
Lansimi i GTA VI më 19 nëntor 2026 ka sjellë entuziazëm edhe në Arabinë Saudite. Fansat atje iu bashkuan miliona lojtarëve në mbarë botën. Seria Grand Theft Auto, e ndaluar në këtë vend deri në vitin 2025, tashmë po luhet ligjërisht nga lojtarët sauditë.
Lojërat në Arabinë Saudite po tërheqin edhe interesin e investitorëve më të fuqishëm të vendit, raporton Newsmax Balkans. Interesi për këtë industri lidhet edhe me princin e kurorës, Mohammed bin Salman, i njohur si MBS. Ai ka treguar publikisht se videolojërat janë një mënyrë për t'u shkëputur nga angazhimet e përditshme, sipas të njëjtit burim.
Por interesi i Arabisë Saudite nuk kufizohet vetëm te argëtimi. Fondi Sovran i Investimeve Publike i drejtuar nga vetë princi zotëron një pjesëmarrje të konsiderueshme në kompaninë amerikane Take-Two Interactive. Kjo kompani është pronare e studios Rockstar Games që krijoi serinë GTA.
Vlera e këtij investimi llogaritet në më shumë se 2 miliardë dollarë, sipas Newsmax Balkans. Gjithashtu, në gusht, një konsorcium ku bën pjesë Fondi Sovran arriti marrëveshjen për blerjen e gjigantit të videolojërave Electronic Arts, për rreth 55 miliardë dollarë. Ndërkohë, këtë muaj, fondi saudit zhvilloi bisedime me investitorë të tjerë për një blerje të mundshme të kompanisë Unity Software, me një vlerësim prej rreth 25 miliardë dollarësh.
Ky orientim lidhet me strategjinë afatgjatë të Arabisë Saudite për të diversifikuar ekonominë dhe për të ulur varësinë nga të ardhurat e naftës dhe gazit, në kuadër të programit kombëtar Vision 2030, sipas të njëjtit raportim. Ndryshimi vërehet edhe në jetën publike. Reklamat e GTA VI janë shfaqur në disa prej qendrave tregtare më të njohura të vendit.
Në to shfaqet edhe personazhi femëror i lojës me veshje që deri pak vite më parë do të konsideroheshin të papranueshme në hapësirën publike saudite. Krijuesi lokal i përmbajtjeve Thamer al Dairem e cilësoi mundësinë për ta luajtur lojën pa kufizime ligjore si një moment të veçantë.
Ai pranoi se videoloja përmban skena të dhunës, drogës dhe seksualitetit. Por theksoi se ngjarjet zhvillohen në një qytet imagjinar të frymëzuar nga Miami dhe nuk pasqyrojnë realitetin saudit. Kështu, një videolojë që deri pak kohë më parë ishte e ndaluar, sot është kthyer në një simbol të ndryshimeve kulturore dhe ekonomike që po përpiqet të promovojë Arabia Saudite, shkruas Newsmax Balkans.
