Ish-deputeti socialist Spartak Braho duket se ndodhet në mesin e elektoratit gri. I pyetur në “Frontline Interview” në Report Tv nëse do ta mbështesë Partinë Socialiste në zgjedhjet e majit, ai u shpreh se pret rinovimin e kësaj force politike.
“Nuk e kam vendosur. Jam akoma i dyzuar. Pres rinovimin e Partisë Socialiste apo krijimin e një të majte të re moderne, me një program ndryshe nga ky, drejtim organizativ ndryshe nga ky që organizon Rama, një të majtë të re moderne. Djem e vajza ka plot”, tha Braho.
Për ambicien e Erion Braçes i cili është shprehur se është i gatshëm të kandidojë për drejtimin e Tiranës, Braho e përshkruan si “natyrë kontestuesi”. Nga ana tjetër, është i bindur se deputeti s’është ndër emrat që Rama ka ndërmend.
“Unë me Braçen, jemi rritur në atë parti. Braçe është natyrë konstestuesi në sens pozitiv, nganjëherë e tepron, gjithsesi ka një veti shumë pozitive: është i lidhur me njerëzit, me hallet e tyre, bredh shtëpi më shtëpi sot e kësaj dite. Nëse është i bindur që e ka fitoren të sigurt, të kandidojë, por nga do të dalë sepse Rama ka në mendje emër tjetër, jo Braçen”, tha Braho.
Ndërsa Partinë Demokratike nuk e sheh si alternativë për zgjedhjet, madje e quan “prodhuese” të molotovëve. Braho thotë se selia blu është e kriminalizuar dhe drejtuesi i saj, Sali Berisha, është krimineli më i madh që ka parë historia.
“Si mund të ekzistojë ajo parti që vazhdon të hedhë molotovë? Molotovi prodhohet në zyrat e PD. Molotovi është napalm. Napalmi përdoret për të djegur policinë. Ata e provuan, protestuesit s’i lanë të hynin. Do të demaskohet si protestë dhe si qëllime. Larg enturazhi politik i PD nga protesta e studentëve të mirëfilltë, e pedagogëve dhe intelektualëve që kanë protestuar dhe vazhdojnë të protestojnë, aq sa janë. Zoti nuk i bën derman PD, është faktor politik që ka mbaruar. Një parti që e ka shtresën mbi të cilën qëndron, të kriminalizuar. Sali Berisha është krimineli më i madh që ka parë historia e këtij vendi”, tha Braho.








Komente
Komento