Një njohje që nisi si marrëdhënie pune, u kthye në miqësi, për të përfunduar në një histori frike, këmbënguljeje, përndjekjeje dhe kërcënimesh. Kjo është historia e Marsidës, 40-vjeçares nga Lushnja, nënë e dy fëmijëve, e cila pretendon se prej muajsh po përjeton një makth për shkak të një 29-vjeçari nga Fieri.
Gjithçka nisi në dhjetor të vitit 2025, kur Marsida, e cila punon si sanitare në banesa dhe lokale, publikoi një njoftim për punë. Në këtë mënyrë u njoh me Edi Muçajn, i cili kishte nevojë për dikë që t’i pastronte banesën.
Fillimisht, marrëdhënia mes tyre ishte thjesht profesionale. U dakordësuan që Marsida të shkonte një ose dy herë në javë për të pastruar shtëpinë e tij. Por shumë shpejt, përtej marrëdhënies së punës, mes tyre nisi të krijohej edhe një raport miqësor.
40-vjeçarja tregon se, duke qenë e ndarë dhe me dy fëmijë, kishte nevojë për shoqëri dhe mbështetje. Sipas saj, i riu u tregua i gatshëm ta ndihmonte, ta shoqëronte me makinë dhe t’i qëndronte pranë në situata të ndryshme.
Afrimiteti mes tyre u bë aq i madh, sa Marsida e prezantoi Edi-n edhe me fëmijët e saj, ndërsa njohu motrën, mbesat dhe mamanë e tij. Dilnin së bashku, shëtisnin dhe kalonin kohë si një familje.
Por miqësia do të merrte një tjetër drejtim kur 29-vjeçari i shprehu ndjenjat e tij. Në një drekë për ditëlindjen e tij, Edi i rrëfeu se kishte rënë në dashuri me të dhe dëshironte që të ishin bashkë.
Marsida thotë se e refuzoi, duke i bërë të qartë se nuk kishte ndjenja për të dhe se nuk dëshironte të niste një lidhje. Ajo i kërkoi të vazhdonin vetëm si miq, ose secili të ndiqte rrugën e vet.
Megjithatë, sipas dëshmisë së saj, Edi nuk hoqi dorë. Herë pas here i shprehte dëshirën për të qenë me të, duke i premtuar se do ta ndihmonte edhe për kursin e patentës. Madje, i kishte thënë se do ta linte amanet që t'ia paguante kursin edhe nëse nuk do të jetonte më.
Kur Marsida u përpoq të distancohej, 29-vjeçari nisi ta kërcënonte se do t'i jepte fund jetës. Sipas saj, ai i telefononte duke i thënë se kishte marrë kokrra miu, kishte shkruar një letër lamtumire dhe kishte lënë edhe para për kursin e patentës.
E gjendur përballë këtyre deklaratave, 40-vjeçarja vendosi të rifillonte komunikimin, me kushtin që marrëdhënia të mbetej vetëm shoqërore.
Por kjo situatë nisi të ndikonte edhe në jetën e saj të përditshme. Koleget në punë e shihnin shpesh duke hipur në makinën e 29-vjeçarit dhe nisën të lindnin fjalë e dyshime për një lidhje mes tyre.
Për Marsidën, kjo ishte një nga pjesët më të vështira të gjithë historisë. Ajo thotë se shqetësimi më i madh ishte opinioni i të tjerëve dhe ndikimi që këto fjalë mund të kishin te dy fëmijët e saj.
Pas disa përpjekjeve për të vendosur distancë, Marsida vendosi të ndërpriste sërish komunikimin. Por këtë herë, sipas saj, sjellja e të riut ndryshoi ndjeshëm.
Ajo pretendon se Edi nisi ta ndiqte në rrugë, t'i binte borisë pranë vendit të punës, ta priste paparalajmërim dhe ta kontaktonte vazhdimisht, edhe kur ajo nuk i përgjigjej telefonatave.
Madje, sipas 40-vjeçares, ai përdorte edhe llogarinë e djalit të saj në Facebook për t'i dërguar mesazhe, pasi ajo e kishte bllokuar në kanalet e tjera të komunikimit.
Frika e Marsidës nuk lidhej vetëm me përndjekjen fizike. Ajo pretendon se i riu dispononte dy telefonat e djalit të saj, të cilët ia kishte dhënë më herët në mirëbesim. Brenda tyre ndodheshin të dhëna personale dhe fotografi që ajo kërkonte t'i rikthente dhe të fshiheshin.
Për të shmangur çdo kontakt të mëtejshëm, Marsida dërgoi djalin 16-vjeçar në Fier për të shkëmbyer telefonat me çelësin e banesës, librin e patentës dhe disa sende të tjera që kishin mbetur te njëri-tjetri. Por as kjo përpjekje nuk solli zgjidhjen që ajo kërkonte.
Në dëshminë e saj, Marsida shprehet se ndihej e terrorizuar, se kishte frikë të dilte nga puna dhe se çdo makinë që shihte në rrugë i kujtonte 29-vjeçarin.
“Është kthyer në makth. Kam ikur me frikë nga puna. Çdo makinë që shihja në rrugë, më dukej sikur ishte ai”, rrëfen ajo.
E vendosur që t'i jepte fund kësaj historie, Marsida pranoi të takohej me të për herë të fundit, në praninë e kamerës sonë. Gjatë përballjes, ajo i kërkoi të riut të mos e shqetësonte më, ndërsa i kujtoi rastet kur ishte ndjekur dhe kërcënuar.
Edi pranoi se e kishte ndjekur, por pretendoi se disa nga fjalët kërcënuese i kishte thënë nga inati.
Por biseda mori një tjetër kthesë kur, në mënyrë të papritur, 29-vjeçari përmendi një armë zjarri.
“Po do më vrasësh, më vrit. Ta jap unë koburen, më vrit mua. E kam në makinë. Aty e kam pasur gjithmonë”, dëgjohet t'i thotë ai Marsidës.
Përballë kësaj deklarate dhe përmendjes së një arme zjarri, Piranjat ndërhyjnë menjëherë për të ndërprerë përballjen dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Pak çaste më vonë, Edi kujtohet se po filmohet dhe kërkon të mos shfaqet në televizor. Ndërsa biseda zhvendoset te paratë që pretendon se Marsida i detyrohet, ai bëhet agresiv edhe ndaj grupit të xhirimit.
Situata tensionohet më tej, derisa në vendin e ngjarjes ndalon një patrullë policie, e cila ndërhyn menjëherë. 29-vjeçari Edison Muçaj u shoqërua nga policia e qytetit të Fierit, por sot, pak ditë më vonë, është lënë në kushtet e arrestit në shtëpi me akuzën e përndjekjes.
© SYRI.net
Njoftim për bombë në avionin Manchester-Tiranë, letra në banjon e avionit që vuri alarmin
Mesazhe provokuese, kërkesa për foto me fustane dhe takime jashtë shtëpisë. Piranjat zbulojnë situatën alarmante të dy të miturave në Vlorë
Kukës/ Policia sqaron ngjarjen e rëndë: Një i ri u dhunua në automjeti e tij, xhaxhai me nipin në kërkim