoqata përmend edhe dy faktorë të tjerë që ndikojnë në fitimet e tregtuesve: diferencat e çmimeve me zonat kufitare, që nxisin konsumatorët të furnizohen jashtë Shqipërisë, dhe kontrabandën me peshkarexha, e cila rrit konkurrencën dhe detyron importuesit të ulin çmimet.
Heqja e parashikuar e taksës së qarkullimit në paketën fiskale që do të hyjë në fuqi në 2027-n, pritet të lehtësojë çmimin me rreth 32 lekë për litër, duke zhdukur dhe diferencën e çmimeve me vendet e rajonit, çka do të ndikonte pozitivisht në rritjen e konsumit të karburanteve në vend.

Burimi: Bilancet në QKB, përpunime të Monitor
I gjithë rajoni fiton pak nga tregtimi i karburanteve, rekordin e mban Kosova
Ashtu si në Shqipëri, tregtimi i karburanteve është një nga aktivitetet me qarkullimin më të lartë në ekonomitë e rajonit, por fitimet e kompanive mbeten relativisht të ulëta në raport me të ardhurat. Në shumicën e vendeve, operatorët kryesorë regjistrojnë norma fitimi neto nga 1% në 4%, megjithëse disa kompani arrijnë nivele më të larta.
Përfitueshmëria ndryshon edhe sipas aktivitetit, pasi tregtimi me shumicë funksionon përgjithësisht me marzhe më të ngushta, ndërsa rrjetet e shitjes me pakicë mund të realizojnë norma më të larta.
Serbia, operatorët kryesorë me norma fitimi 1–2%
Në Serbi, kompania më e madhe e sektorit është NIS, e cila ka një aktivitet të integruar që përfshin nxjerrjen, përpunimin dhe tregtimin e naftës. Në vitin 2025, NIS realizoi rreth 2.27 miliardë euro të ardhura, por regjistroi humbje neto prej 104.4 milionë eurosh, me normë negative 4.6%.
Ndër operatorët e përqendruar në tregtimin e karburanteve, “Knez Petrol” realizoi 545.8 milionë euro të ardhura dhe 5.2 milionë euro fitim neto, me normë vetëm 1%. “Lukoil Srbija” kishte 425.4 milionë euro të ardhura dhe 6.3 milionë euro fitime, me normë 1.5%, ndërsa “OMV Srbija” raportoi 416.7 milionë euro të ardhura dhe 8.6 milionë euro fitime, me normë 2.1%. Këto kompani operojnë rrjete pikash karburanti dhe, sipas rastit, tregtojnë edhe me shumicë.
Mali i Zi, “Jugopetrol” me fitimet më të larta
Në Mal të Zi, tregu dominohet nga “Jugopetrol”, që realizoi 251.5 milionë euro të ardhura dhe 9.37 milionë euro fitim neto në vitin 2025, me normë fitimi 3.7%. Kompania operon rrjetin e pikave EKO dhe është e angazhuar edhe në furnizimin me shumicë.
“INA Crna Gora” raportoi 113.6 milionë euro të ardhura dhe 1 milion euro fitim neto, me normë 0.9%. “Hifa Oil CG” realizoi 57.4 milionë euro të ardhura dhe 1.32 milionë euro fitime, me normë 2.3%, ndërsa “Petrol Crna Gora MNE” kishte 54 milionë euro të ardhura dhe 1.64 milionë euro fitime, me normë 3%.
Në renditje janë edhe “Lukoil Montenegro”, me 46.4 milionë euro të ardhura dhe 1.96 milionë euro fitime, me normë 4.2%, si dhe “Kalamper”, me 29.7 milionë euro të ardhura dhe 1.89 milionë euro fitime, me normë 6.4%. Për disa operatorë, aktiviteti përfshin edhe shërbime të tjera krahas tregtimit të karburanteve.
Maqedonia e Veriut, “Makpetrol” më fitimprurës se OKTA
Në Maqedoninë e Veriut, OKTA është operatori më i madh sipas të ardhurave, me 627.3 milionë euro në vitin 2025. Megjithatë, fitimi neto ishte 9.31 milionë euro, ose vetëm 1.5% e xhiros. Kompania është e përqendruar kryesisht në furnizimin dhe tregtimin me shumicë të produkteve të naftës.
