Një mesazh kërcënues për shpërthim bombe në avionin e linjës Manchester–Rinas ka aktivizuar mbrëmjen e sotme shërbimet e Policisë Kufitare në aeroportin e Rinasit. Letra, e shkruar në gjuhën angleze, u gjet në tualetin e avionit rreth orës 19:30, gjatë uljes së tij në aeroport.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, njoftimi është marrë nga menaxheri i aeroportit, i cili ka sinjalizuar autoritetet për mesazhin kërcënues. Menjëherë pas kësaj, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në pistë dhe kanë organizuar zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve.
Më pas është ushtruar kontroll i imtësishëm në avion, te pasagjerët dhe bagazhet e tyre, me ndihmën e qenve antieksplozivë. Pasagjerët janë kontrolluar në grupe, fillimisht nga Policia dhe më pas përmes skanerëve të aeroportit, për të identifikuar sende që mund të ndihmonin në zbulimin e autorit të mesazhit.
Nga kontrolli i avionit nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes.
Për rastin është njoftuar edhe struktura e Antiterrorit, ndërsa veprimet hetimore vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë. Hetuesit po punojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e pasagjerit që ka shkruar letrën kërcënuese.