“Makpetrol”, që operon edhe një rrjet të gjerë pikash karburanti, realizoi 508 milionë euro të ardhura dhe 19.33 milionë euro fitim neto, me normë 3.8%. Fitimet e saj ishin më shumë se dyfishi i atyre të OKTA-s, pavarësisht xhiros më të ulët.
“Lukoil Macedonia” raportoi 157.1 milionë euro të ardhura dhe 5.18 milionë euro fitime, me normë 3.3%. Ndërsa “Supertrade”, me 146.1 milionë euro të ardhura, realizoi vetëm 460 mijë euro fitim neto, ose 0.3% të xhiros. “Dadi Oil” kishte 140.1 milionë euro të ardhura dhe 2.16 milionë euro fitime, me normë 1.5%.
Bosnjë-Hercegovina, xhiro mbi 500 milionë euro dhe norma fitimi shpesh nën 2%
Në Bosnjë-Hercegovinë, tregtuesit e karburanteve kanë një prani të madhe në renditjen e kompanive sipas të ardhurave.
“Holdina”, një nga operatorët kryesorë të furnizimit dhe shpërndarjes së karburanteve, realizoi 747.2 milionë euro të ardhura dhe 7.89 milionë euro fitim neto, me normë 1.1%.
“Optima Grupa” raportoi 559.2 milionë euro të ardhura dhe 1.53 milionë euro fitime, me normë vetëm 0.3%, ndërsa “Hifa-Oil”, e përqendruar në tregtimin dhe shpërndarjen me shumicë, kishte 523.3 milionë euro të ardhura dhe 3.07 milionë euro fitime, me normë 0.6%.
Edhe “Hifa-Petrol”, që operon në tregun e pakicës, realizoi një normë relativisht të ulët. Kompania kishte 400.1 milionë euro të ardhura dhe 4.83 milionë euro fitim neto, ose 1.2%.
Ndër operatorët e tjerë, “Petrol BH Oil Company” raportoi 191.5 milionë euro të ardhura dhe 5.91 milionë euro fitime, me normë 3.1%, ndërsa “Nestro Petrol” kishte 174.7 milionë euro të ardhura dhe 2.31 milionë euro fitime, me normë 1.3%.
Përjashtim bën “Nešković”, që realizoi 135.5 milionë euro të ardhura dhe 14.68 milionë euro fitim neto, me normë 10.8%, dukshëm më të lartë se shumica e operatorëve të tjerë të tregut.
Kosova, “Ex Fis” me normë fitimi mbi 9%
Në Kosovë, “Ex Fis”, një nga kompanitë e mëdha të tregtimit të karburanteve, realizoi 223.2 milionë euro të ardhura dhe 20.39 milionë euro fitim neto në vitin 2025. Norma e fitimit prej 9.1% është ndër më të lartat e operatorëve të identifikuar në renditjen rajonale.
“HiB Holding”, sipas të dhënave të konsoliduara, raportoi 219 milionë euro të ardhura dhe 7.61 milionë euro fitime, me normë 3.5%, por kompania ka dhe aktivitete të tjera përveç tregtimit të naftës përmes markës “HiB Petrol”. Ndërsa “Albapetrol Group”, me 166.2 milionë euro të ardhura, realizoi vetëm 730 mijë euro fitim neto, ose 0.4% të xhiros.

LEXONI EDHE:
200 kompanitë me fitime më të larta; Ekonomia e shtrembëruar nga tenderat dhe informaliteti
IT, operatrët privatë çojnë 50-80% të të ardhurave për personelin; ata me tendera, norma fitimi 90%
Dilema e madhe e industrisë dhe përpunimit agroushqimor
Edhe ndërtimi fillon të lëshojë terren për fitimet, sidomos projektet rezidenciale
Fitimet japin sinjale rënëse, por ndërtimi pritet të vazhdojë, krahasimi me rajonin
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









